Prerja e pemëve, PS akuza Bashkisë

Jun 16, 2012 | 13:47

Pas ambientalistëve, për prerjen e pemëve përballë Fakultetit Ekonomik në Tiranë kanë reaguar dje edhe këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak. “Ne i kërkojmë kryetarit të Bashkisë së Tiranës të dalë menjëherë publikisht, të bëjë transparencë dhe të shpjegojë mbi çfarë baze ligjore, mbi çfarë akti e ka marrë këtë vendim”, tha kryetari i këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Bashkisë së Tiranës. “Shprehim keqardhjen që përpara interesit qytetar, PS ka zgjedhur konfliktin politik, të pavërtetat dhe abuzimin. Zgjerimi i Rrugës së Elbasanit është një prioritet për qytetin tonë, i cili vazhdon të vuajë pasojat e zhvillimit të paplanifikuar”, thuhet në deklaratën për mediat. Sipas këtij institucioni, zgjerimi i  Rrugës së Elbasanit do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë dhe do të ndikojë në reduktimin e ndotjes dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të Tiranës.

Basha: Në nëntor përfundon projekti i bulevardit
Brenda nëntorit përfundon projekti teknik i bulevardit të ri të Tiranës, me gjatësi 1.8 km. Këtë bëri dje me dije kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Në ekspozitën e hapur nga Fakulteti i Arkitekturës, Universiteti Politeknik i Barit, “Arkitektura moderne italiane në Tiranë, vazhdimësia e një ideje”, sipas Bashës me t’u mbyllur projekti, do të nisë puna.  “Në këtë projekt madhështor ne po ecim me shpejtësi, për të siguruar që jo vetëm të ndërtojmë bulevardin, infrastrukturën publike, por të sigurojmë një profil sa më qytetar, sa më bashkëkohor, sa më funksional në të dy anët e tij, një zhvillim modern që do i japë vlerë pronës së qytetarëve që banojnë dhe kanë pronat e tyre”, u shpreh kryebashkiaku Basha. Sipas tij, fillimisht me mbështetjen financiare të BE-së do të nisë puna për Sheshin e Drejtësisë, “ku një kontribut të rëndësishëm, – tha zoti Basha, – jep edhe Italia”.

© Panorama.al

Te lidhura