Drejtori i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” u arrestua pasditen e djeshme nga Krimi Financiar i policisë me akuzën për “korrupsion pasiv”.Gazmend Sallaku, 41 vjeç, është vënë në pranga pasi akuzohet se i ka marrë një biznesmeni 150 mijë lekë të rinj ryshfet, në mënyrë që t’i jepte një ambient me qira tek Pallati i Sportit “Asllan Rusi”. Policia tha se pikërisht biznesmeni me iniciale P.L. administron një rrjet kancelarish dhe ambientesh sportive në Tiranë. Ai ka denoncuar për korrupsion drejtorin e Stadiumit Kombëtar, pasi ishte përballur me kërkesën për ryshfet. Veç këtij rasti, për të cilin policia thotë se është i provuar edhe me një kontratë qiraje provizore e datës 15 gusht 2011, kontratë me afat njëvjeçar, grupi hetimor po verifikon edhe 4 raste të tjera, kur Sallaku dyshohet të këtë marrë ryshfet. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se rasti i dokumentuar është një ambient rreth 80 metra katrorë tek “Asllan Rusi”, ndërsa në hetim e sipër edhe disa lokale e palestra përreth stadiumit “Qemal Stafa”, për të cilat gjithashtu dyshohet se drejtori ka abuzuar me detyrën. Sipas policisë, Gazmend Sallaku, duke qenë me detyrë drejtor i Shoqërisë Anonime i Qendrës Sportive tek Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, ka në administrim ambientet e stadiumit, gjithashtu edhe ato të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë.
DENONCIMI
Arrestimi i drejtorit të “Qemal Stafës”, Gazmend Sallaku, erdhi pas një denoncimi që ka kryer disa ditë më parë një biznesmen me inicialet P.L. Ky person ka kallëzuar për korrupsion dhe abuzim me detyrën 41-vjeçarin Sallaku në Drejtorinë Kundër Krimit Financiar, në Policinë e Shtetit. Sipas kallëzimit, mësohet se Gazmend Sallaku është paraqitur disa ditë më parë, tek Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, ku kishte lënë një takim me biznesmenin, i cili ishte i interesuar për një ambient 80 metra katrorë, të cilin do ta përdorte si kancelari, por edhe për tregtim të objekteve e veshjeve sportive. Mësohet se drejtori kishte biseduar paraprakisht me të interesuarin dhe kishin rënë dakord që qiraja do të ishte 150 mijë lekë të rinj në muaj. Në momentin kur Sallaku ka shkuar për të takuar biznesmenin, i cili kishte mobiluar pjesërisht ambientin dhe do të sillte pajisje e produkte të tjera, ka pasur një mosmarrëveshje mes tij dhe personit me iniciale P.L. Në kallëzim thuhet se Sallaku ka kërcënuar biznesmenin që do i shkatërronte të gjitha pajisjet e dyqanit, në rast se nuk binin dakord për një shumë që duhej të përfitonte “qiradhënësi” në këtë rast. Sipas biznesmenit, Sallaku i ka kërkuar atij 150 mijë lekë, përveç qirasë që ishte e njëjtë me këtë shumë. Data e firmosjes së kontratës provizore ishte pikërisht dita e djeshme dhe policia ishte vënë në dijeni për takimin mes dy palëve. Forcat e policisë kanë ndërhyrë pikërisht në momentin kur do të kryhej pagesa dhe firmosja e qirasë.
ARRESTIMI
Operacioni policor që arrestoi drejtorin e stadiumit “Qemal Stafa”, u kodua “Taksa e qirasë” dhe gjatë këtij operacioni u arrestua në flagrancë Gazmend Sallaku. Zyrtari i stadiumit, i dyti në radhë që ikën nga ky institucion për shkak të një skandali, u kap në flagrancë në ambientet e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Sipas burimeve zyrtare nga policia, ai u arrestua në momentin kur firmosi kontratën dhe në këmbim të saj mori përveç parave të qirasë, edhe shumën prej 150 mijë lekësh të rinj. Policia tha se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma e parave të mësipërme, si dhe kontrata e qirasë provizore e datës 15.08.2011 me një afat njëvjeçar. Edhe paraardhësi i Sallakut në drejtimin e stadiumit “Qemal Stafa” u largua nga detyra, për shkak të skandalit të fikjes së dritave në ndeshjen Gramozi-Real Madrid.
