Premtimi i pambajtur i Kryeministrit

Oct 1, 2024 | 9:00
SHPËRNDAJE

NGA MYFTAR BARBULLUSHI myftar-barbullushi

Në një natë të pafundme vjeshte, pus të errët, pa hënë dhe pa yje, mbrujtur me një ndjesi të thellë vetmie dhe misteri që dukej se përthithte çdo tingull sado të vogël, ku fishkëllima e erës e përzier me kulisjen përndjellëse të dy qenve të shtëpisë paralajmëronte diçka të kobshme, disa burra veshur me të zeza, në heshtje të plotë dhe në aleancë me natën, e cila kishte ndaluar edhe frymën për të mos i tradhtuar, do futeshin në deriçkën e prapme të shtëpisë së madhe.

Lufta sapo kishte mbaruar dhe ankthit të pasluftës, që si një bryme akulli kishte ditë që e kishte mbuluar qytetin me të madh verior, e sidomos shtëpisë së madhe të Omarëve do t’i shtohej edhe ardhja e një mysafiri misterioz, i cili si një meteor i akullt, do të ngrinte akoma më shumë atmosferën dhe klimën e asaj familjeje. I shoqëruar nga xhaxhai i familjes, deputet nga viti 1939 deri më 1943, antizogist dhe nacionalist me influencë në të gjithë veriun e vendit, fati i familjes do të ndërronte kah nga ardhja në shtëpi e këtij mysafiri të çuditshëm, i cili do të qëndronte aty për 369 ditë.

Në fillim asgjë e çuditshme për vajzën 11- 12 vjeçare të familjes, e cila ishte mësuar me të huajt e ardhur për të bujtur gjatë gjithë periudhës së luftës, por bujtësi i ri ishte ndryshe, rreth të gjashtëdhjetave, i pashëm dhe i mbajtur mirë, fjalëpak, gjithmonë me një libër në dorë, rrezatonte aq shumë sa vajza kishte ndrojtje t’i afrohej. Analizat e tij për kohën, e sidomos për të ardhmen e lidhur me Kosovën, Inglizin dhe Italinë, e linin pa gojë vajzën, së cilës i dukej vetja si në ëndrra. U deshën pak ditë që vajza të lidhej shumë mbas tij, apo më mirë pas elegancës, diturisë dhe mençurisë së tij.

“Serveti është shume e zgjuar – i tha mysafiri një ditë të atit – sapo të rregullohen gjërat, do të interesohem ta çoj në shkollë në Itali”.

Ëndrrat e vajzës tashmë kishin parkuar në rrugët, muzetë, bibliotekat dhe auditorët më të mirë të Italisë, edhe pse së fundi kish filluar të përmendej nga lotët e nënës, që rrëshqisnin butësisht ndërsa miksoheshin me një tis të lehtë dhe të paformë ankthi, sidomos kur në lajmet e radios kërkoheshin strehuesit e ish-kryeministrit. Pëlhura e mistertë e këtij realiteti të çuditshëm do të shkyhej kur dera e shtëpisë do të shembej nga britmat dhe goditjet e policisë për të kontrolluar shtëpinë, ndërsa mysafiri bashkë me xhaxhain e saj do të futeshin në një kapanxhë poshtë dyshemesë së dhomës së ndenjes, mbi të cilën u vendos një tavolinë dhe mbi të harxhet dhe okllaia e byrekut, ndërsa e ëma u kujdes të hedhë edhe pak miell nën tavolinë. Para se të futeshin, i ati me një ton të prerë do t’i kërcënonte të dy burrat: “Mbani vath në vesh një fjale; nëse ju zbulojnë, vrisni njëri-tjetrin dhe mos u qëlloni kurrë ushtarëve, se dhe ata bij nënash janë dhe bëjnë detyrën. Pas jush, të njëjtën gjë do bëj edhe unë”.

Ditët e fundit, pasi policia po e kontrollonte gjithnjë dhe më shpesh shtëpinë, dy njerëz të besuar të tij negociuan me mysafirin për ta çuar në një destinacion të ri. Ditën e nisjes, studenti i Robert College, pjesëmarrësi në luftimet gjatë rrethimit të Shkodrës, 14 vjet deputet, ministër i Punëve të Brendshme dhe me pas Kryeministër, Maliq Bushati, i maskuar si grua, pasi u përshëndet i përlotur me familjarët, kur doli te dera, u rikthye përsëri dhe i tha vajzës: “Nuk e harroj premtimin, së shpejti”.

