Pranga tre studentëve, kapen me 7 kg marijuanë

Jun 14, 2011 | 14:34

GJIROKASTËR- Tre studentë nga kryeqyteti, kapen me marijuanë nga Policia e Gjirokastrës në tentativë për ta përcjellë drejt Tiranës. Shtatë kg marijuanë e sekuestruar dhe prangosja e transportuesve të saj, është bilanci i aksionit të ndërmarrë mbasditen e të hënës nga ana e Sektorit Kundër Narkotikëve në Policinë e Gjirokastrës. Deni Cela, 22 vjec student i vitit të tretë në Akademinë e Arteve të Bukura për skulpturë në Tiranë, Eduart Ferraj 21 vjec dhe Albi Daja 20 vjec student i vitit të dytë për Shkencat Sociale në Universitetin e Tiranës, janë tre të rinjtë të cilët kishin marrë përsipër, transportin e marijuanës nga Gjirokastra në Tiranë.

Uniformat blu, kanë vëzhguar nga larg, lëvizjen e mjetit së bashku me tre të rinjtë studentë kryeqytetas deri në km e 18 në vendin ku qëndron Postblloku i Policisë në zonën e Parkut Natyror të “Ujit të Ftohtë”. Sapo i janë afruar postbllokut, të rinjtë Cela dhe Ferraj me qëllim shmangien e kontrollit fizik të automjetit, kanë zbritur duke marrë drejtimin me këmbë në pyll së bashku me një çantë shpine brenda të cilës kishte marijuanë. Kjo lëvizje, është ndjekur nga specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve të cilët u kanë bërë thirrje të rinjve të ndalojnë.

Po këta të fundit, të frikësuar, nuk janë përgjigjur dhe menjëherë u larguan me shpejtësi. Ndjekja e tyre nga policët, ka zgjatur për disa minuta deri sa dy të rinjtë kur e panë të pamundur të vazhdonin rrugëtimin me cantën e drogës, e braktisën atë në një lëndinë dhe zbritën në drejtim të rrugës nacionale në afërsi të stabilimentit të “Ujit të Ftohtë” Tepelenë.

Plani i tyre “B” për të hipur në makinë që drejtohej nga shoku i tyre Albi Daja, dështoi, pasi Policia e Gjirokastrës, e kishte prangosur atë pak minuta më përpara. Pasi u janë vendosur prangat, tre të rinjtë janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut për veprime të mëtejshme. Tre të rinjtë mallin narkotik, e kishin siguruar në Lazarat por vlera e blerjes së saj, nuk është bërë e ditur nga policia.                 Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura