E vendosi komuna Kala e Dodës. “Ka probleme”
Përplasje mes strukturave të qeverisjes vendore në qarkun e Dibrës për titullin e dhënë për Hekuran Dedën, i vrarë gjatë protestave të 21 janarit 2011. Prefekti Genc Sharku ka kundërshtuar vendimin e Këshillit të komunës Kala e Dodës, vendim ky që e shpall Dedën “Qytetar Nderi” të kësaj njësie vendore. Kryetari i komunës Kala e Dodës, Bajram Himallari, deklaroi dje se vendimi është marrë në fillim të janarit të këtij viti dhe i është dorëzuar familjes më 21 janar, në Tiranë. “Kemi mësuar se se prefekti Sharku nuk e ka konfirmuar këtë vendim të Këshillit të Komunës. Por, ligji e thotë mjaft qartë se vendimet me karakter individual nuk kanë nevojë të konfirmohen nga prefekti. Edhe sikur ai të mos e konfirmojë atë, Këshilli Komunal të njëjtin vendim do të marrë për djalin e kësaj zone që humbi jetën tragjikisht në protestat e opozitës më 21 janar 2011. Iniciativa erdhi nga banorët e Kalasë dhe Këshilli vendosi unanimisht për shpalljen e tij “Qytetar Nderi”. Prefekti dhe kushdo tjetër që diskuton këtë vendim, gabon rëndë”. Megjithëse titulli i është dorëzuar familjes dhe gjithçka duket se ka marrë fund, kryekomunari i Kalasë së Dodës, Himallari, tha se nëse prefekti nuk e konfirmon vendimin për herë të dytë, atëherë Këshilli i Komunës do t’i drejtohet gjykatës. “Sipas Këshillit të Komunës dhe mendimit tim, prefekti nuk ka të drejtë të kthejë mbrapsht vendime me karakter individual, pasi nuk ia jep ligji këtë të drejtë. Ne ia dërguam atij vendimin thjesht që ai të njihet me të”, deklaroi Bajram Himallari.
Nga ana e tij, prefekti i qarkut Dibër, Genci Sharku, e pranon se nuk e ka konfirmuar vendimin e Këshillit të Komunës

Kala e Dodës për shpalljen “Qytetar Nderi” të Hekuran Dedës, por mohon që ky vendim i

tij ka prapavijë politike. Sipas Sharkut, vendimi i Këshillit të Komunës nuk është marrë brenda rregullave dhe se anëtarët e Këshillit nuk janë mbledhur në një mbledhje normale, por vendimi është marrë me firmat e këshilltarëve. Sharku tha gjithashtu se nuk është kompetencë e tij moskonfirmimi i vendimeve me karakter individual, por meqenëse ky vendim ka mbërritur në Prefekturë është kthyer për plotësim të dokumentacionit dhe zbatimit të ligjit për funksionimin e pushtetit lokal. “Vendimi është marrë në kundërshtim me ligjin, pasi nuk ka pasur një mbledhje të Këshillit Komunal, por janë mbledhur firma. Pra, është shkelur procedura e marrjes së vendimit. Po ashtu, zyra juridike ka vërejtur se ka probleme të plotësimit të dokumentacionit të kërkuar për shpalljen “Qytetar Nderi”. Prefekti tha disa herë se nuk ishte e nevojshme që ky vendim të mbërrinte në Prefekturë, por këmbënguli se në rastin e shpalljen “Qytetar Nderi” të Hekuran Dedës janë shkelur procedurat ligjore dhe se Këshilli Komunal duhet të zhvillojë një mbledhje tjetër, brenda kushteve ligjore. Ky fakt kundërshtohet nga kryekomunari Himallari, sipas të cilit vendimi ka qenë i përbashkët dhe nuk do të ketë më rishqyrtim të kësaj çështjeje.
Prefekti firmosi për Topin
Pak muaj më parë, prefekti i qarkut Dibër konfirmoi vendimin e Këshillit Bashkiak Burrel për shpalljen “Qytetar Nderi” të Presidentit Bamir Topi. Vendimi për Topin, i cili gjithashtu kishte karakter individual, u ndërmor nga pushteti vendor në nëntor të vitit të shkuar. Ai u miratua nga Këshilli Bashkiak i Burrelit, i cili ka shumicë të këshilltarëve të djathtë, pavarësisht se bashkia drejtohet nga socialistja Adelina Farriçi. Pas këtij vendimi mësohet se prefekti Sharku ka dhënë miratimin e tij për Presidentin Topi. Pritet të vazhdojë debati për titullin e Hekuran Dedës, për të cilin komuna kërcënon deri me dërgimin e çështjes në gjykatë.
DIBER/ HASAN PASHA
© Panorama.al











