Prapaskenat e vizitës së Topit në Greqi në 2007

Aug 30, 2011 | 10:36

Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, ka informuar Uashingtonin në fundin e vitit 2007 mbi lëvizjet diplomatike shqiptare dhe për ndikimin grek dhe italian në Shqipëri.Ai përshkruan vizitën e parë të Presidentit Topi në Greqi, që sipas tij, u prit me nderime të mëdha. Por, sipas ambasadorit Withers, kjo vizitë vuri në lëvizje shtetin italian dhe pas pesë ditësh në Shqipëri erdhi Romano Prodi, i trembur nga rritja e ndikimit grek në Shqipëri. “Athina mirëpriti Presidentin Bamir Topi në vizitën e tij të parë në Greqi në nëntor 2007. Ai ishte i shoqëruar nga një delegacion i gjerë me politikanë e biznesmenë dhe dha impakt pozitiv për shumë çështje tensioni që kanë dy vendet. Topi dhe këshilltari i tij diplomatik ishin çuditur nga pritja e Presidentit grek me trupa nderi të ushtrisë greke. Kjo vizitë ishte madhështore duke filluar nga një përcjellja me avion ushtarak grek në hapësirën e shtetit helen deri te rrugët e veshura me flamuj shqiptarë”, thuhet në kabllogram. “Takimi zyrtar me Presidentin grek, Karolos Papulias dhe Kryeministrin Kostas Karamanlis, u përqendrua te çështjet bilaterale dhe rajonale, e mbuluar gjerësisht në mediat lokale, duke përfshirë edhe rritjen e bashkëpunimit në sektorin ekonomik, të sigurisë, doganat dhe edukimi. Pak u tha publikisht për temat më të ndjeshme, si statusi i Kosovës, anëtarësimi në NATO dhe popullsitë minoritare reciproke. Presidenti Papulias miratoi rrugën e integrimit të Shqipërisë në NATO duke thënë se ‘Greqia mbështet në mënyrë të qëndrueshme rrugën europiane të Shqipërisë dhe kursin e saj euroatlantik, për të forcuar më tej stabilitetin në rajon dhe më gjerë’. Ai pranoi një ftesë nga Topi për të vizituar Shqipërinë”. Më tej, ambasadori amerikan në vendin tonë raporton se Kryeministri Karamanlis u zotua për ratifikimin nga Greqia të MSA-së. “Udhëtimi i Topit është një tjetër shembull për lobim ndërkombëtar të Shqipërisë për Samitin e NATO-s në Bukuresht. Tensionet mes Shqipërisë dhe Greqisë ikin dhe vijnë, veçanërisht në çështje kyçe të tilla si të drejtat e pakicave dhe marrëdhëniet rajonale”, shkruan Withers.
“Të gjithë sytë nga Roma”
Në një kabllogram tjetër, Withers flet për vizitën e Prodit në Tiranë dhe marrëveshjet që u nënshkruan, duke u përqendruar në fushën e energjisë. “Kryeministri italian, Romano Prodi, e vizitoi Tiranën më 3 dhjetor për takime me qeverinë dhe me zyrtarë të opozitës. Kjo ishte vizita e pestë e zotit Prodi në Shqipëri, por e para e një ministri themelues të BE-së si Kryeministër. Diskutimi u përqendrua në anëtarësimin në NATO dhe proceset integruese në BE, bashkëpunimin bilateral dhe të ardhmen e Kosovës. Prodi dhe Kryeministri Berisha kryesuan nënshkrimin e tre marrëveshjeve dypalëshe në Drejtësi, Arsim dhe sektorin energjetik. Pas vizitës së Presidentit Topi muajin e kaluar në Greqi, thuhet se vizita e Prodit mund të jetë një balancim për rritjen e ndikimit grek në ekonominë shqiptare. Kompania italiane energjetike ‘ENEL’ dhe Ministria shqiptare e Ekonomisë nënshkruan një marrëveshje për të ndërtuar një termocentral. Prodi inkurajoi bashkëpunimin më të thellë në sektorin e energjisë, duke përfshirë ndërtimin e gazsjellësve dhe linjave të transmetimit të energjisë elektrike. Ai gjithashtu konfirmoi angazhimin e qeverisë së tij për ndërtimin e Korridorit VIII”, informoi Withers Uashingtonin.

Thaçi

WikiLeaks ka publikuar një raport mbi vizitën e Hashim Thaçit në vendin tonë në vitin 2008. “Pritja e ngrohtë e Berishës për Thaçin sqaron supozimet prej shumë kohësh se ata kishin një marrëdhënie jo të mirë me njëri-tjetrin. Takimi i Thaçit me liderin socialist Rama dhe mbështetja e Thaçit për Ramën si një lider i së ardhmes, ka konfirmuar se lidhjet mes këtyre dy të fundit mbeten të forta”, thekson raporti.

