“Luarasi”, praktikë në tregun e punës me studentët

Feb 23, 2012 | 13:25

Mundësi studentëve për të qenë më pranë tregut të punës. Ky është programi më i ri, që ka nisur të vihet në praktikë nga universiteti “Luarasi”. Nëpërmjet tij synohet t’u ofrohet studentëve të diplomuar në këtë universitet mundësi internshipi në sektorin publik dhe atë privat. Këto internshipe u japin mundësi studentëve që të marrin eksperiencë, të zhvillojnë dijet e tyre praktike, si dhe të afirmohen duke rritur kështu jo vetëm përgatitjen e tyre, por edhe mundësitë për punësim. “Ky internship gjithashtu u mundëson institucioneve, njohjen dhe vlerësimin e kandidatëve potencialë për t’u punësuar në të ardhmen në vendet vakante”, thotë administratorja e universitetit, Dajena Kumbaro. Sipas saj, bashkëpunimi i parë në kuadër të këtij programi ka nisur me bankën “Credins”. Dhjetë studentëve të universitetit “Luarasi” do u jepet mundësia që të zhvillojnë një internship 3-mujor pranë drejtorive më të rëndësishme të kësaj banke, duke parë nga afër të gjitha proceset ligjore, por edhe duke kontribuar nëpërmjet punës së tyre. Studentët do të punojnë rreth 1 muaj në tri drejtoritë: Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Përputhshmerisë; Departamenti i Rikuperimit të Kredive me Probleme; Departamenti Juridik.Vetë studentët e cilësojnë mjaft frytdhënëse këtë eksperiencë. “Aktualisht ndodhem te Departamenti Juridik dhe merrem kryesisht me raportet që dalin nga dosjet e personave juridikë, si dhe pune të tjera të  cilat më ndihmojnë të praktikoj teorinë. Stafi i Departamentit Juridik është bashkëpunues dhe mjaft i përgatitur dhe korrekt. Ju faleminderit për mundësinë që na dhatë”, thotë Jona Karati, studente pranë universitetit “Luarasi”. Një tjetër student, Andi Memo, shprehet se gjatë pjesëmarrjes në internship po përfiton shumë eksperiencë dhe aftësi profesionale.

© Panorama.al

Te lidhura