Pranga 4 të kërkuarve në Itali

May 2, 2012 | 12:59

Komisariati i Policisë së Vlorës

VLORE/ Trafiku nga Shqipëria në vitet 2009-2010. Prej 1 muaji mbaheshin në vëzhgim.

Gjykata e Leçes, urdhër-arreste për trafik heroine.

Policia e Vlorës ka ndërmarrë disa operacione gjatë dy muajve të fundit, me qëllim eliminimin e grupeve kriminale para fillimit të sezonit turistik.
Disa persona kanë rënë në pranga deri tani, që të gjithë të shumëkërkuar nga Drejtësia italiane për trafik të drogës, vrasje, pengmarrje apo vepra të tjera të rënda. Në sajë të këtyre operacioneve për arrestimin e të shumëkërkuarve me qëllim ekstradimin e tyre, operacione që sipas burimeve të Policisë janë ende në proces, u arrestuan katër persona të tjerë, të kërkuar nga zyrat e Interpolit italian.
“Në vijimësi të operacioneve të Policisë Vlorë për kapjen e të gjithë personave të shpallur në kërkim brenda dhe jashtë vendit, rreth orëve të mbrëmjes së të hënës, nga efektivat e Drejtorisë së Policisë së qarkut Vlorë, të koordinuara nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Interpol Tirana, Interforce dhe Prokuroria e Vlorës, është finalizuar me sukses operacioni i koduar “Batica”, për ekzekutimin e katër urdhër-arresteve ndërkombëtare në ngarkim të 4 shtetasve të shpallur në kërkim nga Interpol Roma si pjesëtarë të një organizate kriminale me tendencë trafikimin e narkotikeve”, bëri të ditur pas operacionit Policia e Vlorës. Mësohet se të arrestuarit janë shtetasit Skënder Gockaj, 42 vjeç, Julian Shabani, 31 vjeç, Adnand Xhelili, 42 vjeç dhe Erjon Sadikaj, 29 vjeç, që të gjithë banues në Vlorë. Arrestimi i tyre u krye pasi efektivë të Policisë Kriminale i kishin  mbajtur nën vëzhgim për një periudhë kohore prej një muaji. Policia bëri të ditur se në ngarkim të katër të arrestuarve, Gjykata e Penale e Leçes në Itali ka lëshuar urdhër-arrestet ndërkombëtare. “Urdhër-arrestet mbajnë nr. 4756, datë 01.07.2011 dhe nr. 4756, datë 21.10.2011 për veprat penale ‘trafikim lëndësh narkotike’ dhe ‘pjesëmarrje në grupe kriminale’, parashikuar nga nenet 110, 81, 73 dhe 80 të Kodit Penal Italian”, bëri të ditur më tej Policia.
Mësohet se këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar nga Shqipëria në Itali një sasi të konsiderueshme droge, heroinë dhe Cannabis sativa. Hetimet e Prokurorisë italiane kanë konkluduar se vepra kriminale e kryer në mënyrë të organizuar është kryer gjatë periudhës 1 janar 2009 deri më 5 shkurt 2010. Arrestimet e të kërkuarve janë kryer nëpër banesat përkatëse pa rezistencë. Gjatë viteve të fundit ata kishin kryer disa hyrje e dalje në shtetin italian. Policia bëri të ditur se njërit prej të prangosurve, shtetasit Erjon Sadikaj, gjatë kontrollit personal i është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri tip pistoletë me mulli me pesë fishekë.

IGUMENICE
Një tjetër sasi droge, Cannabis sativa, është kapur nga Policia e Igumenicës. Pak minuta para mesnatës së të hënës, në Portin e Igumenicës, policia greke ka ushtruar kontroll në automjetin e një shtetasi shqiptar, 41 vjeç, i cili kishte destinacion të shkonte drejt Italisë. Në tapetat e sediljes së shoferit dhe pasagjerit, si dhe në kruskotin e makinës, policia ka gjetur 27 pako me një sasi totale rreth 10.5 kg Cannabis sativa.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura