Pranga për mitmarrje pedagogut të Juridikut

Jun 17, 2012 | 11:23

Universiteti i Shkodrës

Profesori i dyshuar jepte prej 16 vjetësh lëndën “E Drejta Penale”

Shkodër, arrestohet Fran Qafa, mori ryshfet nga studenti.

Një pedagog i Fakultetit Juridik në Universitetin e Shkodrës u arrestua dje me akuzën e mitmarrjes nga studentët që jepnin provimet e sezonit në lëndën e tij.
Fran Qafa, 56 vjeç, lindur dhe banues në Fushë-Arrëz, është arrestuar nga Njësia Task-Force Antikorrupsion dhe Policia e Shkodrës pas denoncimeve të bëra ndaj tij për marrje ryshfeti. Aksioni për vendosjen në pranga të pedagogut u zhvillua ditën e djeshme në orën 14:00. Agjentët e Antikorrupsionit kanë ndërhyrë në një nga lokalet pranë Fakultetit duke i vënë prangat të dyshuarit, i cili jepte mësim në lëndët së Drejtës Penale dhe Penale e Posaçme te Juridiku i Shkodrës. Burimet zyrtare nga Policia e Shkodrës kanë thënë se 56-vjeçari Fran Qafa ra në pranga në ambientin ku kishte lënë takim me studentin, të cilit i kishte kërkuar paratë për ta kaluar në provimin e këtij sezoni. Pikërisht denoncimi i bërë nga ky student e më pas edhe nga disa të tjerë, ka qenë pikënisja e hetimeve të policisë ndaj pedagogut që thuajse çdo ditë shkonte të jepte mësim në Universitetin e Shkodrës duke udhëtuar nga Fushë-Arrëzi ku kishte vendbanimin. Menjëherë pas arrestimit të pedagogut ditën e djeshme, Policia e Shkodrës ka thënë se ka paraqitur në Prokurori për të bërë kallëzim studentin të cilit i ishin kërkuar paratë, por edhe disa të rinj të tjerë që kanë pohuar thënie akuzuese për shtetasin Fran Qafa.
Arrestimi
Një student i vitit të dytë në Fakultetin Juridik ka qenë autori i denoncimit të bërë në polici ndaj pedagogut Fran Qafa. Ai mësohet se kishte 16 vjet që jepte mësim në profilin e tij pedagogjik në Juridik. Ditën e djeshme, pas përfundimit të punës në universitet, pedagogu 56-vjeçar, sipas Policisë, ka lënë të takohet me studentin që i kishte kërkuar para për notën kaluese në provim. Sipas agjentëve të Policisë, shuma nuk bëhet e ditur, por vlerat e kërkuara nga pedagogu mësohet se kanë qenë të konsiderueshme. Burime nga Policia e Shkodrës bënë të ditur se pedagogu Fran Qafa ishte në hetim prej kohësh, pasi kanë qenë disa ankesa të studentëve të Fakultetit Juridik në lidhje me presionet që pedagogu u bënte atyre për marrjen e provimeve kundrejt pagesave të ndryshme. Policia është vënë në ndjekje të pedagogut dhe po hetonte rastin e fundit të studentit të vitit të dytë për të bërë të mundur arrestimin në flagrancë. Arrestimi i pedagogut është mundësuar pikërisht nga studenti që pasi ka marrë kontakt me Fran Qafën, ka vënë në dijeni policinë për vendtakimin dhe detajet e tjera të nevojshme, në mënyrë që agjentët të ndërhynin në kohën e duhur. Ndaj pedagogut të Juridikut mësohet se janë kryer edhe disa përgjime të autorizuara. Efektivat e Policisë që kanë marrë në mbikëqyrje lokalin ku ndodhi ngjarja, kanë pritur derisa studenti i ka dorëzuar paratë pedagogut dhe në këtë kohë kanë ndërhyrë duke bërë edhe arrestimin në flagrancë. “Në momentin e arrestimit të dyshuarit iu gjet e gjithë shuma që ai kishte marrë prej studentit”, kanë thënë burimet e Policisë.
Pedagogu
Pedagogu Fran Qafa, i cili banon në Fushë-Arrëz, jep mësim në Fakultetin e Drejtësisë, në universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, që nga hapja e tij në vitin 1994. Fran Qafa ishte pedagog i së Drejtës Penale dhe këtë lëndë e jepte në e vitin e dytë të Fakultetit, si dhe në vitin e parë të masterit. Sipas të dhënave nga Policia, i arrestuari është djali i xhaxhait i kryetarit aktual të Bashkisë Fushë-Arrëz, Alfred Qafa. Ditën e djeshme, pas arrestimit në flagrancë, 56-vjeçarit mësohet se i janë komunikuar akuzat për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike.