Ahmetaj

Në një kabllogram të vitit 2008 për takimin mes Berishës dhe Ali Ahmetit në Tiranë, thuhet se “ndërsa Kryeministri shqiptar është zhytur në një krizë të brendshme pas shpërthimit të Gërdecit, takimi i tij me Ahmetin dhe deklarata e mëparshme në mbështetje të marrëveshjes së arritur mes PDSH dhe Kryeministrit maqedonas tregon interesin e  vazhdueshëm personal të Berishës dhe angazhimin e  tij në zhvillimet e skenës politike shqiptare në Maqedoni”.

SHBA: Berisha përdor të përndjekurit për vota

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë shikon me sy kritik nismat e qeverisë për kompensimin e të përndjekurve politikë apo rritjen e pagave dhe pensioneve.Përmes dy raporteve, në dhjetor 2008 dhe qershor 2009, ish-ambasadori amerikan në vendin tonë, John Withers, i raporton Uashingtonit për vendimet e Këshillit të Ministrave në këto dy drejtime.
Të përndjekurit
Më 3 qershor, ish-kreu i Diplomacisë së SHBA-ve në Shqipëri ka dërguar një raport në Departamentin e Shtetit, ku e informon për faktin se Këshilli i Ministrave ka miratuar listën e dytë me emrat e të përndjekurve që do të përfitojnë nga dëmshpërblimi që ka akorduar qeveria. Por, sipas Withers-it, ky dëmshpërblim ka filluar të jepet pak javë para zgjedhjeve, duke konfirmuar se në këtë periudhë gjithçka është politike. “Më 28 maj, qeveria shqiptare ka publikuar listën e dytë të individëve, të cilët u persekutuan nën regjimin komunist dhe kanë të drejtë për kompensim nga shteti. Listat u përgatitën nga Ministria e Drejtësisë dhe u aprovuan nga Këshilli i Ministrave dhe janë tani në duart e Ministrisë së Financave, e cila është përgjegjëse për ndarjen e kompensimit. Pas 17 vitesh, ky grup i pafat mund të marrë më në fund disa kompensime për dënimin dhe dhimbjen që kanë duruar gjatë regjimit komunist. Kompensimi, në këtë pikë, për shumë nga viktimat mund të duket i vogël, por është e rëndësishme për qeverinë dhe Shqipërinë si një e tërë, në përpjekje për t’u përballur me të kaluarën e vet, dhe ky është një hap i vogël në këtë drejtim”, thuhet në raport. Sipas Withers, “fakti që listat janë publikuar më pak se gjashtë javë përpara zgjedhjeve dhe pagesat filluan duke u bërë disa muaj para zgjedhjeve, nuk është befasi e madhe, duke pasur parasysh faktin se çdo gjë është politike këto ditë. Kryeministri Sali Berisha dhe Partia Demokratike i ka parë prej kohësh viktimat e regjimit komunist si një pjesë e rëndësishme e bazës së saj. Kushdo qofshin arsyet për veprimet e qeverisë shqiptare, shumë marrës, të paktën janë relativisht të kënaqur me pagesat”.
Rritja e pagave
Të njëjtin vlerësim, ish-ambasadori amerikan ka pasur edhe më herët, më 17 dhjetor 2008, kur ka njoftuar Departamentin mbi vendimin e qeverisë për rritjen e rrogave. “Është shumë më e lehtë të fitosh mendjet dhe zemrat e njerëzve kur  kontrollon se çfarë po ndodh me xhepat e tyre. Ky buxhet është qartësisht i dizajnuar për t’i dhënë partisë në pushtet, PD-së, një avantazh këtë verë. Megjithatë, ka shumë pikëpyetje se çfarë mund t’i pengojë planet e PD-së dhe të shkaktojë efekte në strategjinë e tyre”, thuhet në komentin e Withers. “E panjohura më e madhe është efekti i krizës globale ekonomike, e cila mund të pengojë qeverinë të ecë përpara me pagesat e rrugës Durrës-Kukës dhe mundësinë e zhvlerësimit të detyruar të lekut. Mundësitë e energjisë elektrike mund të shkaktojnë gjithashtu probleme. Ndërsa rezervuarët po mbushen për shkak të shirave të dendur gjatë kohëve të fundit, nëse ato ndalojnë, blackout-et mund të bëhen të zakonshme gjatë pranverës. Së fundi, meqë programi i FMN-së përfundon në fund të vitit 2008, nuk do të ketë asnjë për të kontrolluar shpenzimet e qeverisë, e cila mund të tejkalojë sasitë e buxhetit në zona ku votat janë kritike”.

