Portugalia bëhet “mur”, Spanja u falet penalltive

Jun 28, 2012 | 14:59

Spanja mund Portugalinë dhe Kristiano Ronaldon duke e përzënë nga Europiani. “Furitë e kuqe” iu falën këtë herë penalltive për të siguruar finalen e dytë radhazi.
Ekipi i Visente del Boskes trembi jo pak tifozët spanjollë, sepse ishte “lotaria” e 11-metërshave që i kualifikoi me vuajtje në finalen e madhe të Kievit. Barazim pa gola në një 90-minutësh të ekuilibruar, pa shumë raste për shënim, por në fund 4-2 ishin penalltitë në favor të “La Roja”-s, të cilët kanë tani shansin të shkruajnë historinë duke u bërë skuadra e parë që mund të fitojë tri evenimente ndërkombëtare radhazi. Ndeshja nisi me një Portugali shumë presuese në afërsi të zonës së Kasijasit, duke mos e lënë Spanjën të dilte në lojën e saj. Del Boske rreshtoi mes 11 “ushtarëve” të tij edhe sulmuesin Negredo, i cili nuk mundi të bënte asnjë goditje në portë deri në momentin e zëvendësimit. Sakaq nuk u kuptua edhe më pas “përjashtimi” i Fernando Torresit, i cili u la në stol për gjithë ndeshjen. Nga ana tjetër, luzitanët e udhëhequr nga Kristiano Ronaldo, por edhe nga një mbrojtje e ngritur mirë, nuk i lejuan asnjëherë spanjollët që të rrezikonin portën e Rui Patricios në 45 minutat e para, ndërsa reparti ofensiv krijoi disa raste për shënim. Duhet të vinte minuta e 63-të e takimit që Kampionët e Botës në fuqi të shfaqeshin rrezikshëm përpara portës së kundërshtarëve me një goditje nga larg e Ksavi Hernandes, por kjo nuk ishte shkëndija e zgjimit të spanjollëve, sepse Ronaldo me shokë goditën disa herë kuadratin e Kasijasit, duke përdorur kundërsulmin. Koha shtesë foli më shumë për Spanjën, që rrezikoi disa herë portën e luzitanëve me Pedro Rodriguez, por edhe Iniestën e Fabregas që zëvendësoi Negredon. Rasti më i mirë ishte për Iniestën, i cili pasi mori një top në zonë, ballë për ballë me Rui Patrision nuk arriti të shënojë. Në fakt, meritë të jashtëzakonshme pati edhe portieri, i cili reflektoi në të mijtën e sekondës pas gjuajtjes së fantazistit të Barcelonës. Gjithsesi, mbaruan në barazim edhe dy shtesat dhe lojtarët u paraqitën para ruletës së penalltive. Këto nisën me një goditje të Ksabi Alonsos e pritur nga Rui Patricio, por nga ana tjetër edhe Kasijas korrigjon gabimin e shokut duke pritur goditjen e Moutinjos. Më pas realizuan Iniesta, Pepe, Pike, Nani dhe Serxhio Ramos me një “lugë” si të Andrea Pirlos. Vendimin për fatin e ndeshjes e mori traversa ku u përplas topi i goditur nga portugezi Bruno Alvessh. I fundit nga spanjollët te pika e bardhë shkoi Fabregas, i cili pati gjakftohtësinë që ta çonte topin në cepin më të largët të portës, ku para se të prekte rrjetën, topi u përplas fillimisht në shtyllë. S’ka nevojë për penalltinë e fundit të portugezëve, pasi Spanja është në finale.

Skeda e ndeshjes
Portugali-Spanjë 0-0 (2-4 pen)

Penalltitë: Mutinjo pret portieri; Pepe gol; Nani gol; B.Alvesh shtyllë;/ Ksabi Alonso pret portieri; Iniesta gol; Pike gol; S.Ramos gol; Fabregas gol
Kartonë të verdhë: Koentrao, Pepe, Perreira, B.Alvesh, Veloso/ S.Ramos, Buskets, Arbeloa, Ksabi Alonso
Gjyqtarë: Çynejt Çakir/ B.Ongun dhe M.Ejisoj
Portugalia (4-1-2-3): Patrisio, Pereira, Pepe, B.Alvesh, Koentrao, Veloso (Kustodio 106’), Meireles (Varela 112’), Mutinjo, Nani, H.Almeida (N.Olivera 81’). Trajner: Paulo Bento
Spanja (4-3-3): Kasijas, Arbeloa, Piké, S.Ramos, J.Alba, Ksavi (Pedro 87’), Buskets, Ksabi Alonso, D.Silva (J.Navas 60’), Negredo (Fabregas 54’), Iniesta. Trajner: Visente del Boske

ANALIZA E NDEHSJES
Njeriu i ndeshjes – Serxho Ramos është shpallur njeriu i ndeshjes nga UEFA. Përveçse perfekt në mbrojtje gjatë 120 minutave, ai arriti të trembë edhe fantazmat e finales së Ligës së Kampioneve.
Më i dobëti – Negredo mund të luante kundër Irlandës, por jo kundër Portugalisë së Kristiano Ronaldos. Ishte më i dobëti.
Taktika – Paulo Bento deri tani është specialisti, mjeshtri që ka ditur të bllokojë Spanjën, sepse kishte vite që kampionët hoqën dorë nga futbolli i tyre i shpejtë dhe nisën të përdornin topat e gjatë. Për më shumë, Portugalia e tij kurrë nuk rreshti së sulmuari, por ata që e tradhtuan ishin sulmuesit, që shpërdoruan shumë. Ndërsa Spanja ishte totalisht jashtë forme.
Moviola – Asnjë episod praktikisht i dyshimtë. Mbase vetëm pak nervozizëm i tepruar në pjesën e dytë do kishte dashur një ashpërsi më të madhe nga ana e arbitrit turk.

S.Ramos
Gjakftohtë dhe mjaft i saktë. Mbrojtësi i Real Madridit, Serxhio Ramos, “kopjoi” Pirlon nga pika e bardhë e 11-metërshave, teksa shkonte dhe godiste me një parabolë të jashtëzakonshme, sikundër edhe fantazisti i Italisë. Kjo lloj penalltie u dha edhe më shumë besim spanjollëve dhe në një farë mënyre “u preu” këmbët dhe besimin portugezëve. Pas tij, Fabregas shkoi më i qetë te penalltia, duke i dhënë finalen Spanjës.

Kasijas
Kapiteni i Spanjës ka përgëzuar mënyrën se si shoku i tij Ramos gjuajti penalltinë. “Duhet të kesh zemër për të gjuajtur një penallti në këtë lloj mënyre si Ramos. Për të nuk ishte aspak e thjeshtë, pasi vinte nga një penallti që e pat humbur në Champions. Unë e kam thënë shpesh se penalltitë janë si një lotari. Është e vërtetë që i nisëm keq penalltitë,
por unë pata shansin të kapja tjetrën e portugezëve”, tha Kasijas.

Fabregas: Fola me topin, dua Gjermaninë
Cesk Fabregas vulosi kualifikimin e Spanjës për në finalen e kampionatin europian dhe kjo nuk ishte hera e parë që ai tregohej vendimtar për iberikët. Mesfushori pranon se e zgjodhi vetë mundësinë për të gjuajtur i fundit 11-metërshin. “Kur pashë listën, vura re se do isha i dyti. I kërkova Toni Grandes (zëvendëstrajnerit) që të gjuaja i fundit. E dija që kisha një rast të artë për të realizuar diçka të paharrueshme. Kisha një intuitë dhe ndjesi se do shënoja dhe penalltia ime do vuloste kualifikimin. Isha duke folur, por jo me veten. Po i flisja topit. Patëm një bisedë”, tha ai duke qeshur. “Finalja? Unë kam dëshirë të përballem me Gjermaninë”.

Bento: Duhet të fitonim për 90 minuta
Nuk e fsheh zhgënjimin për eliminimin, por edhe ndihet krenar për paraqitjen e Portugalisë. Paulo Bento mundohet t’i ngrejë moralin lojtarëve të tij: “Ne kemi bërë një paraqitje të shkëlqyer, pasi u kualifikuam në një grup me Gjermaninë, Holandën e Danimarkën. Eliminuan Çekinë dhe humbëm me penallti ndaj Spanjës. Mendoj se arritëm të ishim më superiorë për 90 minuta në ndeshjen e sotme (dje) dhe me pak fat do kishim fituar. Vetëm në kohën shtesë, spanjollët dominuan në zotërimin e topit, por pa mundur që të krijojnë raste të pastra për shënim. Jemi të gjithë krenarë, pasi po largohemi me kokën lart. Duhet të mendojmë për të vazhduar punën e nisur”, tha Bento.

Del Boske: E merituam edhe këtë finale
Trajneri i Kombëtares së Spanjës, Visente del Boske, ka përgëzuar të gjithë futbollistët e tij. “Dua ta nis deklaratën duke përgëzuar lojtarët e mi. Janë të jashtëzakonshëm. Ndaj një kundërshtari shumë të fortë ne ia dolëm mbanë që të kualifikohemi”, tha tekniku spanjoll. “E patëm të vështirë që të dalim në lojën tonë, pasi Portugalia ishte mjaft e përgatitur fizikisht dhe ushtronte presing te çdo lojtar që kishte topin në zotërim. Kjo na pengoi që të realizojmë atë që synonim në fushë, por gjithsesi u mbrojtëm mirë. Ndeshja ishte e barabartë për të dyja skuadrat, pasi neutralizuan lojën e njëra-tjetrës. Gjithsesi, te penalltitë ne u treguam më të qetë dhe të zotë”.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura