
Pas karrierës jetëshkurtër si “Mjeshtre e Sportit” në disiplinën e gjimnastikës, egoja e saj profesionale nuk e kaloi pragun e familjes, andaj iu përkushtua kësaj të fundit me çdo çmim, duke hequr dorë nga sporti. Sot, prej më shumë se tetë vitesh ushtron profesionin e postieres, duke trokitur në dyert e qytetarëve shqiptarë për të shpërndarë gjithfarë materialesh postare. Nga kartolinat e urimit, tek letrat nga burgu të familjarëve që u është privuar liria, letërkëmbimet e veçanta të shkrimtarëve, një prej tyre dhe poeti Xhevahir Spahiu, deri tek kartolina e urimit për 67-vjetorin e lindjes së Kryeministrit të vendit, Sali Berisha…
Ajo Tiranën e njeh symbyllur, edhe pse duket sikur ajo ndryshon çdo ditë. Puna e përditshme si shpërndarëse e postës në kryeqytet e ka detyruar të masë me pëllëmbë çdo rrugë apo adresë të re. Një letër të shumëpritur për Adriana Manushin nuk është vështirë për ta dalluar, pikërisht në atë padurimin e qytetarit për ta marrë ndër duar. Emocionet e pashmangshme, lotët në sy pas një kartoline urimi nga familjarët jashtë shtetit, apo personave të cilëve u është privuar liria, janë situata thuajse të përsëritura për postieren që prej më shumë se tetë vitesh ushtron këtë profesion, që sakaq e ka “mbërthyer” shpirtërisht. Mes qytetarëve të zakonshëm, dyert e të cilëve i ka mësuar në majë të gishtave, ka edhe nga ato personalitete publike që po të mos ishte për punën e përditshme, zor se në jetë do i jepej rasti t’i takonte nga afër. 45-vjeçarja rrëfen eksperiencën e saj jetësore, që nis herët fillimisht si “Mjeshtre Sporti”, por që jeta e solli të ndryshonte kah. Sot flet si shpërndarëse e postës këtu në kryeqytet.
Mjeshtëria në gjimnastikë
Qasja ndaj sportit ishte e brendshme…, thënë ndryshe talent! Nevojitej elasticitet në kryerjen e ushtrimeve fizike, shkathtësia, tipare të cilat Adriana i zotëronte që në gjimnaz. Të paktën në disiplinën e gjimnastikës, vajza spikati që herët për aftësitë e saj, dhe në moshën 15-vjeçare iu bashkua klubit sportiv “Partizani”, për të arritur kulmin e suksesit vetëm dy vite më vonë, kur ajo u vlerësua me certifikatën “Mjeshtre e Sportit”. “Sporti më ka tërhequr shumë që kur isha fëmijë. Paralelet e shkallëzuara, kalimi i kaluçit, ushtrimet e lira në tapet ishin të preferuarat e mia, në disiplinën e

gjimnastikës. Kisha goxha vullnet, ndaj stërvitesha për orë të tëra bashkë me trajnerët e mi, çiftin Engjëll dhe Polikseni Gorishti. Shumë shpejt fitova kategorinë e tretë, çka do të thoshte që u vlerësova me titullin “Mjeshtre e Sportit”. Bëhet fjalë për vitet 1982 e tutje, kur nëpër turne të ndryshme që zhvilloheshin në vend, kam qenë në grupin e gjashtë më të mirave të gjimnastikës, ndërsa në stilin e traut të ekuilibrit kapja gjithnjë vendin e parë”, thotë Manushi. Por, shkëlqimi i herët u shoqërua shpejt me tërheqjen e saj nga sporti. Arsyet ishin të qenësishme. Martesa e shpejtë, krijimi i familjes dhe lindja e fëmijëve e penguan gjimnasten e talentuar për ta vazhduar më tej ëndrrën sportive, që sot është kthyer në pengun e jetës së Adriana Manushit. “U detyrova ta braktisja gjimnastikën, sepse u martova shpejt, krijova familje. Përpos mentalitetit arkaik të kohës, egoizmi im nuk e kaloi pragun e shtëpisë. Unë sportin e kisha talent, aftësitë nuk më mungonin, vlerësimet gjithashtu, ndaj sot e kam peng që nuk e vazhdova këtë disiplinë sportive, aq të dashur për mua”.
“Një letër për ty…”
Edhe pse jetojmë në kohëra moderne, në epokën e dixhitalizimit dhe komunikimit online e fare mirë mund të mendohet se periudhës së letërkëmbimeve postare apo fanatikëve të shkrimit të dorës u ka ikur vakti, duket se nuk është plotësisht kështu. Shpërndarësja e letrave në kryeqytet, Adriana Manushi, e di mirë se ende ka besnikë të komunikimeve të veçanta përmes postës. “E shkruara ka vlerë të patjetërsueshme, duket sikur e ke pranë personin dërgues. Çdo gabim ortografik, apo formulim fjalie i cunguar, është i pranueshëm, për sa kohë që vlerësohet mendimi, e shkruara dhe emocioni, pa dyshim”, thotë ajo. Puna e përditshme në kohë me shi, me diell përvëlues apo temperatura nën zero, nuk përbëjnë kurrfarë problemi për të. Ajo tanimë ia ka marrë dorën, sepse gjen kënaqësi në çdo derë qytetari ku troket. “Kur shoh në sytë e individëve emocionin që përjetojnë pas çdo letre që u dorëzoj, qoftë kjo një shprehje lumturie apo hidhërim, është jo pak për mua. Një kartolinë urimi, një letër nga familjari, i cili jeton jashtë shtetit, një tjetër e dërguar nga burgu, britmat e gëzimit apo lotët e mërzisë, janë të gjitha përjetime emocionale, gati të përditshme në punën time. Kjo e bën të veçantë profesionin e postieres”, thekson 45-vjeçarja. Edhe në rastet kur dera i është përplasur në fytyrë, sepse një faturë e fryrë dhe e papritur e energjisë elektrike i dorëzohet qytetarit në dorë, e në situata të tjera kur përgjigjja pozitive e pranimit të Lotarisë Amerikanë shoqërohet me eufori dhe britma lumturie nga familjarët, janë përplasje emocionesh të paevitueshme në punën e Adrianës. “Të trokas nëpër dyert e shtëpive është më se normale për mua, dhe këtë e bëj pa ndrojtje. Pas një komunikimi të lirshëm dhe përshëndetjeje të rastit, ndihem si në shtëpinë time…”.
Qytetarët “specialë”
Për Adriana Manushin, 16 tetori i vitit të kaluar do të mbahet mend për intensitetin e punës, po aq sa edhe për ndodhinë e veçantë që i dha kuptim ditës. Një kartolinë urimi për 67- vjetorin e lindjes së Kryeministrit Sali Berisha, nga Posta Shqiptare, iu besua pikërisht duarve të saj për t’i uruar ditëlindjen. “Më caktuan mua që të dërgoja kartolinën e urimit në shtëpinë e Kryeministrit. Ai nuk ndodhej në ato momente në shtëpi, sepse ishte i ngarkuar me një mision pune, por sigurisht që besimi që puna më ofroi, ishte vlerësim dhe kënaqësi për mua. Më ka emocionuar shumë ajo kartolinë…”. Shpeshherë ndodh të trokasë edhe në derën e poetit Xhevahir Spahiu, për t’i dorëzuar letërkëmbime të veçanta, dhe kjo e bën postieren të ndihet mirë. Sepse përditshmëria e saj është gjithnjë e mbushur me surpriza. Ajo rrallëherë e di se në derën e kujt do të trokasë sot, dhe fytyra e cilit qytetar do t’i shfaqet përballë!
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











