Prendi, Apeli rrëzon Prokurorinë

Feb 23, 2012 | 13:10

Ndrea Prendi ne gjykate

21 janari, gjyqtari Dalip Bushi heq dorë, avokati i kreut të Gardës kërkon largimin e Sollakut.

Bie kërkesa për kthimin e arrestit të shtëpisë në arrest me burg.

Për të katërtën herë një vendim gjyqësor rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për kyçjen në qeli të Ndrea Prendit, ish-drejtuesit të Gardës së Republikës, i akuzuar për “vrasje” në demonstratën e 21 janarit 2011 në Tiranë. Vendimi në fjalë u shpall dje nga një trupë gjykuese e Gjykatës së Apelit Tiranë, sipas së cilës, i dyshuari Ndrea Prendi duhet të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Gjykata nuk e pranoi kërkesën e organit të hetimit për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” me “arrest me burg”. Në këtë mënyrë, hetimet ndaj ish-kreut të Gardës, i akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt, do të vijojnë, ndërsa ai do të jetë “i kyçur” në shtëpinë e tij. Vendimi u shpall nga një trupë gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Hysni Demiraj dhe anëtarë gjyqtarët Shkëlqim Miri dhe Agron Papajani. Pas këtij refuzimi nga gjykata e kërkesës së “arrestit me burg”, prokurorisë i mbetet vetëm rekursi në Gjykatën e Lartë për ta rishprehur këtë pretendim.
REFUZIMI
Gjykimi i kërkesës së prokurorisë për caktimin e “arrestit me burg” u zhvillua në një seancë me dyer të mbyllura në Gjykatën e Apelit. Burime pranë Gjykatës pohuan se kërkesa e prokurorit nuk u mor parasysh nga ana e trupës gjykuese. Para gjykatës prokurori ka paraqitur dokumentin përmes të cilit konfirmohej se arma me numër P52796Z është tërhequr dhe ka një shkresë të firmosur nga gjenerali Prendi. Vendimi i gjykatës u konfirmua pas përfundimit të seancës nga mbrojtësi ligjor i Prendit, avokati Genc Gjokutaj. Sipas avokatit, tentativa e prokurorisë për të burgosur mbrojtësin e institucioneve dështoi. “Gjykata e Apelit rrëzoi kërkesën e Prokurorisë. Është hera e katërt që Prokuroria merr përgjigje për një proces inekzistent. Përfundimisht, tentativa për të burgosur mbrojtësin e institucioneve, dështoi”, tha avokati.
Në lidhje me provën e re të paraqitur në proces, mbrojtësi Gjokutaj tha se “ajo nuk është provë e re, pasi nuk ka mohuar njeri. Ajo ka qenë e dokumentuar që në fillim. Këto janë lojëra të Prokurorisë për të ndërruar trupat gjykues, për të arritur atë qëllim që nuk ka për ta arritur kurrë”.
GJYQTARËT
Shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj Ndrea Prendit i kushtoi angazhim thuajse gjithë paraditen e djeshme trupës gjyqësore të Gjykatës së Apelit. Kjo për shkak se treshja e gjyqtarëve që do të vendoste për “fatin” e tij u “kompozua” disa herë. Në orën 10:30, atëherë kur ishte paracaktuar nisja e seancës, palët u njohën me dorëheqjen e gjyqtarit Dalip Bushi. U bë e ditur se gjyqtari Bushi e kishte njoftuar një ditë më parë dorëheqjen e tij me argumentin e konfliktit të interesit për shkak se dy fëmijët e tij ishin punonjës në Prokurorinë e Përgjithshme. Heqja dorë e gjyqtarit Bushi është pranuar nga titullari i institucionit dhe në vendin e tij, në treshen gjykuese të Prendit është paraqitur gjyqtari Shkëlqim Miri. Por, që në nisje të seancës, mbrojtësi ligjor i Prendit, avokati Genc Gjokutaj, kërkoi përjashtimin e gjyqtares Zeqine Sollaku për papajtueshmëri ligjore. Në seancë, avokati ka pretenduar se klienti i tij, Ndrea Prendi, kishte pasur një konflikt në vitin 2006 më bashkëshortin e gjyqtares, ish-prokurorin e Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Sipas mbrojtësit, mosmarrëveshja mes të dyve kishte pasur si zanafillë ndryshimin e eskortës së ish-kryeprokurorit nga ana e gjeneral Ndrea Prendit. Avokati e ka provuar këtë duke paraqitur para gjykatës disa kopje gazetash të përditshme të asaj kohe, që pasqyronin këtë konflikt. Nga ana e saj, gjyqtarja Sollaku nuk e pranoi dorëheqjen. Vetëm pak minuta më pas, ky pretendim i avokatit Gjokutaj u shqyrtua në një gjykim të veçuar nga gjyqtari Artur Kalaja. Gjyqtari Kalaja e vlerësoi të drejtë pretendimin e avokatit dhe vendosi përjashtimin e gjyqtares Sollaku. Në vijim, në vendin e gjyqtares Sollaku, në trupën gjykuese të kërkesës për Prendin u caktua gjyqtari Agron Papajani. Më pas treshja e gjyqtarëve, Demiraj, Miri dhe Papajani, shqyrtuan kërkesën e prokurorisë për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj Prendit.

