SEJDO HARKA/ Kush udhëtoi drejt Hamburgut të Gjermanisë, dhe nuk u befasua nga konturet gjigande të këtij qyteti-shtet, ekzistenca e të cilit, ndoshta ka moshën e qytetërimit botëror; nuk u mrekullua nga arkitektura e saj e papërsëritshme; nuk ndjeu frymëmarrjen e një bote të lirë plot shpresa dhe zhvillim; nuk shijoi mrekullinë e një infrastrukture të përsosur dhe jetën dinamike plot vrull të njerëzve, hapat e të cilëve u ngjajnë tiktakeve ritmike të një sahati, që nuk e ndal frymëmarrjen kurrë. Gumëzhimat e këtij qyteti gjigand plot jetë e vrull, i kanë tejkaluar me kohë kufijtë mes ditës dhe natës, mes dimrit dhe verës, mes ëndrrës dhe të vërtetës, dhe mes ekzistencës dhe mosekzistencës. Sapo të shkel këmba në mjediset e këtij qyteti të rrallë, ku çdo gjë ndodhet në vendin e vetë dhe në kohën e vetë, të duket sikur shijon harmoninë e tingujve më të ëmbël të një simfonie të ëmbël me dimensione gjithëkohore dhe hapësinore. Në çastin kur nisëm fluturimin me avionin e linjës Tiranë- Hamburg, bashkudhëtari ynë i rastësishëm, që kisha pranë, i cili dukej se udhëtonte për herë të parë me avion, thotë: “Ç’mendje e ndritur të ketë qenë ajo, që krijoi këtë “shpend” metalik gjigand, i cili mban mbi shpinë kaq shumë njerëz, të cilët, jo vetëm i afron me njeri- tjetrin, duke u shkurtuar distancat dhe kohën, por dhe u lehtëson stërmundimin, që u shkakton udhëtimi i gjatë tokësor dhe detar!”.

Me sa kuptova, qytetari, nëpërmjet kësaj pyetjeje sugjestive, nuk donte të mësonte emrat e atyre dijetarëve të rrallë, që e krijuan këtë mrekulli në shërbim të njerëzimit, por të shprehte habinë dhe kënaqësinë e tij për realizimin e kësaj ëndrre të madhe të shumë e shumë brezash, që nga kohërat e lashta. Megjithatë, unë, si për ta kthjelluar kërshërinë e tij të natyrshme, i shpjegova, se, ato mendje të ndritura guximtarësh, nuk ishin vetëm dijetarë, por edhe shkrimtarë si Selma Langerlof, e cila, për të shprehur ëndrrat fluturuese të njerëzimit, krijon personazhe të çuditshëm, si Nils Holgerson, i cili, për të realizuar “udhëtimin e tij të mrekullueshëm”, shalon mbi patokun e shtëpisë. Por meditimi i bashkudhëtarit, nuk mbaroi këtu. Për ta shtyrë më tej bisedën, hodhi për diskutim këtë sugjerim të trishtë, edhe për kohërat që po jetojmë: “Ah, sa mirë do të ishte sikur “zogj” të tillë gjigandë metalikë, të përdoreshin vetëm për të mirën e njerëzimit! Kush e di se ku do ishte bota. Por fatkeqësisht, edhe sot e kësaj dite, kur u fol për paqe globale, “skifterë” të tillë, që në barkun e tyre, në vend të njerëzve, që udhëtojnë të lumtur, mbajnë bomba e armë të sofistikuara, të cilat derdhen mbi koka të pafajshme njerëzish dhe mbi qytete, për të mbjellë mbi ta vdekje dhe shkatërrime apokaliptike.” Meditacione të tilla njerëzish, fatkeqësisht, edhe në ditët e sotme, s’kanë të mbaruar, por le të rikthehemi tek objekti kryesor i këtyre shënimeve udhëtimi:
MREKULLITË NATYRORE DHE NJERËZORE