Sollaku

Sipas ish-ambasadorit, kryeprokurori Theodhori Sollaku u hoq nga Presidenti falë edhe një konsensusi politik mes palëve për t’i dhënë fund ngërçit. “Miratimi nga Presidenti do t’i jepte fund një përpjekjeje dyvjeçare të qeverisë për të hequr Sollakun. Por ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ra dakord për të dëgjuar rastin e Sollakut për shfuqizimin e rekomandimit të Kuvendit në nëntor. Veprimet për këto zhvillime do të merren mes një konsensusi për të gjitha palët politike, për t’i dhënë fund bllokimit të zyrës së kryeprokurorit dhe qeverisë”, thotë kabllogrami që mban firmën e Withers-it.

Pensionet

Në një tjetër kabllogram flitet edhe për reformën e pensioneve, të anonçuar nga ministri i Financave, Ridvan Bode, në bashkëpunim me Bankën Botërore, e cila përmbahet nga tri shtylla kryesore. “Sistemi shqiptar ka nevojë për të adresuar dy çështje madhore: niveli i ulët i përfitimeve që ajo ofron dhe qëndrueshmërinë aktuale të sistemit financiar jo të besueshëm. Gjatë viteve të fundit, qeveria ka rritur pagesat e pensioneve në kuadër të zbutjes së  varfërisë. Megjithatë, përfitimet e pensionit janë ende të pamjaftueshëm për të siguruar kushtet bazë të jetesës, veçanërisht për ato në zonat rurale”, thuhet në kabllogramin e Ambasadës, ndërsa shton se reforma është e pashmangshme.

Raportet e Berishës me shqiptarët e Maqedonisë

Sipas amerikanëve në Tiranë, Kryeministri Berisha po mban raporte të njëjta me të dyja forcat politike shqiptare në Maqedoni. “Takimet e mëparshme në këtë muaj me Menduh Thaçin dhe tani Ahmetin, tregojnë gjithashtu se qeveria shqiptare nën drejtimin e Berishës po vazhdon politikën e qeverive të mëparshme shqiptare në vitet e fundit për të ruajtur marrëdhënie barazisht të mira me dy partitë kryesore politike shqiptare në Maqedoni”.

Shqipëria nukleare alarmoi fqinjët

Ish-ambasadori e informoi Uashingtonin edhe për propozimin e Kryeministrit Berisha për të ndërtuar një central nuklear në Shqipëri. Sipas tij, ky propozim alarmoi Greqinë dhe Malin e zi, por vuri në lëvizje Italinë, e cila e pa si një mundësi reale për të ndërhyrë. “Propozimi alarmoi Greqinë dhe Malin e Zi, por tregoi interesin e Italisë. Europarlamentari grek, Kopa, ngriti zërin, ndërkohë që Presidenti malazez, Vujanoviç, vuri në dukje se qeveria e tij do më shumë informacion rreth këtij propozimi kontraversal të Berishës. Në Itali, ky propozim shihej ‘si një shans që nuk duhej humbur’. Çështja pritet të jetë pjesë e axhendës italiane të Kryeministrit Prodi gjatë vizitës së tij të ardhshme muajin tjetër në Shqipëri”, shkruan Withers për Uashingtonin.

Te dhena nga wikileaks

26 gusht 2008
Ndryshimet në kabinet
Pas disa muajsh spekulimi në media, Kryeministri Berisha, më 23 korrik paraqiti te Presidenti Topi propozimet për kabinetin e tij: Këto ndryshime duket se nuk janë asgjë më shumë se sa përpjekje e Berishës për të kënaqur disa nga partnerët e tij të koalicionit dhe për ta vendosur veten në një pozicion më me avantazh në partinë e tij për zgjedhjet e 2009-s. Ne nuk kemi asnjë arsye për të besuar se ndryshimet në kabinet do të kenë ndonjë efekt në vazhdimësinë e politikës pro amerikane të Shqipërisë.

10 shkurt 2010
Kompensimi i viktimave të trafikimit
Gjatë tre muajve të fundit, qeveria shqiptare ka lançuar disa iniciativa të reja për të përshpejtuar momentin që humbi në fundin e pjesës së dytë të vitit 2009, gjatë fushatës elektorale. Mes këtyre iniciativave është kompensimi i viktimave të trafikimit, të cilat janë të llogaritura për shërbimet sociale. Ato do të marrin asistencë nga shteti. Zhvillimet janë të nevojshme për ndihmën e viktimave.