Sallaku u emërua pas incidentit me “Realin”
Gazmend Sallaku u emërua drejtor i Shoqërisë Anonime i Qendrës Sportive tek Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, në janar të vitit 2010, pas shkarkimit nga kjo detyrë të Perikli Dhalesit. Ish-drejtori i Stadiumit Kombëtar, Perikli Dhales, u shkarkua nga kjo detyrë pas incidentit të ndodhur më 20 janar 2010, kur stadiumi ngeli në errësirë, teksa në fushë luhej ndeshja miqërore Gramozi –Real Madrid. Një defekt në impiantin ndërkombëtar gjatë ndeshjes Gramozi i Ersekës– Real Madrid, ndërpreu energjinë elektrike për 81 minuta, në katër kullat ndriçuese për shkak të djegies së transformatorit. Sipas ish-ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferri, ndërprerja e energjisë ishte një ngjarje që duhet të evitohej dhe ishin të gjitha mundësitë që kjo të ndodhte. Për këtë, një grup ekspertësh sipas tij do të kryenin të gjitha hetimet e nevojshme. Ky ishte edhe motivacioni i shkarkimit nga detyra të Dhalesit dhe emërimi në këtë detyrë i Gazmend Sallakut, nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të asaj kohe, Ferdinand Xhaferri. Për këtë incident Perikli Dhales u thirr për të dhënë deklarime në Prokurorinë e Tiranës, pasi kishte nisur një hetim, për një ngjarje që mund të ishte edhe e qëllimshme.
Tifozët gjuajnë me gurë Albert Xhanin
Tirane – Presidenti i klubit të futbollit të Partizanit, Albert Xhani, është rrahur e goditur me gurë nga një grup tifozësh të këtij ekipi. Ngjarja ndodhi dje para zyrave të Federatës Shqiptare të Futbollit, te Rruga e Elbasanit në Tiranë. Biznesmeni Albert Xhani ka rënë pre e sulmit rreth orës 10:30, kur në ambientet e FSHF-së po zhvillohej një mbledhje në të cilën do të përcaktohej fati i skuadrës së Partizanit, nëse do t’i kalonte Ministrisë së Mbrojtjes në kushtet e gjendjes së rëndë të krijuar së fundi. Në kohën që tifozët prisnin jashtë që të merrej vendimi, presidenti aktual Albert Xhani është shfaqur pranë tyre dhe në këtë moment është sulmuar. Nga të dhënat e vendit të ngjarjes është mësuar se Xhani ka pasur një komunikim verbal me disa prej tifozëve, të cilët më pas e kanë sulmuar. Biznesmeni ka pësuar një të çarë në ballë nga goditjet me gurë dhe disa dëmtime të tjera, që sipas mjekëve, nuk kanë qenë serioze. Policia e Komisariatit Nr. 1 ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes duke shoqëruar dy prej tifozëve që kishin marrë pjesë në sulm. Burimet zyrtare thanë se pasi janë marrë në pyetje rreth ngjarjes, ka nisur hetimi në gjendje të lirë për dy tifozët, Erald Vata dhe Dorian Bodini. Në polici janë shoqëruar për të dhënë sqarime rreth ngjarjes edhe disa tifozë e dëshmitarë okularë, të cilët ndodheshin para FSHF-së rreth orës 10:30 të ditës së djeshme dhe kanë parë se si ka ndodhur incidenti. Vetë presidenti i ekipit të Partizanit, Albert Xhani, është paraqitur për të bërë kallëzim në Komisariatin Nr. 1 të policisë, pasi ka mjekuar plagën në spital. Ai është pyetur rreth ngjarjes përreth një orë e 30 minuta, e më pas një mik e tij e ka transportuar drejt shtëpisë.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