Për nga shtrirja hapësinore, popullsia dhe mrekullitë natyrore e njerëzore, qyteti-shtet i Hamburgut, pas Berlinit, zë vendin e dytë në Gjermani. Ndërsa, mes qyteteve të Bashkimit Europian, ai zë vendin e gjashtë. Ky qytet shtrihet në pikën më jugore të gadishullit të Jutlandës. Në Jug, ai kufizohet me Europën Kontinentale, në Veri me vendet Skandinave, në Perëndim me Detin e Veriut dhe në Veri-Lindje me detin Baltik. Qendra e Hamburgut shtrihet mes Alsterit të Brendshëm dhe Alsterit të Jashtëm. Diga që bashkon këto dy degë lumenjsh, krijon liqenin madhështor, që i jep këtij qyteti mrekullinë magjike dhe freskinë e rrallë. Ndërsa lumi Elba, që e përshkon këtë qytet mespërmes dhe kanalet e shumtë ujorë, që ushqehen prej tij, i japin Hamburgut pamjen e një Venecie të çuditshme, që duket sikur noton në një det të pafund, si një shandan magjik. Hamburgu është një nga landet më të populluara të Gjermanisë. Ai shtrihet në Veri të këtij vendi të begatë, në një truall të rrafshët, me një klimë të ftohtë dhe shumë të lagësht, ku shumica e ditëve të vitit mbulohet nga mjegullnajat, shkreptimat, shirat, bora dhe ngricat e ftohta, që prekin çdo pëllëmbë të trojeve të tij.
Koha dhe temperaturat e këtij qyteti, shpesh karakterizohen nga ndryshimet ekstreme. Si një nga qytetet më të hershëm të Gjermanisë, Hamburgu është quajtur “Qyteti i Lirë” i Lidhjes Hanseatike Mesjetare. Ky qytet, që në kohët e hershme, është njohur si qytet-shteti i lirë i Perandorisë së Shenjtë Romake. Hamburgu ka qenë dhe mbetet një qendër e përparuar dhe moderne industriale, me një pontencial të lartë ekonomiko-financiar, kulturor e mediatik, që konkurron, jo vetëm brenda Gjermanisë, por edhe në Europë dhe në botë. Në këtë qytet-shtet, funksionon një industri moderne e prodhimit të mjeteve të prodhimit; selia e bankës financiare, që për nga hershmëria e veprimtarisë së saj, zë vendin e dytë në botë. Në Hamburg zhvillojnë veprimtarinë e tyre të suksesshme 120.000 biznese. Në qendër të tij zhvillojnë veprimtarinë e tyre të fuqishme disa qendra mediatike, si ajo me emrin “Spiker verlag”. Ky vend shquhet për prodhimin e patates më cilësore në botë dhe për pemtarinë e rrallë. Në rajonin, të cilin hamburgasit e quajnë “Toka e vjetër”, prodhohen frutat më cilësore në Europën Qendrore. Hamburgu ka një popullsi prej 1,7 milionë banorë, me një përbërje heterogjene, prej 18 kombesh të ndryshme. Përveç gjermanëve, në këtë vend ka shumë turq, polakë, afrikanë etj.
Në këtë qytet ka edhe një komunitet shqiptarësh, që kanë ardhur nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët, jo vetëm shquhen me punën dhe sukseset e tyre, por, të inkuadruar në shoqata atdhetare-kulturore, zhvillojnë një veprimtari të dendur për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, të kulturës dhe të vlerave më të mira të traditave shqiptare… Trojet ku shtrihen konturet gjigande të Hamburgut, janë, jo vetëm një fushë e begatë me prodhime të bollshme, por edhe me pyje e gjelbërim të pafund dhe ujëra të bollshme. Brigjet e këtij vendi lagen nga dallgët e disa deteve. Tokat e saj të begata përshkohen nga disa lumenj, moria e kanaleve ujorë dhe shumë liqene natyrorë dhe të krijuar nga dora e mendja e njeriut, të cilët i japin këtij qyteti një pamje të papërsëritshme. Ndërsa rrugët e gjera plot dritë e rregull, pallatet dhe ndërtesat e tjera plot hijeshi e frymëmarrje, të ndërtuara me një arkitekturë të papërsëritshme, krijojnë një ansambël mahnitës, ku mbretëron tulla speciale me ngjyrën e vishnjës së thellë, e cila, edhe pse shumica e këtyre ndërtimeve ka moshën mbi 200-vjeçare, u jep atyre shkëlqimin e artë, sikur të jenë ndërtuar sot.
Ajo që bie në sy në mjediset e këtij qyteti janë : hapësirat e gjera, rrugët e përsosura, pastërtia e rrallë, çatitë alpine me tjegulla speciale, që ndrijnë si ari, gjelbërimi përrallor, aq sa kur i sodit nga larg, të ngjan me një mrekulli të jashtëzakonshme të rënë nga qielli. Këtë qytet përrallor që e përshkon mes përmes një mori kanalesh ujorë si trupin e njeriut arteriet e gjakut, e bashkojnë 2500 ura, që ja shtojnë më tej hijeshinë. Hamburgu është, pëllëmbë e gjelbërim, kilometër dhe parqe, në tërë shtrirjen e tij tokësore. Vetëm qendra e këtij qyteti, ka dy parqe gjigandë, njeri më i madh se tjetri. Por, dallohen nga njeri-tjetri nga tipologjia e ndërtimit dhe e përbërjes bimore dhe shtazore. I pari, që ndodhet përkrah qytetit, është një krijesë mahnitëse e dorës së artë të njeriut, i cili, nga hamburgasit që jetojnë përreth tij, vlerësohet si “Mushkëritë e qytetit”. Në këtë park të rrallë harmonizohen bukur fauna natyrore me detin e luleve të kultivuara, të cilat krijojnë një ansambël të rrallë çlodhës dhe argëtues për vizitorët, që vijnë, jo vetëm nga të gjitha anët e vendit, por dhe e gjithë Europa e bota.
PARKU I MADH
Më pas vizituam edhe parkun e madh natyral, i cili të mrekullon me pyjet e pafund dhe bimësinë e lulet e tyre më të rralla, që rriten në këto vise, të cilat e mrekullojnë sipërfaqen gjigante të këtij parku natyral, të pasur me mjedise të shumta shlodhëse, argëtuese dhe sportive. Në qendrën e këtij parku të madh natyror ndodhet dhe një liqen i madhështor natyror, ku vozitin varka, bukurinë e të cilit e bën më të rrallë një shumëllojshmëri e madhe shpendësh, që notojnë e lodrojnë, në paqe të plotë me njerëzit, pa u shqetësuar fare. Një mrekulli tjetër çlodhëse dhe argëtuese e Hamburgut është kopshti zoologjik, ku ndodhen pothuajse të gjitha kafshët e egra që ekzistojnë në botë, të cilët jetojnë të lirë dhe në kushte natyrale, gati të njëjta me ato që kanë jetuar natyralisht nëpër pyjet, stepat, shkretëtirat, detet, lumenjtë dhe shpellat e shkëmbinjtë e thepisur. Kur i sheh këto kafshë në mjedise të tilla të çuditshme, harron se je në një kopsht zoologjik të ndërtuar nga dora e njeriut.
Të duket sikur je vërtet, në stepat e largëta, apo në shkretëtirat e vërteta të Saharasë, mes kafshëve, nga më të çuditshme. Hamburgu shquhet, edhe për institucionet e rralla kulturore, sallat moderne dhe për jetën e rrallë të natës. Një nga institucionet kulturore më të mira të Hamburgut, të cilin patëm kënaqësinë ta vizitojmë, është Filarmonia (Elbphilarmonie), veprimtaritë e të cilës vazhdojnë ditë e natë. Hamburgu shquhet edhe për transportin e përsosur të qytetarëve, ku harmonizohen bukur e me përpikëri të gjitha llojet e tij: transporti tokësor, hekurudhor, ujor dhe ai ajror. Aq bukur harmonizohen ato, sa që, në mjediset e këtij qyteti nuk mund të ndodhë që përballesh me trafiqe të gjata dhe konfuzione, që shqetësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, edhe në ditët më të ngarkuara. Është kjo arsyeja që në rrugët e Hamburgut, edhe pse udhëtuam rreth 15 ditë rresht, nuk pamë asnjë polic trafiku rrugëve.
