Pranvera arabe

Aug 16, 2011 | 9:56

ILIR KALEMAJ

Seria e revolucioneve cedar, që ndoqi ato të revolucioneve rozë dhe të kadifenjta në ish-republikat sovjetike, nga Kaukazi në Azinë Qendrore, pas suksesit fillestar në Tunizi dhe Egjipt, u dorëzua thuajse pa zhurmë në Bahrein, ku një pakicë suni qeveris popullatën shite, ka çuar drejt një situate paradoksale në Jemen, ku Presidenti Saleh mbahet me paterica, u lëkund ndjeshëm në Libi, ku kolonel Gedafi vazhdon të rezistojë mes frikës që do të prodhojë kaosi i shkaktuar nga largimi i tij dhe është në një situatë disi sureale në Siri, ku Bashar Al-Asadi po përpiqet të mposhtë brutalisht revoltat popullore përpara ndërhyrjes në shkallë të gjerë të ndërkombëtarëve. Është fakt që vendet e Lindjes së Mesme, ashtu sikundër ato në kontinentin afrikan, kanë vuajtur në periudhën paskoloniale nga fakti që kufijtë e tyre kombëtarë u vunë sipas oreksit të Fuqive të Mëdha, duke mos marrë parasysh as vija etnike, as fetare, tribale apo komunitete gjuhësore. Për rrjedhojë, ndarjet dhe skizmat shoqërore ishin dhe ngelen shumëdimensionale, ndërkohë që faktorët që i bashkojnë dhe boshti i përbashkët janë në mungesë. Këto vende ndryshojnë nga modeli franko-gjerman që është i përhapur edhe në Europën Lindore, që është ndërtuar mbi konceptin e një lineariteti vijimësor, ku shteti ndërtohet mbi kombin, i cili, nga ana e tij, simbolizon një vijueshmëri natyrale nga grupi i njëjtë etnik dhe ku fjala që e përshkruan ka nja ngarkesë simbolike që ndërlidh konceptin e familjes me atë të kombit-shtet, pra fjalë të tilla si: “atdhe” apo “mëmëdhe”. Apo nga modeli i vendeve “anglosaksone”, të cilat kanë ndërtuar konceptin e “homeland”, që në një përkthim të lirë do të thotë tokë e përbashkët, ku gjithkush ndjehet si në shtëpi, pra koncepti gjithëpërfshirës i qytetarisë që bashkon pavarësisht vendit të origjinës apo diversitetit fetar, kulturor e me radhë.
Për këto vende është karakteristikë një thënie e lashtë e beduinëve arabë, që thotë: “Unë dhe vëllai im kundër kushëririt; unë, vëllai dhe kushëriri kundër të huajit”. Kjo thënie, që mbërthen kuintesencën e mendimit tribal dhe lokalizon ndjesinë e besnikërisë te unitete sa më të ngushta shoqërore, vihet në zbatim atje ku mungon njëfarë uniteti apo ideali kombëtar, i cili ka aftësinë të përbashkojë përtej këtyre ndasive me bazë primordiale.
Vendet arabe dhe ato të Lindjes së Mesme vetëm së fundi po eksperimentojnë lëvizje më frymë nacionaliste dhe që kanë në mos si pikësynim interesin kombëtar dhe si pikëmbështetje tabanin kombëtar dhe jo thjesht pakënaqësi lokale që prekin një pjesë të vogël të popullatës. Shumë nga këto vende janë udhëhequr prej kohësh nga një pakicë që ka instaluar një regjim autokratik. Përmendim këtu regjimin e Sadam Huseinit në Irak, i cili ishte i bazuar në pakicën suni dhe rajonin e Tikritit, apo Al-Asadët, të cilët përfaqësojnë sektin Alawi, një skizëm të myslimanëve suni, të cilët përbëjnë një veçanti vetëm të Sirisë, ashtu sikundër Druzhët në Libanin fqinjë, apo rasti i Bahreinit që u përmend më sipër. Qeverisja me dorë të hekurt nga këto pakica që instaluan regjime diktatoriale të bazuara në shpërndarje favoresh dhe nepotizëm klanor kanë prodhuar një valë të gjerë protestash, të cilat janë shtypur gjakësisht kohë pas kohe.
Më në fund duket se kombinimi i mjeteve alternative të informimit (new media), e cila ndërthur teknologjinë më të fundit me shpërhapjen poshtë-lart të informacionit, ka prodhuar ambientin e nevojshëm dhe nxitës për shpërthim të revoltave demokratike, të cilat synohen të shtypen dhunshëm nga diktatorët dhe autokratët që kanë ngelur pa u përmbysur në këtë rajon që së bashku me Ballkanin ka prodhuar gjithnjë më tepër histori se ç‘mund të konsumojë. Diku ky proces ka rezultuar i suksesshëm (Tunizi, Egjipt), me gjithë fazën e hallakatur të tranzicionit që po vijon, diku ka ndaluar qysh në embrion (rasti i Bahreinit apo edhe Arabisë Saudite, ku mbreti i vendit nisi të zbatonte një varg politikash populiste për të parandaluar shfaqje të ngjashme). Kuptohet, këto të fundit janë ndihmuar edhe nga një politikë me dy korsi, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë interesa strategjike në rajon.
Nga ana tjetër kemi edhe rastet anames, si rasti i Libisë, ku një iniciativë e NATO-s, udhëhequr nga Franca dhe Britania, por me mbështetjen e pakursyer të amerikanëve, po përpiqen të mbajnë gjallë shpirtin luftarak të rebelëve duke bombarduar Tripolin në të njëjtën kohë që u dërgon ndihmë trupave opozitare. Edhe në Siri, së fundi, sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, u ka bërë thirrje disa vendeve për të ndaluar blerjen e naftës dhe gazit nga Siria, në mënyrë që të bëhet trysni ndaj Presidentit Bashar al-Assad, për të ndalur shtypjen brutale të protestuesve, si dhe për të parandaluar përsëritjen e skenarit gjakatar që bëri i ati i tij, Hafiz Al-Asad, ku vrau rreth 40 000 mbështetës të Vëllazërisë Myslimane në qytetin e Hafas, rreth tri dekada më parë. Sekretarja Klinton u është drejtuar gjithashtu Kinës, Indisë, dhe disa vendeve europiane të vendosin sanksione për energjinë, ndërsa i ka kërkuar Rusisë të ndalë shitjen e armëve në Siri, ndërsa Obama ka kërkuar së fundi dorëheqjen pa kushte të Presidentit Al-Asad. Konsensusi ndërkombëtar rreth Sirisë apo Libisë është ku e ku më i lehtë për t‘u arritur sesa në rastin e Iranit, ku Rusia dhe Kina kanë interesa të forta ekonomike, që variojnë nga kontratat për ndërtimin e reaktorëve nuklearë te nafta dhe gazi natyror, për të cilat Irani është ndër eksportuesit kryesorë në botë. Suksesi apo dështimi i efektit domino është dhe kyçi që do të përcaktojë fatin e pranverës (së vonuar) arabe.

© Panorama.al

Te lidhura