Presidenti dekoron At Zef Valentinin

May 9, 2012 | 15:23
Gjatë dekorimit të At Zef Valentinit

Vetëm pak ditë pas letrës që një grup intelektualësh i drejtuan Presidentit të Republikës, ky i fundit dekoroi dje pas vdekjes një prej figurave më të shquara në fushën e albanologjisë. Bëhet fjalë për personalitetin fetar me një kontribut të rëndësishëm si përkthyes, historian e filozof, At Zef Valentinin, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Albanologut të shquar, që ia kushtoi jetën studimeve mbi Shqipërinë, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndriçimin e problemeve të etnicitetit, të kulturës dhe historisë së saj, çka ndihmoi në njohjen e shqiptarëve në qarqet intelektuale dhe politike në Europë, e më gjerë”. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, merrnin pjesë Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskaj, ambasadori i Selisë së Shenjtë Imzot Ramiro Moliner Ingles, përfaqësues të bashkësisë katolike, albanologë, historianë e studiues. “Me një formim profesional elitar, At Valentini pati një angazhim direkt më se 20-vjeçar në jetën publike shqiptare dhe gati 30-vjeçar nga Italia, duke qenë njëherësh një mësues shembullor, studiues i aftë dhe krijues me kontribute të mëdha në dokumentimin e historisë dhe traditës zakonore ende të panjohur sa duhet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ishte njëherësh krijues dhe përkthyes, historian dhe filozof, një personalitet fetar dhe publik, albanolog dhe figurë e përmasave të larta akademike”, tha Presidenti Topi. Sipas tij, figura e Valentinit nuk u zbeh nga përpjekja e sistemit totalitar për të shuar dhe denigruar emrin e tij, ashtu siç u bë me Fishtën, Koliqin e shkrimtarë e mendimtarë të tjerë. “Falë punës kurajoze dhe angazhimit qytetar të botuesit Kulla dhe emrave më të njohur të jetës së sotme publike kulturore, tashmë publiku ka në dispozicion një pjesë të madhe të krijimtarisë së Valentinit, dhe kështu, një shans të artë për të mësuar nga kritika dhe dëshmitë, analiza dhe vizioni i tij për etapa e ngjarje më rëndësi të veçantë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët”, vijoi Topi, duke renditur trashëgiminë e pasur dhe kontributin e jashtëzakonshëm që Valentini na ka lënë në fushën e albanologjisë, historisë, ligjeve etj. Botuesi Ndriçim Kulla (“Plejad”), i cili personalisht është kujdesur për veprën e Valentinit, u shpreh: “Duke njohur vështirësitë dhe përmasat e mëdha të veprës së Valentinit, por duke pasur parasysh edhe mosnjohjen e censurën që i rezervoi regjimi komunist, e shikoj këtë ceremoni, jo vetëm si një vlerësim, por dhe si një rizgjim të kulturës valentiane, e shikoj si një rizgjim në kohën e duhur dhe si një rizgjim të mençur të një personaliteti me të vërtetë me famë qartësisht ndërkombëtare”.

© Panorama.al

Te lidhura