PORTA E BOTËS
Një nga mrekullitë më të rralla të Hamburgut, është porti i tij madhështor, i cili është baza e zhvillimit ekonomiko-financiar të tij. Ai është një nga portet më të mëdhenj të Europës( i treti nga madhësia). Për shkak se shërben si një urë lidhëse mes këtij qyteti-shtet dhe botës, ai, ndryshe, quhet “Porta e botës”. Në këtë port punojnë rreth 15 mijë punonjës. Ky port ngrihet mbi brigjet e një deti të pafund, i cili, natë e ditë, uturin nga llapashitjet e anijeve gjigande dhe të kontejnerëve të pafund, që nuk kanë të mbaruar. Kur ndodhesh pranë këtij porti, sytë të ngulen tek lokalet luksoze, mbushur me njerëz, që derdhen aty, nga të katra anët e botës, pa u ndalur. Ata i sheh të shkujdesur, gjithkush në botën e vetë, por secili brenda ligjeve dhe normave të veta. Për ta bërë këtë port sa më të dobishëm për ekonominë e vendit dhe njerëzit që e frekuentojnë, është duke ngritur një qendër të re financiare, tregtare dhe kulturore, e cila do të çlirojë energji të reja ekonomike, atraktive dhe argëtuese për qytetarët.
Krupunder dhe muret e gjelbër
Krupunder, kështu quhej një qytezë me qetësi dhe bukuri përrallore, që ndodhet shumë afër qendrës gjigande të Hamburgut. Shumë gjëra të rralla më bënë përshtypje në këtë vend të mrekullueshëm, por në pamundësi për t’i përmendur të gjitha, po ndalem vetëm në disa prej tyre. Pallatet dhe vilat mahnitëse, me çati alpine, (për t’u mbrojtur nga bora e madhe që bien në këto anë), të cilat të kujtojnë çatitë alpine të Shqipërisë së Veriut ; rrugët e pastra, aq sa të vinte keq t’i shkelje me këmbë; liqeni natyral mahnitës, në mes të kësaj qyteze, që rrethohej nga një pyll natyral i dendur, nga shpendët e egra të shumëllojta dhe njerëzit e shumtë, që të buzëqeshnin dhe të përshëndesnin si të ishim miqtë e tyre. Por, në këtë qytezë të vogël, në mënyrë të veçantë, të mrekullojnë muret e gjelbër, të ndërtuar me lule të çuditshme, me të cilët rrethohen rrugët, mjediset sociale, pallatet dhe vilat luksoze, jo vetëm për t’i zbukuruar, por edhe për t’i mbrojtur.
LYBEKU, NJË MREKULLI…
Vizitën e fundit, mes përmes Gjermanisë, e bëmë në Lybek. Ai është një qytet i rrallë, që ndodhet në Veri të Gjermanisë, në Republikën Schleswig-Halstein. Lybeku ka një popullsi prej 214.000 banorë. Ai është qyteti i dytë gjerman, që, për vlerat e rralla muzeale dhe historike, mbrohet dhe zhvillohet nga UNESKO. Lybeku ka qenë qyteti më i rëndësishëm i Lidhjes Honseatike të shk. XV. Relievi i tij ka një formë vezake dhe qarkohet nga të gjitha anët nga lumi Trave, i cili, ngaqë është i lundrueshëm, shërben edhe për transportin urban të qytetarëve dhe për vozitje argëtuese me varka. Jo shumë larg këtij qyteti ndodhet dhe plazhi Travemunde, ku, për çudi, njerëzit lahen edhe nën temperaturën 12 gradë. Ajo, që më mrekulloi më shumë në këtë qytet ishte se, në ndërtimet e saj pashë edhe disa copëza arkitektonike, që dukeshin sikur ishin shkëputur nga Gjirokastra dhe Berati ynë i mrekullueshëm. Duke shëtitur përmes qytetërimi të artë të Lybekut, papritur, herë më shfaqeshin sokakët dhe kalldrëmet me gurë të Gjirokastrës, dhe herë hija e një mbi një dritareve beratase, që shkëlqenin plot dritë, si shandane mbi mrekullitë arkitektonike të Lybrekut fantastik gjerman
Në qendrën e këtij qyteti fantastik, na tërhoqi vëmendjen një ndërtesë e rrallë që përbëhej nga dy kulla gjigande konike, të cilat i lidhte një fasadë plot ngjyra dhe histori. Kjo qendër e rrallë muzeale përçon brez pas brezi, jo vetëm historinë e gjallë të Lybekut, por dhe të Gjermanisë, mes viteve 1477- 1871. Ai është një muze shumë i pasur, me ngjarje dhe histori të rralla. Ndaj vizitohet me kënaqësi nga një mori e madhe vizitorësh, që vinë nga të gjitha kombet dhe gjuhët e botës.
