President Topi uron besimtarët myslimanë

Aug 1, 2011 | 12:21

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, uroi për të gjithë besimtarët myslimanë, fillimin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit.

Urimi i plotë e presidentit, Topi

“Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë!

Në këtë vigjilje të fillimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, kam dëshirën dhe kënaqësinë t’u uroj mbarë besimtarëve mylimanë shqiptarë, kudo që ndodhen një agjërim të lehtë, mbarësi e begati në familjet e tyre!

Në këtë Muaj të madhërueshëm, solidariteti dhe mirësia njerëzore arrijnë kulmin e tyre, duke na bërë të afërt me njëri-tjetrin për të nndarë jo vetëm gëzimin e besimin në vlerat fetare e njerëzore, por edhe për të kremtuar festat së bashku, pavarësisht besimeve të ndryshme. Muaji i Ramazanit është një provë e vetëpastrimit shpirtëror e një dëshmi e përkushtimit të pastër e të vërtetë ndaj fesë islame kur ju nxirrni edhe më në pah vlerat më të spikatura njerëzore të mirësisë dhe përkrahjes, dashurisë dhe sakrificës për të afërmit e për të gjithë njerëzit në nevojë. Toleranca dhe harmonia fetare, bashkëjetesa paqësore mes feve e kanë shndërruar kombin shqiptar në një shembull të rrallë në botë të këtyre vlerave njerëzore dhe shpirtërore. Këto vlera evidentojnë dhe konsolidojnë besimin e shoqërisë sonë tek një e ardhme e sigurtë për të gjithë kombin, të ngritur mbi vullnetin dhe dëshirën e qashtër të secilit prej nesh për të qenë bashkë në ditë të mira e në ditë të vështira, në dhimbje dhe gëzim, sot e mot duke i bërë kështu një shërbim të madh edhe brezave që do ta trashëgojnë këtë pasuri të paçmuar në të ardhmen.

Qoftë i lehtë për ju ky muaj agjërimi! Zoti ju ndihmoftë në këtë ritual të shenjtë dhe ju dhëntë shëndet, forcë e besim për ta përmbushur më së miri atë! Ju uroj nga zemra lumturi dhe begati në familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar!”

© Panorama.al

Te lidhura