27 janar 2010
Promovimi i produkteve amerikane
Ambasada është konsultuar me agjenci të shumta, partnerë lokalë dhe të tjerë për të zhvilluar një propozim që zgjeron konsiderueshëm informimin për komunitetin e biznesit dhe rrit mundësitë për të promovuar produktet e SHBA në Shqipëri. Shqipëria importon katër herë më shumë se sa eksporton. Ndërsa vëllimi i përgjithshëm tregtar është 5 miliardë dollarë në vit, firmat amerikane kanë ekspozim të kufizuar në Shqipëri, pavarësisht nga një vlerësim i fortë i mallrave amerikane dhe një kurs i favorshëm këmbimi dollar-euro. Shqiptarët flasin anglisht mirë dhe mbeten jashtëzakonisht mbështetës të politikave amerikane.

28 janar 2009
Me fat për energjinë
Shqipëria pati fat. Ndërsa shirat po mbushin rezervuarët, kriza globale e ekonomisë uli çmimet e elektricitetit në treg në rajon. Edhe një dimër i butë ka ulur kërkesat në vend. Balanca e Shqipërisë në pagesën e deficitit, që ka shqetësuar FMN-në, po bëhet më pak kërcënim për Shqipërinë, ndërsa importet e energjisë në vend kanë rënë. Ndërsa eksportimi i energjisë në Greqi duket se po ndihmon shumë në dorën “parazgjedhore”, Shqipëria duket në rrugën e duhur. Sa për vlerësimet afatgjata, Shqipëria fatkeqësisht varet rrezikshmërisht nga moti për furnizimin me energji deri kur burimet johidroelektrike të fuqisë të sillen online.

12 janar 2009
Rreziku i gazit rus
Shqipëria, në një farë mënyre, izolohet nga efektet e menjëhershme të krizës së gazit ruso-ukrainas, pasi Shqipëria nuk importon gaz natyror. Megjithatë, rritja e kostos së karburantit dhe energjisë në rajon mund të krijojë probleme për një ekonomi të paprekur nga kriza globale financiare, por pjesërisht varet nga importi i energjisë. Një e mirë e mundshme për Shqipërinë nga kriza e gazit mund të vijë nga vendosmëria e vendeve të BE-së, kryesisht Italia, që LNG (Gazi Natyror i Lëngshëm) të ketë terminale në Shqipëri duke siguruar kapërcim për kriza të tjera të ardhshme gazi.

Arvizu: “S’e komentojmë WikiLeaks, çdo gjë që publikohet, e dëmshme”

Arvizu dhe Haxhinasto

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, kërkoi dje nga klasa politike shqiptare një konsensus kombëtar për procesin e integrimit të vendit. “SHBA mbështesin fuqimisht përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim. Ajo që ka rëndësi për integrimin është një konsensus kombëtar i nevojshëm. Ajo që do të shtoja është që modalitetet specifike, kuptohet që i përkasin Shqipërisë dhe vendeve anëtare. Shqipëria është një vend sovran dhe procesi i integrimit ka të bëjë mes palëve. Por, për arritjen e këtij synimi duhet patjetër një konsensus kombëtar. Qeveria është njëra palë, por në këtë kuadër duhet të ketë unifikim të qëndrimit dhe me këtë unifikim, objektivat janë shumë të arritshme”, u shpreh Arvizu. Këtë deklaratë, ambasadori amerikan e bëri gjatë një takimi në Ministrinë e Jashtme me shefin e Diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto. I pyetur rreth publikimeve të fundit të WikiLeaks rreth shkëmbimeve të informacioneve të paraardhësit të tij, John Withers, për situatën në Shqipëri, ambasadori amerikan në Tiranë nuk bëri asnjë koment. “Ne nuk bëjmë asnjë koment se çfarë publikohet nga WikiLeaks. Çdo gjë që publikohet atje është e dëmshme dhe ne nuk komentojmë asgjë”, u shpreh Arvizu. Pas takimit me ambasadorin Arvizu, ministri i Jashtëm, Haxhinasto, tha se në qendër të bisedës së tyre ishin proceset integruese të vendit. “Folëm për situatën politike në vend, për nevojën e një pakti kombëtar për integrimin, i cili do të ketë si objektiv kryesor zbatimin e planit kombëtar për dymbëdhjetë prioritetet. Kjo do të thotë që të gjitha palët e politikës të angazhohen në një proces të pakushtëzuar për të respektuar dhe për të zbatuar pikërisht ato prioritete që ka vendosur BE-ja përpara Shqipërisë dhe shqiptarëve; kjo edhe në frymën e rekomandimeve të raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit”, u shpreh Haxhinasto.

 

© Panorama.al

Te lidhura