Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, është zotuar ta kryejë deri në fund mandatin e tij qeveritar, i cili përfundon në vitin 2013, dhe këtë, sipas tij, po ua bën nder italianëve, sepse ai vetë e ka “sakrificë të madhe” pozicionin e Kryeministrit.Natën e së martës ai fitoi votëbesimin në Senat, ku zotëron shumicën, dhe tha se ka për të fituar edhe votëbesimin e qeverisë së tij në Dhomën Përfaqësuese, ku edhe pse beteja pritet të jetë më e ashpër, ai thotë se i ka numrat për të fituar sërish besimin e ligjvënësve. 74-vjeçari, tajkun i medias dhe miliarder, tha se nuk donte të drejtonte qendrën e djathtë, e cila është në qeveri, pafundësisht. Votëbesimi i kësaj radhe, i 44-ti për qeverinë e Berluskonit (që nga viti 2008), u kërkua nga vetë kreu i qeverisë italiane mbi reformën ekonomike të Italisë, e cila ka shënuar një rrite shumë të ulët dhe dita-ditës po thellon borxhin e jashtëm. Votat në Senat pro Berluskonit ishin 317, ndërsa kundër 293. “Kjo do të thotë se koalicioni qeverisës është i fortë mjaftueshëm dhe i unifikuar. Ai është i vetmi që mund t’i sigurojë Italisë qeverisje në këto kohë të vështira”, tha ai para ligjvënësve të mërkurën, duke njoftuar gjithashtu një formatim të pjesshëm të qeverisë. “Ne të gjithë jemi të bindur se borxhe të reja nuk duhet të ketë më, qeveria nuk do t’ua kalojë brezave të ardhshëm koston e kësaj krize ndërkombëtare, fëmijët tanë nuk do të paguajnë për vështirësitë e sotme”, është shprehur Berluskoni para Senatit, në një fjalim që zgjati rreth 40 minuta. Deklarata e tij u bë gjatë votimit të mocionit të besimit ndaj qeverisë së tij dhe planit financiar, që u kërkua me ngulm pas rritjes së kërcënimit ekonomik për Italinë, situatë e ngjashme me atë të Greqisë. Kreu i Eurogrupit, Zhan Klod Xhunker, tha gjatë fundjavës se kriza greke e borxheve mund të kalojë zinxhir edhe në Itali, vend i cili renditet i dyti përsa u përket borxheve në eurozonë. Borxhi i Italisë është 120 për qind në krahasim me zhvillimin ekonomik. Por Berluskoni nuk e krahason Italinë me Greqinë. Programi qeveritar i Berluskonit synon të demonstrojë aftësi veprimi dhe optimizëm. Të premten, Agjencia e klasifikimit të aftësisë kredituese e kërcënoi Italinë se do t’ia ulte shkallën e besueshmërisë për kreditim, pasi borxhet e saj shin shumë të larta dhe gjasat për rritje ekonomike pothuajse joekzistuese. Ndërkohë, jashtë ndërtesës së Parlamentit italian kishte me mijëra protestues që po përlesheshin me policinë gjatë kohës kur Berluskoni mbante fjalimin e tij. Votëbesimi i Berluskonit ishte edhe një test pas humbjes së fundit në zgjedhjet lokale edhe në zonat strategjike që dikur kishin qenë bastione të djathta për shumë vite.
44 mocione
besimi ka kaluar në Parlamentin Italian qeveria e kryeministrit të shumëdiskutuar, Silvio Berluskoni, që nga viti 2008











