Pranga “inspektorëve” tatimorë

Aug 25, 2011 | 13:51
Makina e dy të arrestuarve, bllokuar nga policia e Elbasanit

Policia e Elbasanit arrestoi dje dy shtetas, të cilët gjobisnin bizneset e vogla e tregtarët, duke u paraqitur tek ata si inspektorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në Tiranë.Ilir Muzhaqi, 43 vjeç, me banim në Tiranë, i cili prezantohej edhe si administrator i një kompanie fantazmë sigurimi dhe Dedë Raja, 38 vjeç, me banim po në Tiranë si dhe përfaqësues i së njëjtës kompani, kishin më shumë se dhjetë ditë që shkonin në zona të ndryshme të qarkut të Elbasanit. Veprimtaria e tyre ishte kryesisht në qyteza ku ushtronin kontrolle në lokale apo bare dhe prezantoheshin si inspektorë të tatimeve nga Tirana. “Dy shtetasit e arrestuar hynin në lokale dhe u kërkonin pronarëve dokumentet. Më pas ata gjenin pretekste të ndryshme si: ‘keni nxjerrë karrige përjashta’, ‘keni ngritur zërin e magnetofonit’, apo ‘nuk lejohet cigarja në lokal’, duke vendosur edhe gjobat përkatëse. Pasi plotësonin një mandat fals me vulë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ata ua merrnin pronarëve lekët në dorë”, bëri të ditur dje Policia e Elbasanit. Po sipas Policisë, këtë akt mashtrimi ata e kanë kryer më shumë se katër herë. Blutë kanë rënë në gjurmët e dy “inspektorëve”, pasi dy tregtarë të fshatit Kosovë në komunën Fierzë të rrethit të Elbasanit, M. P., 54 vjeç dhe E. P., 29 vjeç, kanë bërë denoncimin. Ata deklaruan se dy inspektorët i kanë mashtruar duke i marrë shuma parash që varionin nga 7 mijë-12 mijë lekë. Ata deklaruan se gjoba ishte vendosur pasi kishin ngritur më lart se duhej zërin e magnetofonit në lokalin e tyre. Kjo i ka bërë të dyshonin pasi gjobat për ndotjen akustike janë kompetencë e inspektorëve të Mjedisit dhe të Bashkisë, por jo e Tatimeve.
Sipas zëdhënëses së Policisë, Valbona Begu, dy të ndaluarit kanë mashtruar edhe subjekte të tjera tregtare, të cilat kryenin aktivitet në bashkinë Belsh dhe në komunat rreth saj, duke e përsëritur këtë rast disa herë. Ata paraqiteshin si inspektorë të Drejtorisë së Përgjithshme Tatimore në Tiranë dhe shpreheshin se aksione të tilla janë ndërmarrë në të gjithë vendin. Nga ana tjetër, “inspektorët” prezantoheshin edhe si administratorë dhe punëtorë të një kompanie sigurimi, e cila, në fakt, ishte fantazmë. Sipas Begut, shtetasi Ilir Muzhaqi është prezantuar edhe në polici si administrator i kompanisë së sigurimit “SIG SHIP” sh.p.k, ndërsa Dedë Raja si përfaqësues i kësaj kompanie.
Fill pas kësaj, Policia e Elbasanit në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e këtij rrethi, nisën hetimet nga ku konstatuan se kompania e sigurimeve në atë emër ishte fantazmë dhe se asnjëherë nuk kishte qenë e regjistruar në degën e Tatimeve në Tiranë dhe Elbasan.

Hetim kompanise se sigurimit

Prokuroria ka nisur hetimet për kompaninë fantazmë, pasi dyshohet se në emër të saj, dy të arrestuarit kanë mashtruar qytetarë të tjerë. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa mandate arkëtimi të pamiratuara nga ana e organit tatimor, por që disa prej tyre janë përdorur nga dy të ndaluarit, si dhe një automjet fuoristradë tip “Grand Walle” me targë AA 804 AI, në përdorim të shtetasit Ilir Muzhaqi. Me këtë mjet ata kanë qarkulluar prej më shumë se dhjetë ditësh në komunën Fierzë të Elbasanit, si edhe në qytetin e Belshit.

10 ditë
më parë, shtetasit Ilir Muzhaqi dhe Dedë Raja kanë shkuar në Elbasan dhe, në zonat e Belshit e në komunën Fierzë ata vendosnin gjoba duke u paraqitur si inspektorë
të rremë.

 

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura