Një ditë pas takimit me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kreu i PS-së, Edi Rama eshte takuar sot me kryetarin e Partisë Drejtësi,Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi.
Lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se qëllimi i takimeve të tij me krerët e partive parlamentare është t’i përgjigjemi sfidës madhore për Shqipërinë, sepse nga mënyrë se si do të zgjidhet presidenti varet edhe statusi kandidat dhe rrugëtimi ynë evropian.
Porcesi i zgjedhjes se presidentit te ri është edhe një garanci më shumë për palët, tha Rama, që në zgjedhjet e ardhshme të jetë i paanshëm.
Rama i bëri deklaratat menjëherë pas daljes nga takimi me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Ky i fundit u shpreh se në takimin me Ramë nuk u fol për emra të përveçëm për president, ndërsa theksoi se presidenti i ri duhet të ketë një profil të qartë publik dhe politik, konsensual dhe gjithëpërfshirës dhe të ketë vokacion patriotik.
Një nga kriteret që presidenti i ri duhet të përmbushë, sipas Idrizit është edhe mbajtja e një qëndrimi të qartë për zgjidhjen e çështjes çame.
“Konsensus, në rradhë të parë për statusin. Dhe për këtë ne jemi të angazhuar që të hapim një dialog, dhe dialogu për çështje politike, që nuk zgjidhen në një llogore apo në një tjetër, bëhet me kundërshtarët. Në rast të kundërt do të mbeteshim në pozicionet e mbajtjes së monologjeve, duke mos bërë detyrën tonë karshi vendit dhe miqve që përfaqësojnë familjen e madhe evropiane.”- u shpreh kryesocialisti Rama.
Pavarësisht se kush është ai që kemi përballë, vazhdoi më tej Rama, për ne rëndësi janë parimet dhe vlerat që duhet të ndërtojmë në këtë proces.
Ndërkaq, Idrizi përshëndeti klimën politike të krijuar së fundi në vend.
“Uroj që kjo klimë të vazhdojë gjatë, i jemi i larguar atij konflikti 3 vjeçar që ishte bërë pengesë për proceset integruese.”- tha ai.
© Panorama.al











