Pranimet në universitete, Kule: Të kthehen konkurset

Jul 3, 2012 | 13:30
Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule

Rikthim të konkur-seve në universitete. Pas arrestimit të mësueseve dhe kapjes së nxënësve me  kopje gjatë provimeve të maturës, rektori i Universitetit të Tiranës e cilësoi këtë proces problematik, duke kërkuar ndryshimin e tij. Provimet e maturës, sipas tij, duhet të jenë vetëm kusht për mbylljen e shkollës së mesme. “Procedura e pranimit ka nevojë të bëhet njësoj si në vendet e tjera europiane. Çdo vit raportohen pas  procesit të korrigjimit se  janë verifikuar shqetësime dhe kopje. Ndërkohë, është shumë e rëndë të dëgjojmë për arrestim të mësuesve. Po arriti puna deri tek arrestimi i mësuesve, do të thotë se puna nuk çalon tek ata, por tek i gjithë procesi”, tha Kule. Matura Shtetërore, sipas tij, duhet të mbyllë ciklin e shkollës së mesme, ndërsa pranimi në universitete duhet t’u lihet këtyre të fundit. “Në shkollën e mesme të japim impaktin dhe të zbulojmë ata nxënës që kanë prirje për të shkuar në shkolla të ndryshme. Ky cikël të mbyllet me provimet. Kriteret për pranimin në shkollë të lartë t’u lihen universiteteve”, tha Kule.
Skandalet e konkurseve
Matura Shtetërore ka 6 vjet që aplikohet si proces pranimi në shkollat e larta. Pavarësisht rasteve të kopjeve, nuk është raportuar ndonjë skandal me dhënien e parave nën dorë për të nisur universitetin. Këto praktika ishin të përhapura kur konkurset bëheshin nga fakultetet. Sidomos në degët më të kërkuara tarifat ishin disamilionëshe. Shitjet e tezave dhe blerja e shkollës së lartë ishte një nga format më të përhapura për të siguruar një diplomë universitare. Në këtë mënyrë, sekserë, pedagogë e dekanë pasuroheshin me një formë të pastër korrupsioni. Ishte kjo arsyeja, pas shumë debatesh, që u vendos të ristrukturohej krejtësisht skema e pranimeve në universitete.
Kopjet e Maturës 2012
Nga vetë krerët e Arsimit, Matura Shtetërore është cilësuar si një proces transparent. Pas skandalit të ditëve të fundit, Ministria e Arsimit, ndonëse pranoi kopjet në provim, i quajti ato raste sporadike kundrejt punës voluminoze që është bërë për të administruar procesin. Sipas MASH-it, në të gjitha shkollat e mesme kishte 5000 administratorë, por monitorimi i procesit është i pamundur të jetë tërësisht brenda kontrollit. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve u shpreh se për nxënësit dhe administratorët do të ketë penalizime individuale. Një pjesë e maturantëve rrezikojnë skualifikimin, duke humbur kështu mundësinë për t’u pranuar në universitete. Pas deklarimit të rezultateve të larta në provimet me detyrim, procesi i Maturës Shtetërore u përfshi nga skandali ditën kur u dhanë lëndët me zgjedhje. Nxënës të shkollave të ndryshme të vendit kanë përdorur telefonat celularë duke kërkuar ndihmë në Facebook, madje duke postuar edhe tezat. Përveç 4 mësueseve të arrestuara për abuzim gjatë provimit, Ministria nuk ka ende asnjë maturant të identifikuar për shkelje. Pritet korrigjimi i testeve dhe verifikimi nga Komisioni, i cili më pas do të marrë masat ndëshkuese.

Mbetësit
Rreth 3000 maturantë deri tani janë të përjashtuar automatikisht nga provimet e Maturës Shtetërore. Dy mijë nxënës kanë mbetur në provimet e detyruara, ndërsa 1000 të tjerë nuk arritën të bëheshin fare pjesë e procesit, pasi ishin rrëzuar në një prej lëndëve të tjera të gjimnazit. Priten rezultatet e provimeve me zgjedhje, korrigjimi i të cilave ka nisur dje. Me rritjen e numrit të mbetësve shtohen shanset për pjesën tjetër të maturantëve që garojnë për në shkollat e larta.

Formulari A2
Këtë javë do të publikohet formulari A2. Për herë të parë këtë vit maturantët do ta plotësojnë online. Me anë të tij ata zgjedhin 10 preferencat e shkollës së lartë. Plotësimin e formularit A2 nxënësit do ta bëjnë vetëm pasi të kenë marrë edhe notat e lëndëve me zgjedhje. Me rezultatet e të gjithë komponentëve të maturës, ata do të llogarisin pikët sipas formulave me koeficientet përkatës për profilin e shkollës dhe universiteteve.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura