Pranga policit, kultivonte kanabis në oborr

Aug 20, 2011 | 10:13

GJIROKASTER- Kultivimi i kanabisit ka cuar ne pranga nje polic kufitar ne Gjirokaster. Ndalimi i tij u be gjate nje operacioni te koduar “Sera”, gjate te cilit efektivit iu gjeten 35 rrenje kanabis.  Pëllumb Isufati, polic kufitar është efektivi i parë që prangoset këtë vit, për kultivim të bimëve narkotike nga ana e Policisë së Gjirokastrës. Operacioni është ndërmarrë në orët e mbrëmjes së të premtes në qytetin e Libohovës në juglindje të Gjirokastrës.

Sasia e bimëve narkotike, ka qenë e mbjellë në bahcen e banesës së efektivit saktësisht tre metra larg objektit të banuar. Sasia më e madhe e marijuanës, kanë qenë e mbjellë brenda një sere të mbuluar me plastmas.  Në serë u gjetën 30 rrënjë kanabis të gjatësisë nga 170-190 cm. Pasi kanë tërhequr nga toka rrënjët me kanabis, policët rastësisht kanë gjetur edhe pesë rrënjë të tjera të kultivuara po në bahcenë e policit në mes të një parcele me misër. Lartësia e tyre varionte nga 190-230 cm dhe të gjitha bimët janë asgjesuar me anë të djegijes dhe disa mostra janë marrë në cilësinë e provës materiale.

Gjatë momentit të shkatërrimit të parcelës, polici Pëllum Isufati qëndronte në banesë dhe nuk ka kundërshtuar aksionin e ndërmarrë në shtëpinë e tij, madje as nuk i ka kundërshtuar veprimet e kolegëve të tij. Ai është shoqëruar në ambjentet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër për veprime të mëtejshme. Pas përfundimit të veprimeve fillestare hetimore të ndërmarra nga ana e specialistëve për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, këta të fundit arrestuan në flagrancë Pëllumb Isufatin 44 vjec banor i Libohovës me detyrë punonjës policie në Stacionin e Policisë Kufitare në Sopik pranë Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionion Gjirokastër.

Isufati është pezulluar menjëherë nga detyra dhe kanë nisur proceduart për përjashtimin e tij nga radhët e Policisë së Shtetit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme dhe ndaj 44 vjecarit rëndon vepra penale e kultivimit të bimëve narkotike.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura