Posta Shqiptare shpërndan 200 certifikata të Sigurisë Elektronike

Jun 11, 2011 | 10:38

Në Muzeun Historik Kombëtar, në ambientet e Muzeut të Pullës, Posta Shqiptare prezantoi dje personin e 200-të, i cili është pajisur me Certifikatën e Sigurisë Elektronike. Kjo certifikatë është konsideruar tashmë si çelësi i privatësisë së komunikimit. Në prezencë të mediave, anëtarëve edhe ish-anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, Posta Shqiptare u tregoi dhe demonstroi me fakte interesimin e qytetarëve në sportelet e saj për pajisjen me Certifikatën e Sigurisë Elektronike. “Ne sot jemi të mbledhur në këtë takim për të promovuar një nga artikujt më të rinj që hedh në treg Posta Shqiptare; Certifikatën e Sigurisë Elektronike. Posta Shqiptare, si i vetmi operator në bashkëpunim me Postën e Italisë prej 3 muajsh, hedh në treg Certifikatën Elektronike për Individin dhe Certifikatën Elektronike për institucionet. Ky është një hap i ri drejt integrimit, një hap i ri drejt sigurisë, personalitetit dhe të drejtave të njeriut. Pra, ne do të bëjmë të mundur që komunikimi elektronik për secilin nga ne të jetë thellësisht i siguruar dhe i patranskiptueshëm nga të tjerët”, tha drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Arqile Gorea.  Ai shtoi se në çdo 10 letra që hyjnë në Shqipëri, 9 shpërndahen brenda 24 orëve. “Ne sot, si Postë Shqiptare, themelojmë edhe Shoqatën e Miqve të Sigurisë Elektronike, ku do të shpërndahen dhe Certifikatat e Miqve të Sigurisë Elektronike, që sot janë 200, nesër do të jenë 2 mijë dhe pse nesër, pasnesër. Ky shërbim do të jetë një pronë e të gjithë shqiptarëve. Nuk dua të lë pa përmendur as faktin për të cilin duhet të jemi krenar që jemi të parët në rajon pas Italisë, që aplikojmë dhe ofrojmë një produkt të tillë”, tha Gorea. Përmes këtij shërbimi edhe njëherë ne po dëshmojmë që teza e komunikimit Elektronik po sfidon shërbimin postar, nuk është plotësisht e vërtet. Prej afro tre muajsh, ka nisur zyrtarisht nga Posta Shqiptare shërbimi i Certifikimit Elektronik për individët, institucionet, por dhe bizneset.

© Panorama.al

Te lidhura