Pranga prostitutës, bënte shantazh me foto intime

Feb 4, 2012 | 11:57

DURRES/ I kërkoi 15 mijë euro. Kapet me bashkëpunëtorin “fotograf”

Gjuante për klientë me para dhe pasi kryente marrëdhënie seksuale me ta i fotografonte dhe u bënte presion atyre se nëse nuk i jepnin lekët që u kërkonte, fotot do t’ua dërgonte në shtëpitë e tyre. Sipas Policisë, Teki Syla, 39 vjeç, banues në Kukës dhe D.Sh., 48 vjeçe, banuese në Durrës janë arrestuar, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shtrënguar me anë të kanosjes për dhënie pasurie (shumën prej 15.000 eurosh) shtetasin kosovar D.K., 70 vjeç, me banim në qytetin e Kavajës. Burime nga Policia thanë se nuk është rasti i parë që këta persona kanë kanosur duke u kërkuar shuma të majme parash klientëve që ata siguronin. Me anë të një njoftimi, Policia e Durrësit ka bërë me dije se një grua me iniciale D.Sh. dhe bashkëpunëtori i saj u vinin gjobë klientëve të saj për të mos u publikuar fotot te familjarët dhe vetëm pasi t’u merrte lekët, i linte të qetë. Por i moshuari, përballë presionit dhe shumës së madhe të parave që i kërkoheshin, i është drejtuar për ndihmë Policisë së Durrësit, duke denoncuar çfarë i kishte ndodhur. Arrestimi i prostitutës dhe bashkëpunëtorit të saj është bërë mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 22:00. Sipas Policisë, arrestimi i tyre u bë pasi me datë 01.02.2012, rreth orës 18:00, në lagjen Nr.17 në Durrës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë kërkuar të moshuarit që në këmbim të fotove t’u jepte 15 mijë euro. Mësohet se historia kishte nisur disa kohë më parë kur 48-vjeçarja i është qepur pas 70-vjeçarit, pasi kishte pikasur se kishte para. Ndërkohë, në çdo takim i ndiqte nga pas Teki Syla, i cili kishte detyrën e fotografit. Sapo u është dhënë mundësia që të fotografojnë të moshuarin në vende intime, ata kanë nisur shantazhin ndaj tij, duke i bërë presion se fotot që kishte dalë së bashku me 48-vjeçaren do të dërgoheshin në familjen e tij. Ditët e fundit bashkëpunëtorët e kishin rritur presionin. Ata e merrnin në telefon dhe i bënin presion. I gjendur në këtë situatë, 70-vjeçari ka pranuar që të takohet me ta, por jo për t’u dhënë lekët, por për të diskutuar. Mësohet se të dyja palët kanë lënë si vend takimi për të biseduar një vend të fshehur, në Lagjen 17 të qytetit në afërsi të disa objekteve të vjetra dhe larg syrit të qytetarëve. Megjithëse kanë qëndruar për 30 minuta duke biseduar, i moshuari nuk ka pranuar që t’u japë lekët që i kërkonin. Ndërkohë që çifti i bashkëpunëtorëve i është betuar se të nesërmen familja e tij do të merrte një dhuratë (fotot). I moshuari nuk ka duruar dot më dhe i është drejtuar policisë së Durrësit për të bërë denoncimin. Ai u ka treguar bluve të gjithë historinë se çfarë i kishte ngjarë dhe policia, duke u bazuar tek dëshmia e tij, arrestoi në flagrancë bashkëpunëtorët që plaku akuzonte se i kishin bërë shantazh. Ndërkohë që Policia e Durrësit ka hapur hetimin edhe për raste të tjera të shantazhit të 48-vjeçares dhe bashkëpunëtorit të saj.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura