Afrimi i zgjedhjes së Presidentit të ri gjithnjë e më shumë po kushtëzon regjistrin ligjërimor politik, ndërkohë që angazhimi i faktorëve determinues po njeh akrobaci, që deri tani mund të futeshin në rendin e gjërave të pagjasa.
Krahas artikulimit sporadik, shpesh pa dashje, të emrave të mundshëm garues, ajo që së shumti bie në sy është vëmendja e partive ndaj procesit, për të ndërtuar aty argumentet e qëndrimeve, të cilat shpesh tejkalojnë spekulimin e thjeshtë. Pas deklaratave të vazhdueshme të lidershipit të PD, për t’iu përmbajtur një procesi sa më kushtetues, brenda të cilit parashikohen si konsultimet mes palëve, ashtu dhe shmangiet e qëndrimeve bllokuese dhe kreu i PS, edhe për të anashkaluar një prononcim për kandidaturën e themeluesit të PS, u sintonizua po në gjatësinë e valës së rëndësisë së procesit, por me një finalitet pothuaj detyrues, ose më saktë përjashtues.
Pas kësaj, kërkimi i një konsensusi me parakushte është shndërruar tashmë në “modus operandi” e opozitës dhe kjo, jo vetëm me objektivin primar për t’i dhënë vendit një President të pamerituar, sipas identikitëve të fabrikuar në komisionet sfilatore të PS, por dhe njëkohësisht për të trazuar ndjeshëm emocionet e votuesit dhe emocionet e mbështetësve politikë, sikurse për të hedhur në tregun politik hijet e para të opsioneve të aleancave parazgjedhore. Në këtë rast, ajo që tejkalon pikërisht dëshirën për të gjetur gjuhën e përbashkët të politikës në një moment të tillë krucial, pra, për të zgjedhur kreun e shtetit, është dëshira e shfrenuar për pushtet, para së cilës lideri i PS, pasi dështoi pothuaj në të gjitha orvatjet, është gati, sipas një shprehjeje domethënëse popullore “të lëpijë atë që pështyu” kohë më parë, pavarësisht kundërshtimeve të forta të të tijve, të cilët në progresion, gati gjeometrik, shohin tek ai lojtarin kontrovers. Në këtë kontekst, protagonizmi artificial i tij, i shfaqur në një moment të parakohshëm dhe jo i përputhshëm me peshën specifike që ka në raport me iniciativat konsultuese që parashikon Kushtetuta, sikurse dhe tendenca gjithnjë e në rritje për ta paraqitur zgjedhjen e Presidentit si kusht të 13 të marrjes së statusit, koincidenca kohore e të cilit me vjeshtën e 2012 është krejt rastësore, dëshmojnë qartë se përtej konsensusit të artikuluar, ajo që realisht kërkohet është një lloj koncesioni presidencial, i cili do të mund të kompensonte dhimbjet e mëdha të humbjeve, që vetë Rama ka përjetuar në këto vite politike të padrejtim dhe anarkike.
Konsensusi në këtë situatë, më shumë se modalitet përzgjedhjeje, është artifici për të realizuar koncesionin presidencial, i cili përtej parashikimeve personale, pas kësaj do të ishte për lidershipin e PS një lloj pengu i së majtës, lehtësisht i shfrytëzueshëm në konfigurimin e luftës së ardhshme politike. Njëkohësisht ai është dhe artifici për të risjellë në atmosferën politike të pragzgjedhjeve të 2013-s, alibinë fikse të Ramës për vjedhje votash, si justifikim banal i dështimeve të 2009-s dhe 2011-s. Çdo krahasim i evokuar me ose pa heshtje me 2001, vit që pasoi zgjedhjen e Moisiut si President konsensual në 2002-shin, pas verifikimit të megavjedhjes së votave nga maxhoranca e majtë e lindur nga 1997, jo vetëm është i pabazë, por njëkohësisht është lehtësisht i rreshtueshëm, brenda një logjike elementare, në argumentet të cilat favorizojnë zgjedhjen e një Presidenti politik, qoftë ky dhe me shumicë të thjeshtë, pikërisht për të shmangur krizat dëmtuese të imazhit të Shqipërisë.
Në këtë aspekt, ajo që bie më shumë në sy, në tërësinë e koloritit të qëndrimeve, është parakushti përjashtues që gjithnjë e më shumë po citohet nga përfaqësuesit e së majtës, sipas të cilit një kandidat nga drejtuesit e PD nuk mund të jetë i pranueshëm dhe i konsultueshëm nga palët, sikurse për balancë e pohojnë që dhe një kandidat tepër politik i majtë nuk mund të pranohet. Qëllimi i kësaj pjese të dytë nuk shkon më larg se përjashtimi i opsionit Nano, pasi patjetër që në këtë pikë të majtët janë të vetëdijshëm që mungesa e maxhorancës i pengon totalisht që të kenë një kandidat të pastër të majtë. Ndërsa insistimi i tyre në tërësi synon pikërisht zhvlerësimin e epërsisë politike, që PD-së ia kanë dhuruar dy faktorët më determinues të politikëbërjes, që janë vota e popullit dhe Kushtetuta, e cila për hir të së vërtetës së thënë disa herë, në pikën e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit me shumicë të thjeshtë, ka shprehur saktë dëshirën e opozitës së atëhershme të pranuar me shumë bujari nga maxhoranca aktuale.
Dalja nga këto dy shina themelore, që po kërkohet të imponohet, nëpërmjet një konsensusi të kushtëzuar, do të ofronte në fakt një proces informal, të shoqëruar pa dyshim me një produkt po kaq informal, ose thënë më shkoqur me gjetjen e një Presidenti, i cili vërtet nuk do të vinte nga politika, por që në vend të ishte mbi palët dhe garant i Kushtetutës, do rrezikonte të bëhej garant i politikës së konfliktit ose garant i mosgarancisë. Ndërkohë, përfshirja brenda qëndrimeve të tij që lideri i së majtës kërkon t’u bëjë opinioneve të dhëna në vazhdimësi nga ndërkombëtarët, është pjesë e spekulimeve të zakonshme të tij, pasi këto opinione konvergojnë dukshëm me deklaratat e pozitës qeverisëse për të realizuar një proces sa më kushtetues, sa më të konsultuar e gjithëpërfshirës në konkludim të së cilit, të gjithë ne të kemi një President performant, i cili në ushtrimin e funksionit të tij do të përputhë cilësitë personale me aksesin ligjor që i kushtëzon Kushtetuta. Nxitimi i Ramës për të marrë iniciativën e një procesi që ekskluzivisht politikisht i përket mazhorancës dhe vendosja e kushteve dhe e përjashtimeve, me petkun e konsensusit për t’i dhënë vetes rolin e personit që vendos, si dhe lëvizjet kaotike drejt konsultimeve të errëta, kontrastojnë dukshëm me qetësinë e kampit maxhoritar, i cili është i bindur në prurjen e një Presidenti kushtetues të konsultuar me palët. Çdo zgjedhje tjetër jashtë këtij procesi, ndonëse e pretenduar si konsensuale, mbetet të jetë një zgjedhje e kushtëzuar, koncesionale dhe, si e tillë, e domosdoshme për t’u shmangur.
© Panorama.al












