
Tre studentë, njëri prej të cilëve futbollist, u arrestuan nga policia e Gjirokastrës me lëndë narkotike, të cilën do ta transportonin nga Lazarati në drejtim të kryeqytetit.Sipas policisë, të arrestuarit po tentonin të trafikonin shtatë kg marijuanë pasditen e së hënës. Mësohet se personat e ndaluar janë shtetasit Deni Cela, 22 vjeç, student i vitit të tretë për skulpturë në Akademinë e Arteve në Tiranë, Eduart Ferraj, 21 vjeç (futbollisti) dhe Albi Daja, 20 vjeç, që të dy studentë në vitin e dytë për Shkenca Sociale në Universitetin e Tiranës. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tre të rinjtë kishin marrë përsipër transportin e marijuanës nga Gjirokastra në Tiranë. Rreth orës 18:00 të së hënës, Policia e Gjirokastrës ndërmori një operacion për kapjen e tyre pasi kishte siguruar më parë informacion për ekzistencën e mallit narkotik në bordin e automjetit tip “Mercedez-Benz” me targë TR 8289 T. Blutë kanë vëzhguar nga larg lëvizjen e mjetit së bashku me tre të rinjtë studentë, deri në kilometrin e 18-të, në vendin ku qëndron postblloku i policisë në zonën e Parkut Natyror të Ujit të Ftohtë. Sapo i janë afruar postbllokut, Çela dhe Ferraj, me qëllim shmangien e kontrollit fizik të automjetit, kanë zbritur duke marrë drejtimin në këmbë në pyll së bashku me një çantë shpine, brenda së cilës kishin lëndën narkotike. Por, lëvizja e tyre është vënë në ndjekje nga policët, të cilët u kanë bërë thirrje të ndalojnë. Po ata nuk janë përgjigjur, duke tentuar të largohen me shpejtësi. Ndjekja e tyre ka zgjatur për disa minuta, derisa dy studentët, kur e panë se ishte e pamundur të vazhdonin rrugëtimin me çantën e drogës, e braktisën atë në një lëndinë dhe zbritën në drejtim të rrugës nacionale në afërsi të stabilimentit të Ujit të Ftohtë në Tepelenë. Por plani i tyre “B” për të hipur në makinën që drejtohej nga shoku i tyre, Albi Daja, dështoi, pasi policia e kishte prangosur atë disa minuta më parë. Pas arrestimit, tre studentët nga Tirana u shoqëruan në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Grupi hetimor konstatoi se në çantën ngjyrë blu, që transportohej nga dy të rinjtë, kishte shtatë pako me marijuanë të mbështjella me letër ngjitëse me ngjyrë të zezë, me peshë të përafërt një kg secila. Tre të rinjtë e kishin siguruar mallin në Lazarat, por vlera e blerjes së saj nuk është bërë e ditur. Pas faktimit të provave dhe në përfundim të veprimeve, trafikantët e drogës, njëri prej të cilëve futbollist i skuadrës së Rubikut, u arrestuan për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, një peshore plastike dhe automjeti “Mercedez-Benz”. Ky është rasti i dytë brenda 24 orëve që policia e Gjirokastrës identifikon mall narkotik me origjinë nga Lazarati, pas 70 kg marijuanë të kapur mbrëmjen e së dielës, në tentativë për të kaluar drejt Greqisë, ku në pranga ranë dy studentë të Universitetit të Gjirokastrës.
TE ARRESTUAR
Deni Cela
22 vjeç, student i vitit të tretë për skulpturë në Akademinë e Arteve në Tiranë,
Eduart Ferraj
21 vjeç, futbollist dhe student në Fakultetin
e Shkencave Sociale
në Tiranë
Albi Daja
20 vjeç, student në vitin e dytë për Shkenca Sociale në Universitetin e Tiranës
Dy studentë u prangosën pak ditë më parë
Pak ditë më parë, më 11 qershor, policia e Gjirokastrës arrestoi dy persona, ndërsa dy të tjerë i shpalli në kërkim, pasi u zbuluan teksa transportonin 70 kg marijuanë në drejtim të Greqisë. Burime të Policisë bënë të ditur se u arrestuan shtetasit Aleksandër Veshi, 28 vjeç nga Gjirokastra, dhe Gazmend Demushi, 20 vjeç nga Tropoja, student i vitit të parë në degën e Anglishtes në Universitetin e Gjirokastrës. Ata e kishin marrë drogën në Lazarat, ndërsa u zbuluan nga policia kufitare.
GJIROKASTER/ PIRO NASE
© Panorama.al











