Prandeli: 6 muaj kohë, zgjidhni problemet ose iki

Jul 3, 2012 | 15:07

Me duartrokitje: kë-shtu e kanë pritur gazetarët, të cilët ishin prezentë në sallën e konferencave, Pra-ndelin. Trajneri ka bërë një përshkrim të aventurës europiane.
Ndërkohë ai ka kërcënuar se do largohej nëse brenda 6 muajve nuk zgjidhen disa probleme urgjente në skuadër.
Çfarë ndryshimi keni ndërmend tani?
Shpeshherë futbolli është një automjet që duhet ndryshuar. Ne jemi një vend i vjetër, me shumë gjëra për të rinovuar: duhet të kemi kurajën të ndryshojmë. Dhe ne e patëm këtë guxim, por mendoj se rezultati nuk duhet të jetë kushtëzues për një ide. Ky është aspekti që më shqetëson. Ne duhet të kemi forcën e duhur për të pasur besim se mund ta bëjmë një gjë të tillë. Pastaj, dihet që do të përballemi me shumë vështirësi. Dy vite më parë thoshit: Si do t’ia dalë kjo kombëtare që të kualifikohet? Po ja që ia dolëm.
Cila ka qenë vlera dhe defekti juaji në këtë Europian?
U tregova i zoti që të mos dëgjoja, ose më saktë të mos ia vija veshin asnjë komenti që është bërë, dhe të mbaja gjithnjë ekuilibrin në dhënien e gjykimeve. Ndoshta në ndeshjen e fundit duhet të kisha pasur më tepër guxim për të revolucionuar skuadrën, për të bërë ndryshime. Por do kishte qenë gjithsesi një mungesë respekti dhe mirënjohjeje kundrejt atyre që na sollën në finale.
Tani do fokusoheni te Botërori i Brazilit. A janë gati lojtarët për këtë projekt?
E nisëm me një ide, dhe skuadra u përgjigj menjëherë mjaft mirë, sepse janë të gjithë profesionistë të jashtëzakonshëm. Dua të përgëzoj ndërkaq Antonio Konten, sepse lojtarët e Juventusit kanë ardhur me një premtim të madh, të përballojnë vështirësitë. Spanja arrin të mbështetet te lojtarët e dy blloqeve dhe kjo gjë të ndihmon shumë, ndërsa ne na u desh të punonim me lojtarë të skuadrave të ndryshme.
A do të ketë ndryshim brezash?
Uroj që njerëz si Pirlo të vazhdojnë të qëndrojnë me ne, të paktën edhe për 2 vjet, por në krah të këtyre lojtarëve duhet të luajnë të rinjtë. Për këtë besoj se do më ndihmojë edhe Zemani. Me aq sa e njoh, mendoj se do të vendosë të luajë një futboll që bazohet te të rinjtë. Projekti i tij i tillë është, dhe mua natyrisht që do më ndihmojë.
Pra, cila është formula për ta bërë akoma më kompetitive kombëtaren?
Mendoj se di ta bëj mirë punën time dhe e kam treguar këtë, por nëse duhet të bëj stërvitje me ekipin çdo 3 deri në 8 muaj, nuk e di nëse do jem në lartësinë e duhur. Jam një njeri që kërkon fushën si vendin ku mund të bëhen gjërat, jo politikan apo burokrat. Mund ta përmirësoj Italinë vetëm nëse punoj në këtë mënyrë.
Keni ndonjë gjë të pathënë që ju ka mbetur peng?
Kur bëra grumbullimet e lojtarëve, nuk u morën me këtë gjë, por me faktin që kisha marrë me vete djalin tim, Nikolo, i cili është një profesionist. Për të kisha nevojë në stafin teknik. Më erdhi shumë keq që një gjë e tillë ndodhi, sepse unë e pranoj gjithnjë kritikën sportive, por nuk do jem kurrë dakord me sulmin ndaj një njeriu. Nikolo erdhi dhe ndenji me ne 35 ditë, e bëri me dëshirën më të madhe dhe nuk do të ketë mundësi as të bëjë pushime, sepse që nesër (sot) do të jetë në grumbullim me Parmën.
Përse vendosët të qëndronit në krye të pankinës së Italisë?
Gjetëm një pikë të përbashkët, dëshirën për të ndryshuar. Ndonjëherë pyesim veten nëse po ndajmë me të tjerët të njëjtin mendim. Pastaj u binda për këtë gjë, pasi bisedova me presidentin e Federatës, Abeten, i cili do që ta vazhdojnë këtë rrugëtim.
Keni folur për ndryshime. Po sikur gjërat të mos ndryshojnë?
Jam i sinqertë kur flas për një projekt. Kam respekt për Federatën Italiane të Futbollit. Ne kemi dëshirë që të ndërtojmë diçka, por nëse pas 6 muajve problemet nuk do jenë zgjidhur, nëse duhet të stërvit një skuadër që në 8 muaj bën vetëm 2 seanca, atëherë do të reflektoj.

Kapiteni: Do qëndroj
Xhixhi Bufon është i mërzitur për humbjen në finalen e “Euro 2012”, megjithatë ai nuk ka ndërmend që të largohet nga përfaqësuesja. “Do të jem në kampionatin botëror “Brazil 2014″. Madje do të kemi një kompeticion 12 muaj më përpara, që është Kupa e Konfederatave. Unë dua të jem aty dhe jo vetëm sa për paraqitje”, thotë kapiteni i “të kaltërve”. Gardiani rikujton ëndrrën që pati ai dhe pjesa tjetër e ekipit, që për pak sa nuk u realizua në Kiev.

Italia, 55 vjet pa humbur si me Spanjën
Ishte viti 1957, kur Italia humbiste një ndeshje me një rezultat të thellë sikundër ajo ndaj Spanjës në “Olipiski” të Kievit. Duket e çuditshme, por skuadra “axurre” ka plot 55 vjet që nuk humbet një takim me një diferencë 4 gola e lart. Pikërisht më 12 maj 1957, Italia e cila asokohe drejtohej nga A.Foni do zbriste në fushën e Zagrebit ku do të mundej 6-1 nga skuadra jugosllave. Për vendësit do realizonte Zebec (10′), Milutinoviç (26′, 47′), Liposinoviç (40′), Rajkov (49′) dhe Vukas (80′), ndërsa për Italinë do shënonte Çervato (58′) me penallti. Që nga ai moment Italia ka pësuar shumë humbje të tjera, por në asnjë rast diferenca e golave nuk ka qenë më e madhe se tre.

Sherr tek Italia, Bufon rreh Balotelin
Pas dështimit në finalen e “Euro 2012” ndaj Spanjës, te përfaqësuesja e Italisë ka pasur një konflikt të ashpër mes kapitenit Xhixhi Bufon dhe sulmuesit Mario Baloteli. Mediat italiane raportojnë se të dy futbollistët janë sharë dhe shtyrë, e më pas nuk kanë munguar as grushtet. Mediat italiane raportojnë se Baloteli i ka akuzuar lojtarët e Juventusit se ishin shkaktarë të humbjes. “Juventinët na fundosën!”, – akuzoi “Super-Mario”. Kaq ka mjaftuar që portieri i bardhezinjve, Bufon, t’i kthehet dhe ta shajë atë. Midis të dyve kanë nisur debatet me tone të larta, të sharat, e më pas ka pasur edhe një konfrontim fizik.

© Panorama.al

Te lidhura