Pranga gardistit, prostituoi 15-vjeçaren

Jun 1, 2012 | 13:52

Një efektiv i Gardës së Republikës u arrestua në Tiranë me akuzën “shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”, ndaj një të miture. Arrestimi u krye nga Sektori i Antitrafiqeve pas një kallëzimi që ka bërë e dëmtuara, një vajzë 15-vjeçare me iniciale F.S. Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit thanë se i arrestuari është Ilirjon Gjoni, 24 vjeç, nga fshati Derjan i Matit, me banim të përkohshëm në Tiranë. Gjoni është punonjës i Gardës së Republikës dhe sipas burimeve nga Policia mësohet se është paraqitur me iniciativë për të deklaruar në Drejtorinë e Tiranës, pas kallëzimit që ishte bërë ndaj tij dhe aty më pas është arrestuar. “Në ngarkim të tij është depozituar një kallëzimin penal nga një shtetase 15-vjeçare, e cila deklaron se për një periudhe 5-mujore është shfrytëzuar për prostitucion. Fillimisht dyshohet se Ilirjon Gjoni ka pasur një histori dashurie me vajzën dhe më pas dyshohet se e ka shfrytëzuar për prostitucion në Tiranë”, thuhet zyrtarisht nga Policia. Por nga ana tjetër, burime të rezervuara thanë se arrestimi është kryer në bazë të kallëzimit të vajzës dhe babait të saj, S.S. Ndërsa e vetmja provë konkrete që ka policia është raporti i mjekëve ligjorë, i cili vërteton që adoleshentja ka kryer marrëdhënie seksuale.
DENONCIMI
Efektivi i Gardës, Ilrijon Gjoni, është denoncuar dy ditë më parë nga 15-vjeçarja F.S., e cila pretendonte se është shfrytëzuar për prostitucion jashtë dëshirës së saj nga ky person. Por, sipas burimeve nga grupi hetimor, ky denoncim ka ardhur pas refuzimit të Gjonit për të formalizuar lidhjen që ai kishte me vajzën e mitur me fejesë. Rreth 10 ditë para arrestimit, Gjoni ka deklaruar se është takuar me babanë e vajzës, i cili pasi është vënë në dijeni nga e bija për lidhjen e dashurisë që ajo kishte me të, i ka kërkuar që të fejohej me vajzën e tij. Madje, në një farë mënyrë i ka bërë edhe presion, që në rast se nuk martohej me të bijën, atëherë do ta denonconin në polici. Sipas deklarimeve të Ilirjon Gjonit, ka qenë pikërisht refuzimi i tij për t’u fejuar me F.S., që solli kallëzimin e më pas arrestimin e tij. Por, në dosjet e Policisë së Tiranës emri i vajzës së mitur që pretendon të jetë shfrytëzuar për prostitucion figuron i regjistruar dy herë, nga kallëzime që kanë bërë të afërmit e saj, për largim nga banesa. Kallëzimi më i fundit që është regjistruar në Komisariatin Nr.2, është kryer nga S.S., më datë 17 prill të këtij viti. Ai pretendonte se që prej datës 7 prill 2012, vajza e tij, F.S., nxënëse në klasën e nëntë në shkollën “Pjetër Budi”, ishte larguar dhe nuk ishte kthyer më në banesë. Por, pikërisht pas rikthimit të saj dhe ndërprerjes së kërkimeve nga ana e policisë për gjetjen e së miturës, ajo u ka deklaruar familjarëve që është shfrytëzuar për prostitucion nga Ilirjon Gjoni, me të cilin kishte pasur një lidhje dashurie.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura