Prapaskenat, ja si iku Fabio Kapelo

Feb 10, 2012 | 11:55

Fabio Kapelo

Bernshtain: Ishte zgjedhja e tij, nuk e shkarkoi federata.

Sa shumë e paskan urryer Fabio Kapelon. Përveç shtypit që është ndjerë i çliruar 24 orë pas dorëheqjes së 65-vjeçarit nga stoli i Anglisë, presidenti i Federatës, Dejvid Bernshtain, ka bërë publike prapaskenat e largimit të teknikut. Ai këmbëngul se nuk i ka kërkuar trajnerit të dorëhiqet. “Ne të gjithë besonim se procesi gjyqësor për racizëm ndaj Territ do të zgjidhej diku nga muaji mars apo prill, por kur u vendos të shtyhej, atëherë bordi vendosi heqjen e shiritit të tij dhe atë (Kapelon) e informuam të enjten në mbrëmje. Lajmin e bëmë zyrtar mëngjesin e së premtes. Kapelo nuk ishte i lumtur, por e pranoi atë. Ndërsa dy ditë më pas (të dielën) doli në një intervistë, e cila shkaktoi debat publik”. Numri një i FA-së nuk flet për ngritje tonesh gjatë takimit të së mërkurës dhe pohon se palët u ndanë miqësisht: “Dua ta falënderoj publikisht Fabion për të gjithë punën dhe kualifikimin në Europian. Ai u soll me dinjitet dhe nder. Gjithçka përfundoi me një shtrëngim duarsh dhe nuk janë të vërteta ato që lexoni në media, se gjoja u ngritën zërat. U takova me të dhe ai më ofroi dorëheqjen. E pranova, sepse ishte vendimi më i drejtë. Gjithçka përfundoi pas 4 orësh. Sigurisht që të vjen keq kur një trajner largohet kështu. A mund të shmangej? Nuk e di. Ishte ai që vendosi të largohej. Nuk pati as presione, as ultimatume dhe as kërkesë llogarie nga ana jonë. As nuk e nxitëm dorëheqjen. E kuptova që kur erdhi në zyrë. E kishte vendosur”.

Stjuart Pirs merr stolin e Anglisë
FA zyrtarizoi trajnerin e 21-vjeçarëve, Stjuart Pirs, provizorisht në stol. Ai do ta udhëheqë Anglinë në miqësoren me Holandën, më 29 shkurt. “Ishte ndihmësi i Kapelos dhe e njeh më mirë se kushdo tjetër Kombëtaren. Mos u merakosni, Anglinë e kemi në duar të sigurta. Nuk do të nxitohemi për trajnerin e ri. Ne duam që të jetë anglez, por ai nuk do të jetë domosdoshmërish i tillë”, – përfundoi shefi i Federatës, i cili pranoi se nuk ishte penduar kurrë që shpenzuan aq shumë për Kapelon.

© Panorama.al

Te lidhura