SI ËSHTË TË PUNOSH DHE JETOSH NË HAMBURG
Ja, kjo është pyetja, që i bëra djaloshit emigrant shqiptar, Lavdërim Sulejmani, që punonte në lokalin e tij, në Krupunder të Gjermanisë. Është një mrekulli, m’u përgjigj ai, i lumtur dhe plot besim për të ardhmen e tij. Sapo ky djalë, tepër gazmor dhe i sjellshëm, mori vesh që ishim shqiptarë, i malluar për gjuhën dhe trojet tona, na priti me respekt e dashuri të rrallë, sikur të ishim miqtë dhe shokët e tij. Kur dëgjova përshëndetjen e tuaj në gjuhën shqipe, tha ai, m’u duk sikur më dhuruat një copëz nga Kosova e të parëve të mi. Edhe pse këtu jetoj shumë herë më mirë, kjo nuk do të thotë të harroj gjuhën dhe trojet e mia… Ndërsa, i ati i tij Samiu, që drejtonte biznesin familjar, shtoi : -Është e vërtetë se, të punosh dhe jetosh në Gjermani është një mrekulli, por, që ta arrish këtë mrekulli, duhet të konkurosh me punë të ndershme, rregull dhe rigoriozitet në zbatimin e ligjeve të shtetit dhe normave shoqërore të komunitetit ku banon. Kemi 10 vite që kemi çelur këtë biznes dhe tashmë e ndjejmë veten çdo vit e më mirë. Suksesi i biznesit, patjetër që varet nga puna që bën individi, që e menaxhon, por dhe nga liria, inkurajimi dhe ndihma që të jep shteti, sidomos ai vendor. Këtu, është shteti që të nxit, të inkurajon dhe të ndihmon me politikat e tij sociale.
Kështu, kur ti merr përsipër të krijosh një biznes, vitin e parë, të përjashton nga taksat dhe të ndihmon për kualifikimin dhe informimin për rregullat, ligjet, të drejtat dhe detyrimet, që biznesmeni përgjegjës ka ndaj pushtetit komunitar. Në Gjermani, askush nuk mund të guxojë të dalë mbi ligjet dhe rregullat e përcaktuara mirë. Askush nuk mund të guxojë të kontrollojë biznesin tënd për të gjobitur, në emër të shtetit, me synimin për të përfituar ryshfet. Këtu, çdo gjë është e digjitalizuar. Shansi i abuzimit me taksat është zero. Prandaj, edhe pse kam 10 vite që e kam ngritur biznesin, ngaqë s’i kam lejuar vetes asnjë shkelje, nuk ka ardhur askush të më kontrollojë, ose të më tërheqë vëmendjen. Është kjo një nga përparësitë e këtij shteti, që na bën ta ndjejmë veten të lirë dhe të barabartë dhe me mundësi të mira suksesi.
MUNDËSITË QË TË OFRON QYTETI
Janë të shumtë emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Hamburg, apo në vende të tjera të Gjermanisë, që mendojnë, se, të punosh e jetosh në këtë vend të begatë, është privilegj i rrallë. Edhe pse ky vend ka një klimë të ashpër dhe me luhatje ekstreme, janë të shumta mundësitë që ky vend të jep për të gjetur vetveten dhe për zhvillimin e ëndrrave dhe iniciativave të guximshme. Mundësitë që u krijon ky vend për të garantuar suksesin janë të shumta, por ne do të përmendim disa prej tyre: Mundësitë për të gjetur një punë të përshtatshme, sipas aftësive dhe mundësive. Qiratë e arsyeshme dhe çmimet e gjërave më të domosdoshme për një jetë normale. Gjithçka, në këtë vend, harmonizohet në proporcion të drejtë me rrogat dhe burimet e tjera financiare. Gjermania është një shtet social.
