Pranga efektivit të FNSH për trafik armësh

Sep 7, 2012 | 13:20

TIRANE – Arrestohet në Tiranë punonjësi i Policisë së Repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Denis Sukni, i cili akuzohet për trafikim të armëve dhe municioneve. Policia e kryeqytetit tha dje se arrestimi i tij u realizua mbrëmjen e së mërkurës, pasi në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, teksa pinte kafe në një lokal, ai është kapur në flagrancë nga Njësia e Operacioneve Speciale me një armë pa leje që mbante në një çantë të vogël. Gjatë kontrollit personal i është gjetur në çantën e tij të krahut një armë zjarri pistoletë tip “Makarov”, me një krehër me shtatë copë fishekë të kalibrit 9 milimetër, të cilën e mbante pa leje. Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij tip “Mercedes Benz” me targë ESE 2804, që e kishte parkuar pranë lokalit ku u arrestua, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 krehra automatiku dhe 130 copë fishekë luftarakë model 56, të kalibrit 7.62 milimetra, 20 copë fishekë model 54, të kalibrit 7.62 milimetra, tri fenelina dhe një shkop bejsbolli. Në makinë iu sekuestrua edhe arma e tij e shërbimit, pistoleta “TT”, me numër 33008738, me 7 fishekë. Burime nga Policia thanë se efektivi i FNSH-së, Denis Sukni, paraprakisht është arrestuar vetëm për “armëmbajtje pa leje” dhe gjatë deklarimeve pas arrestimit ka shpjeguar se armët i mbante pasi ishte i pasionuar pas tyre. Por, nga ana tjetër, mësohet se ndaj tij kishte nisur një hetim nga oficerët e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar për “trafik armësh dhe municionesh”, pasi dyshohej se ai i trafikonte drejt Kosovës. Policia tha se për një hetim të plotë efektivit Sukni iu sekuestrua edhe arma me leje, ndërsa materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij u referuan në Prokurorinë e Tiranës, fillimisht për akuzën “armëmbajtje pa leje”. Drejtoria e policisë së kryeqytetit megjithatë në deklaratën zyrtare lidhur me arrestimin e oficerit të FNSH ka folur edhe për trafik armësh dhe municionesh. “Arrestohet në Kryeqytet punonjësi i policisë së Repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Denis Sukni, për trafikim të armëve dhe municioneve”, thuhej në deklaratën e policisë. Megjithatë pas referimit të materialeve në prokurori mbetet npër tu kryer veprimesh e nevojshme hetimore për të parë nëse armët dhe municionet që i janë kapur oficerit në fjalë kanë qenë për trafikim.

© Panorama.al

Te lidhura