Precedenti në Korçë
KORÇE – Pak javë më parë, në Korçë, policia ngriti akuzë ndaj një pedagoge, e cila dyshohet se i detyronte studentët të paguanin për t’i kaluar në provime. Policia e Korçës ka nisur procedimin penal për pedagogen e Infermierisë, Elda Nuni, si dhe për nënën e saj të moshuar, e cila besohet se ka luajtur rolin e sekseres. Sipas Policisë, studentët dyshohet se i çonin në shtëpi zarfet me lekë për të marrë provimin. Inicialet sipër zarfit dhe të paktën 5 mijë lekë në brendësi të tij kanë qenë mënyra e vetme që duhet të përmbushnin studentët e Fakultetit të Infermierisë për të marrë provimin e tyre. “Ndaj pedagoges Elda Nuni ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Penalisht në gjendje të lirë do të ndiqet edhe nëna e pedagoges, e cila ka qenë ndërmjetësuesja për realizimin e aferave që kryente vajza e saj”, bënë të ditur burime zyrtare të Policisë së Korçës. Në banesën e pedagoges 45-vjeçare janë gjetur rreth 11 zarfe dhe 46 mijë lekë në brendësi të tyre në shuma të ndryshme, si dhe me inicialet respektive sipër”, ka thënë Policia.

Anketa e Këshillit Studentor
Sondazhi: Juridiku, më i korruptuari
Këshilli Studentor pranë Universitetit të Shkodrës, paraditen e djeshme ka publikuar rezultatet e një sondazhi në lidhje me korrupsionin në këtë institucion arsimor. “Pyetjes se a keni dhënë qoftë dhe vetëm një herë para (lekë) për të marrë një lëndë, u janë përgjigjur pozitivisht 74 për qind e studentëve, pra thuajse 3 në 4 studentë kanë dhënë para për të blerë provimet”, thuhet në pasqyrimin e rezultateve të sondazhit. Sipas anketës në fjalë, Fakulteti i Drejtësisë ka shkallën më të lartë të korrupsionit me 88 për qind të studentëve që kanë pranuar dhënien e ryshfetit kundrejt 58 për qind në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja që pretendohet se ka nivelin më të ulët të korrupsionit. Në lidhje me kushtet në sallat dhe auditorët e universitetit «Luigj Gurakuqi», 67% e studentëve përgjigjen se kushtet nuk janë përmirësuar. Nga të gjashtë fakultetet e këtij universiteti, sipas sondazhit, Fakulteti Ekonomik paraqitet më problematiku, ku 90% e studentëve të këtij fakulteti shprehen se kushtet nuk janë përmirësuar. Ky fakultet prej vitesh vuan mungesën e theksuar të mjediseve për të zhvilluar normalisht procesin mësimor. Sipas Këshillit Studentor, Fakulteti që paraqitet më mirë është ai i Shkencave të Edukimit, ku 52% e studentëve shprehen se kushtet janë përmirësuar. Pyetësori ka përfshirë edhe rolin e medias, ku 40,3% e studentëve të Universitetit të Shkodrës  shprehen se media ka luajtur rol në uljen e korrupsionit. Në Fakultetin e Drejtësisë, 82% e studentëve përgjigjen se media nuk ka luajtur rol në uljen e fenomenit të korrupsionit, ndërsa 54% e studentëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja përgjigjen se media ka luajtur rol të rëndësishëm në uljen e korrupsionit. Në pyetësor u përfshinë 300 studentë, nga 50 për secilin nga fakultetet e Universitetit të Shkodrës.

RITVAN DIBRA / Shkodër

© Panorama.al

Te lidhura