25 janar 2012
Gjykata e Tiranës e njohu zyrtarisht Ndrea Prendin me masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhënë në mungesë ndaj tij. Në një seancë që zgjati vetëm pak minuta, gjenerali Prendi, i pranishëm në proces, konfirmoi para gjykatës gjeneralitetet e tij. Ndërsa përfaqësuesi i Prokurorisë rikonfirmoi qëndrimin e organit të akuzës për caktimin e masës “arrest me burg” ndaj Prendit.

3 shkurt 2012
Gjykata e Tiranës refuzon kërkesën e Prokurorisë për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” të Prendit me masën “arrest me burg”. Më herët Prokuroria kishte dërguar në Gjykatën e Apelit ankimin për vendimin e datës 25 janar. Gjykata e rrëzoi formalisht këtë kërkesë. Gjyqtari arsyetoi se ai ishte shprehur për masën e sigurisë dhe se provat e reja duhet të paraqiten në Apel.

8 shkurt 2012
Gjykata e Apelit Tiranë lë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi. Në këtë vendim, gjykata rrëzoi kërkesën e akuzës për caktimin ndaj të dyshuarit Prendi të masës “arrest me burg”. Përfaqësuesi i Prokurorisë nuk paraqiti prova të reja, përveç atyre të paraqitura në Gjykatën e Shkallës së Parë.

22 shkurt 2012
Pas tri refuzimesh të njëpasnjëshme nga gjykata të kërkesës për një masë më të rëndë sigurie se “arresti shtëpiak” për Prendin, Gjykata e Apelit nuk pranoi “zëvendësimin e masës së sigurisë” për Prendin. Kërkesa e organit të akuzës për caktimin e një mase sigurie “arrest me burg” nuk u mor parasysh nga gjykata, e cila la të pandryshuar vendimin e dhënë në Shkallën e Parë.

Ekspertiza, Prendi qëlloi 11 herë ndaj turmës, vrau Myrtajn

Komandanti nën akuzë, ndryshoi tytën e pistoletës

Gjykata e Apelit në Tiranë

TIRANE – Përballja direkte e gjeneralit Ndrea Prendi, ish-kreut të Gardës së Republikës me gjykatën, mori udhë në janar të këtij viti, pak pas mbërritjes në Tiranë të përgjigjeve të ekspertimit balistik të FBI-së për llogari të 21 janarit 2011. Sipas ekspertëve amerikanë, rezultonte e provuar se në këtë ngjarje, nga arma e Ndrea Prendit para Kryeministrisë ishte qëlluar 11 herë në drejtim të turmës. Referuar hetimeve, ai ka qëlluar me armën e tij “Beretta” me kalibër 9 mm dhe më numër P52796Z, që i përket armatimit të tij personal. “Si pasojë e të shtënave prej tij është vrarë me armë shtetasi Faik Myrtaj dhe u është rrezikuar jeta e shumë personave të tjerë që kanë qenë pranë viktimës dhe në atë pjesë të bulevardit që ndodhet midis portës së Kryeministrisë dhe ndërtesës së UNHCR-së”, pohonte prokuroria. Po sipas akuzës, për të shmangur zbulimin e ngjarjes, Prendi, duke përfituar nga detyra që mbante, ka ndërruar tytën e pistoletës së tij me tytën e pistoletës së personit në hetim, shtetasit Margarit Kume. Bazuar në hetimet e deriatëhershme dhe në ekspertizën e FBI-së, Prokuroria iu drejtua Gjykatës duke kërkuar në mungesë caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për gjeneralin Ndrea Prendi. Gjyqtari Shkëlqim Mustafa nuk e pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Gjyqtari e arsyetoi vendimin e tij me argumentin se prokuroria nuk provonte plotësisht se arma nr. P52796Z ishte përdorur nga Prendi më 21 janar 2011. “Nga ekspertiza e FBI-së ka dalë se predha e gjetur në trupin e Faik Myrtajt ka lënë gjurmë në mekanizmin mbushës të pistoletës nr. P52796Z, si dhe kjo predhë ka gjurmë të vjaskave të tytës së pistoletës me numër P52778Z, duke shtruar edhe versionin se mund të jenë shkëmbyer tytat e këtyre pistoletave me nr. P52791 me atë me nr. P52778Z. Prokuroria pretendon se pistoleta nr. P52796Z është pistoleta që ka përdorur personi në hetim Ndrea Prendi. Por, nga aktet e administruara nga prokuroria, deri në këtë fazë të hetimit nuk ka një provë të plotë që të provojë saktësisht se këtë pistoletë, më 21 janar 2011, e ka përdorur personi në hetim”, argumentoi gjyqtari.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura