Ajo është një nga ato komeditë që njerëzit duan ta shohin në çdo kohë. Linja është gati e njohur, por gjithnjë e pëlqyer. Një beqar i pasur që dashurohet pas një vajze të varfër. Kur doli në vitin 1981, “Arthur” i Steve Gordon, u prit mjaft mirë nga publiku dhe nga kritika, madje fitoi dy çmime Oskar (për aktorin më të mirë jo protagonist dhe muzikën më të mirë). 30 vjet pas shfaqjes së parë, milioneri ekcentrik, Artur rikthehet në ekranin e madh të kinemasë, këtë herë nën regjinë e Jason Winer dhe talentin e Russell Brand. E shoqërojnë protagonistin Greta Gerëig, Jennifer Garner e fituesja e Oskarit, Helen Mirren, në rolin e Hobson, personazhit kyç të filmit. Historinë e re të Arthur Bach, milioneri i papjekur dhe i pandërgjegjshëm që pasi u dashurohet marrëzisht pas Naomit, gjendet papritur në mes të një dileme thelbësore, publiku shqiptar do të ketë mundësi ta ndjekë prej ditës së sotshme në kinema “Millennium. Artur është një milioner i ri që u shkon pas argëtimeve të shfrenuara dhe femrave. Por nëna e tij nuk aprovon zgjedhjet që ai bën në jetë, ndaj e detyron qe të martohet me një grua të pasur. Artur nuk i jep rëndësi çështjes, por kur bie në dashuri me të bukurën Naomi, një vajzë mjaft modeste dhe jeton duke punuar si agjente turizmi e duke shpresuar që të bëhet shkrimtare për fëmijë. Ai dashurohet marrëzisht pas saj dhe i duhet të zgjedhë mes dashurisë dhe parasë.