Askush nuk vuan për mjetet minimale të jetesës. Prandaj, atje, askund nuk gjen lyps që të shtrijë dorën rrugëve për lëmoshë. Kushdo që është i paaftë fizikisht të punojë, apo që nuk gjen dot punë, shteti i krijon mundësitë e domosdoshme për një jetesë normale, derisa ai të aftësohet dhe të gjejë një punë të përshtatshme. Kur bëhesh qytetar i këtij vendi, të krijon mundësi të barabarta, për zhvillimin e bizneseve dhe iniciativa të tjera individuale, për arsimimin dhe kualifikimin individual të të gjitha llojeve. Të ndihmon me vlera monetare për ndjekjen e shkollave të larta, me të drejtë kthimi, pas mbarimit të shkollës dhe punësimit. Ndërsa pyetjes: ‘’Si sillen hamburgasit dhe gjermanët autoktonë me të huajt, veçanërisht me shqiptarët, emigrantë të ndryshëm i përgjigjen në mënyra të ndryshme. Ka prej tyre që thonë se hamburgasit dhe gjermanët, në përgjithësi janë njerëz të ftohtë dhe jomiqësorë. Sipas tyre, ata janë njerëz të mbyllur në rrethet e tyre të ngushta shoqërore. Ndërsa të tjerë thonë se, edhe pse në dukje ata shfaqen si qytetarë të ftohtë, hamburgasit tregohen të gatshëm të të ndihmojnë, nëse i bind me sjelljen dhe sinqeritetin tënd. Ndërsa Iridoni, i cili ka disa vite që punon dhe bashkëjeton në një komunitet me ta, mes të tjerash thotë, se, hamburgasit, jo vetëm të buzëqeshin dhe të përshëndesin me respekt të rrallë qytetar, por edhe të ndihmojnë e mbështesin, kur janë të bindur që ti je njeri punëtor, i ditur dhe zbatues korrekt i ligjeve dhe normave e rregullave shoqërore gjermane. Puna dhe bashkëjetesa jonë me gjermanët është një shkollë e madhe, që na ngulit disiplinën e hekurt, lirinë e mendimit dhe veprimit dhe normat e sjelljes e të bashkëjetesës në komunitet.
Së fundi, mund të themi, se, të punosh e të jetosh në Hamburg, do të thotë të shijosh mrekullitë natyrore dhe njerëzore, dimensionet e lirisë së vërtetë, ajrin e pastër dhe ujin e bollshëm e të kristaltë, por dhe frutin e një pune të lodhshme plot përgjegjësi. Hamburgu ka edhe disa përparësi të veçanta, që nuk i gjen në vendet e tjera të Gjermanisë. Ky qytet-shtet është vendi i parë gjermanik i lirisë së besimit fetar. Hamburgu, ka kohë që ka lejuar zyrtarisht organizimin e festive islame. Një përparësi tjetër e veçantë, që Hamburgu po lufton të realizojë, është ndalimi gradual i qarkullimit të automjeteve që punojnë me naftë e benzinë dhe mënjanimin e mjeteve të rënda nga rrugët kryesore të qyteteve që ndotin mjedisin, për rritjen cilësore të ajrit. Pasi shëtitëm për disa ditë mes për mes mrekullive të Hamburgut dhe të disa qyteteve të tjera të Gjermanisë Veriore, në memorien time u rishfaq pyetja retorike, që ia kam bërë vetes shpesh: Si arriti Gjermania, të ngrihet kaq lart, në një kohë rekord, si feniksi nga hiri që lanë luftërat apokaliptike, thellësisht shkatërruese, duke u bërë lokomotiva e zhvillimit modern e demokratik në Europë dhe përtej saj?! Përgjigjen më të plotë, dëshiroj t’ia lë lexuesit. Por sidoqoftë, dëshiroj t’i shtoj përgjigjes suaj edhe mendimin tim të shkurtër: Ishte vizioni, ligji i hekurt, puna e shkrirë në gjak dhe vendosmëria e një populli ambicioz e të guximshëm, si ai gjerman, për të ecur vetëm përpara…
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











