
Kërkoi të tërhiqte 30 milionë lekë në filialin e bankës “Intesa San Paolo” me dokumente false, bie në pranga shtetasi italian. Tentativa e 56-vjeçarit do të shënonte mashtrimin më të madh në bankat e nivelit të dytë në vend, por qëllimi i tij është pikasur në kohë dhe pas verifikimeve të kryera rezultoi se në llogarinë bankare të tij ishin të depozituara vetëm 50 euro. Arrestimi i Bruno Pomenti, banues në Pontinia, Itali, u krye në Rinas, pasi ishte shpallur në kërkim nga Policia e Elbasanit. Mësohet se në policinë e këtij qarku kishte bërë kallëzimin penal shtetasi A.Gj., 46 vjeç, me detyrë drejtor i bankës “Intesa San Paolo” në Elbasan. Denoncimi është bërë mbrëmjen e së dielës, ndërsa disa orë më pas, Policia kufitare në Rinas ka bërë të mundur arrestimin e shtetasit italian, i cili rezultonte në kërkim policor. Mësohet se të shtunën në mëngjes, pranë filialit të “Intesa San Paolo” është paraqitur 56-vjeçari italian. Ai ka paraqitur një vërtetim të po kësaj banke që mbante datën 14 qershor 2011, në të cilën citohej shuma e dërguar nga Italia, prej 30 milionë lekësh të reja. Ai ka deklaruar në bankë se këtë shumë ia kanë dërguar nga Italia të afërmit e tij, duke cituar më tej edhe shkakun se përse i duhej që t’i tërheqë ato. Duke u nisur nga shuma e madhe e parave, drejtori i bankës e ka drejtuar qytetarin italian në filialin kryesor në Tiranë. Kjo edhe për faktin se pas verifikimeve të kryera nga punonjësit e bankës rezultoi se në numrin e llogarisë së tij gjendeshin vetëm 50 euro dhe nuk figuronte asnjë dërgesë, ashtu siç paraqitej në vërtetimin e tij. Bruno Pomenti është drejtuar në të njëjtën ditë në bankën qendrore në Tiranë. Pas verifikimeve, banka e ka nisur me postë elektronike vërtetimin pranë filialit në Elbasan, i cili rezultonte i falsifikuar.
Kapja e 56-vjeçarit u bë nga shërbimet e Komisariatit të pikës kufitare Rinas dhe tashmë shtetasi italian ndodhet në dhomat e paraburgimit të Elbasanit, pasi akuzohet për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”. Mësohet se Pomenti kishte kohë që falsifikonte vërtetime me qëllim që të mashtronte bankat, por sipas Policisë ishte hera e parë që ai kërkonte të tërhiqte nga banka shqiptare një shumë të tillë eurosh. Në vitin 2011, ai ka ardhur në Shqipëri me disa miq të tij shqiptarë dhe ka depozituar në llogarinë bankare të Tiranës vetëm 50 euro. Të premten në mesditë, qytetari italian ka shkuar në Elbasan te disa miq të tij, por motivi i tij ka qenë për të kryer mashtrimin e radhës në bankë. Ndërkaq ai nuk ka pranuar të flasë në Polici rreth rrethanave të këtij mashtrimi. Policia ka nisur hetimet për të gjetur falsifikatorin e vërtetimit bankar dhe bashkëpunëtorët e qytetarit italian.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU











