Posterat, Berisha kërkon lirimin e të rinjëve

Aug 17, 2011 | 21:10

Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar lirimin e katër të rinjve të cilët u arrestuan dy ditë më parë, pasi u kapën nga policia kryeqytetase duke ngjitur postera ku njoftohej  vdekja e kryeministrit, Berisha.

Kreu i qeverise kërkoi lirimin e katër të rinjve, ndërsa është shprehur se ata nuk kanë shprehur mendimin e tyre, duke akuzuar, kreun e opozitës, Edi Rama si autorin dhe porositësin e këtyre posterave.

“Posterat në fakt nuk shprehin aspak qëndrimin e tyre personal ndaj kryeministrit, por ishin thjesht përsëritje e rradhës së sindromit obsesiv mortor të skenaristit të tyre, zotit Rama, që ushqen dhe ngushëllon vehten duke imagjinuar fatkeqësi të kundërshtarëve të tij”- thuhet në reagimin e kryeministrisë.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë vdekjen e z.Sali Berisha. – Njoftimi nga familja. – Autorët e vdekjes: Viktimat e Gërdecit, Minatorët e Bulqizës etj.”

Sipas policisë, në këtë formë ishin formuluar posterat që të arrestuarit kishin ngjitur nëpër shtylla e mure, që në rast se do të qëndronin deri në mëngjes të ngjitur, atëherë do të sillnin mashtrimin e qytetarëve.

Nga policia u arrestuan 17-vjeçarit Geraldo Durda, i cili në tragjedinë e Gërdecit humbi vëllain e tij 7-vjeçar, mes të shoqëruarve në komisariat është dhe kreu i lëvizjes Rinia Aktive, Dritan Broka, nënkryetari Arlind Kote, si dhe aktivisti Klevis Bejleri.

© Panorama.al

Te lidhura