Pranga nipit të kryekomunarit të Shalës

Aug 29, 2011 | 12:20

SHKODER – Arrestohet në flagrancë në Shalë nipi i kryetarit të sapozgjedhur të komunës Shalë, Balë Vuksani. Sipas policisë së Shkodrës, Gjovalin Vuksani, 20 vjeç është bllokuar në tentativë për të kryer një vrasje për shkak hakmarrjeje. Në momentin e arrestimit ai është kapur së bashku me një pushkë me 4 fishekë. Burime nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se në orët e pasdites të së dielës është marrë informacion se njëri nga pjesëtarët e familjes Vuksani po përgatitet të marrë hak mbi familjen Tonaj. Me të marrë informacion policia ka organizuar një operacion duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Gjovalin Vuksani, 20 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Nënmavriq, Komuna Shalë. Arrestimi i tij u bë, pasi nga hetimet e kryera dhe në bazë të informacioneve të marra, dyshohet se Vuksani, pasi kishte siguruar mjetet e krimit, po përgatitej të kryente një vrasje, kundrejt një prej pjesëtarëve të familjes Tonaj, banor të po kësaj komune. Konflikti mes dy familjeve Vuksani dhe Tonaj nisi fillimisht me prapavijë politike, pasi Balë Vuksani i PS dhe Dedë Tonaj i PD ishin dy kandidatët rivalë për komunën Shalë. Pas një sërë votimesh Balë Vuksani fitoi një javë më parë me 2 vota diferencë. Më 9 korrik, pas një sherri me sfond politik ka mbetur i plagosur Zef Vuksani 36 vjeç, kushëriri i kandidatit socialist. Në lidhje me këtë ngjarje policia pati arrestuar si autorë të plagosjes së Vuksanit, Kolë Tonajn kushëririn e kandidatit Dedë Tonaj.   r.d

© Panorama.al

Te lidhura