Së bashku me shtegtimin e ëndrrave dhe premtimeve për shkollim kishin mbaruar dhe ditët e arta për vajzën akoma të parritur. Fati kishte heshtur duke iu nënshtruar rrugës së shënjuar nga alieni ish-Kryeministër. Pas atij momenti për të do të fillonte “Metamorfoza”, me të gjitha karakteristikat e të ashtuquajturës “histori kafkiane”. Molla e hedhur në kurrizin e familjes Omari do të jepte efektin e saj; babai, xhaxhai dhe dy vëllezërit u arrestuan dhe u dënuan me dënimet më të ashpra si strehues të Kryeministrit dhe si kulakë. E gjithë pasuria e pamasë, përfshirë kuajt e shalës dhe automobilin e sapoblerë në Itali, së bashku me rreth 500 dynymë tokë u sekuestruan, duke shkruar kështu preludin e një historie të rrallë, të mbarsur në muzg, të jetuar si pakkush dhe të vrarë para adoleshencës. Një histori që akoma dhe sot, si antitrupat pas një reaksioni thuajse vdekjeprurës, rrjedh në dejet e Omarëve, duke influencuar dukshëm në garën e tyre me kohën për t’u kthyer në emrin e familjes së tyre të dikurshme.

Që nga ai çast, si çdo adoleshent që betejën e tij të parë e ka dhuratë nga prindërit, e rritura brenda natës, duke mos dashur që dhimbja t’i merrte gjithçka, e përktheu atë në një thirrje të brendshme, që do të nxiste çdo qelizë të trupit të saj të emetonte vetëm aromë dashurie, aq sa edhe sot e ndjej aromën e saj, një parfum i përzier lule bore dhe karafila, i përgatitur në bahçen e saj, në Shkodër, që në fëmijërinë e hershme më dha siguri dhe paqe, pjesë e rëndësishme e asaj që e bën një djalosh burrë, ndërsa sot më kujton se jeta mund të jetë e vështirë dhe e ashpër njëkohësisht, shpesh e pakuptueshme, por eleganca në kërkimin e përditshëm të së bukurës është gjithmonë e mundur, besimi dhe dashuria për njerëzit është gjithmonë i mundur. Siç duket, këtë kishte pasur parasysh babai yt kur të quajti Servet (pasuri), këtë kishe parasysh ti kur e quajte vajzën tënde të parë Zerina, (e artë) për të cilën sa herë drejtonte emisione televizive, me një zë të zvarguar, ngjyrosur nga malli, krenaria dhe dhimbja, na thoshe; “është Omareshë”, edhe pse të qetësonte fakti që mbiemri i saj Kuke e largonte nga biografia jote e “rrezikshme”.

E mbyllur në guaskën e heshtjes së detyruar për gjithçka që rridhte në damarët e saj nga familja në Shkodër, me vetëdijen e farës që, edhe pse nën tokë, mbart fermentin e jetës, e bindur që errësira e shpirtit i fsheh dhe i mbron thesaret më mirë se drita, me pengun e mosrealizimit të ëndrrave të saj për shkollim, ditë pas dite, me një përzierje fuqie, klasi dhe rrallë tërbimi, duke i mbështjellë plagët e jetës së saj të papërsosur me eliksirin e dashurisë, ajo e shndërroi dhimbjen e saj në një perlë të aftë për të shkëlqyer, për të ndriçuar dhe gjithashtu për të rilexuar dritën dhe bukurinë e të tjerëve.

Tek historia jote, e zënë me maja dhimbjeje dhe e vaditur me ujë dashurie, fshihej misteri i bukurisë tënde, rrezatuese për këdo që kishe pranë.

NË VEND TË MBYLLJES… PËR TY NUK KA MBYLLJE

Drithërohej para shtëpisë së saj të lindjes dhe miklohej kur shikonte në krye të rrugës tabelën “Rruga Omari”, e cila tashme orienton kalimtarët se pas kësaj porte gjigante të vilës së bukur dykatëshe, ku mjeshtrat italianë kishin derdhur identitetin e tyre, dikur gëlonin histori ekzistenciale, të miksuara me dhimbje, dashuri dhe bujari, që Omarët e derdhnin për këdo që trokiste në atë portë të madhe, e cila, e hapur vetëm një herë “gabimisht”, do të helmonte më shumë se tri breza të kësaj familjeje.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura