
Prangoset për trafik ndërkombëtar droge kreu i komunës Rrethina në Shkodër. Kleves Muja, 38 vjeç, është arrestuar papritur mesditën e djeshme, ndërsa zbriste i qetë nga makina e tij, në qytetin e Shkodrës. Policia e Shtetit e bëri të ditur këtë fakt nëpërmjet një deklarate për shtyp, sipas së cilës, Muja kërkohej nga shteti italian prej 2 vitesh.
Arrestimi i Kleves Mujës, i zgjedhur në krye të komunës Rrethina një vit më parë, nën siglën e Aleancës për të Ardhmen u krye nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar në Policinë e Shtetit. Uniformat blu në aksion kishin në dorë fletën e urdhrit të arrestit, lëshuar për 38-vjeçarin nga Interpol Roma. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, mësohet se autoritetet italiane të Drejtësisë në qytetin e Barit kanë lëshuar ndaj Mujës urdhër-arrestin ndërkombëtar në datën 29 tetor 2010. Ndaj tij rëndon akuza e veprës penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, parashikuar nga nenet 309/90, si dhe nenet 81 dhe 110 të Kodit Penal italian. Në bazë të të dhënave të Policisë mësohet se procesi ndaj Mujës është në shqyrtim e sipër, por ndaj tij nuk është ndërmarrë ndonjë vendim i formës së prerë. Vetë Kleves Muja ka qarkulluar normalisht në qytetin e Shkodrës, ku banonte, si dhe në komunën Rrethina, të cilën e drejtonte prej më shumë se 1 viti. Fakti i shpalljes së tij si person i kërkuar ndërkombëtar është mbajtur sekret nga ana e Interpol Tiranës, derisa ia ka përcjellë dokumentet Policisë së Shtetit. Forca të Policisë nga Tirana zbarkuan dje në Shkodër dhe bashkë me ta organizuan aksionin për arrestimin e 38-vjeçarit. Rreth orës 13:00, kryetari i komunës Rrethina, një prej komunave më të mëdha në qarkun e Shkodrës, është përballur me
punonjësit e Policisë, të cilët i kanë komunikuar akuzën. Nga burime konfidenciale mësohet se Muja ka reaguar duke u shprehur se ishte ndonjë keqkuptim, por atij i është bërë i njohur urdhri i arrestit dhe akuza. Sipas Policisë, Kleves Muja është arrestuar, me qëllim ekstradimi drejt shtetit italian, bazuar në marrëveshjen e ratifikuar tashmë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe të Italisë. Në qarkun e Shkodrës, Muja nuk ka pasur asnjë precedent penal, çka ka bërë që ai të vihet në dispozicion të Drejtësisë italiane. “Maksimumi i dënimit, i parashikuar për këtë vepër penale është 20 vjet burgim”, bëri të ditur në njoftimin e saj Policia e Shtetit. Pas shoqërimit paraprak në Komisariatin e Shkodrës, ai është transferuar drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Pritet që ndaj Mujës të zhvillohet një seancë gjyqësore, ku do të mësojë masën e sigurisë deri në momentin e caktimit të datës së ekstradimit.
Angazhimi
Kryekomunari i Rrethinës, Kleves Muja, njihet dhe për angazhimin e tij politik nëpërmjet rrjeteve sociale. Ai disponon disa profile në rrjetin social “Facebook”, ku reagon për çështje të caktuara politike të ditës. Një prej tyre ishte dhe ai i 27 majit, ku Muja theksonte se “propozimi i PS-së drejtuar PD-së për të ngritur tryezën e dialogut mes të gjitha forcave parlamentare është e vetmja rruge për të shpëtuar statusin në BE”.
Komuna
Me gjithë urdhrin e arrestit dhe ndalimin nga pala shqiptare të Kleves Mujës, pozicioni i tij si kryetar i komunës Rrethina do të vazhdojë. Sipas ligjit, deri në momentin kur nuk ka vendim të formës së prerë, komuna Rrethina do të njohë si kryetar Kleves Mujën. Derisa në Gjykata italiane do të vendosë për të, komunën do ta drejtojë nënkryetari i saj. Në rast se Drejtësia italiane do të shprehet për dënimin e 38-vjeçarit mbi akuzën e ngritur, atëherë në komunë do të kryhen zgjedhje të reja për kreun e saj.
Zgjedhjet që e bënë komunën socialiste
Kleves Muja, në zgjedhjet e fundit vendore bëri që komuna Rrethina të rikthehet majtas. I kandiduar nga Partia Socialiste, Muja është shpallur fitues me 3159 vota, kundrejt 2640 votave të Gëzim Hardollit, kandidati i djathtë që e drejtonte komunën. Komuna Rrethina është drejtuar më së shumti nga e majta dhe vetëm në mandatin 2007-2011 ajo u drejtua nga Hardolli i PD-së. Ajo është një ndër komunat më të mëdha të Shkodrës, me rreth 16.000 votues. Kleves Muja, që në momentin kur ka marrë këtë detyrë ka qenë pjesë e disa iniciativave për hartimin e projekteve në ndihmë të komunitetit të tij.











