“Popu”, drama që shkroi Adem Demaçi në qeli në 1969, si e nxori jashtë burgut! Përvjetori i vdekjes, kush ishte “Mandela” i Kosovës

Jul 28, 2025 | 12:17

Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi ndërroi jetë shtatë vjet më parë. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë.

adem demaci

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe “Nelson Mandela” i Evropës. Veprimtar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi njihet ndryshe si Mandela i Kosovës. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi dje këtë figurë të shquar të çështjes kombëtare shqiptare.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera. Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombit shqiptar, mbi pesë dekada. Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, u shndërrua në një personalitet të përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai ka shkruar romanin “Gjarprijt e gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjetë. Pasditen e 26 korrikut të vitit 2018, Demaçi ndërroi jetë. Në nderim të tij u organizuan shumë aktivitete shtetërore si dhe u mbajtën tri ditë zie në Kosovë. Ky personalitet i shquar, Adem Demaçi shquhet për rezistencën e tij kundër shtypjes dhe padrejtësisë. Ai bëri 28 vjet ne burgjet jogusllave, vetëm pse angazhohej për të drejtat e shqiptarëve për të qenë barabartë me të tjerët. Libri i tij “Gjarpijt e gjakut” gjatë kohës së komunizmit ka qenë i ndaluar. Për kontributin e tij në luftimin e shtypjes dhe diskriminimit, për lirinë dhe barazinë, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, nga Parlamenti Evropian i është dhënë çmimi “Sakharov”.

LËVIZJA

Në fillim të viteve ’60 ishin krijuar në disa qytete të Kosovës, si në Pejë, Gjakovë e gjetiu, organizata të ndryshme, që luftonin në mbrojtje të kauzës kombëtare. Duke parë disponimin e masës për t’iu kundërvënë terrorit dhe dhunës së shtetit totalitar, veçmas politikës së egër antishqiptare, Demaçi bëri çmos të formohej Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, si dhe hartoi (bashkë me Ramadan Shalën, tash të ndjerë) Statutin dhe Programin e Lëvizjes. Lëvizja formoi komitetet e saj në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan; ndërmori një varg aksionesh për ngritjen e flamujve kombëtarë, u përpoq të vite kontakte me lëvizjet e ndryshme revolucionare dhe ta propagandonte sa më shumë çështjen e pazgjidhur kombëtare të shqiptarëve në Ballkan. Megjithatë, kjo LRBSH u zbulua mjaft herët dhe Demaçi si kryetari i saj u dënua me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burg të rëndë, të cilat në fillim i vuajti në Nish, e pastaj, për ta larguar sa më shumë nga familja, e dërguan në Pozharevc, ku në kohën e ishJugosllavisë kishin vuajtur dënimet shumë atdhetarë shqiptarë, midis të cilëve edhe Azem Bejta. Po e theksojmë këtë fakt, sepse kjo mbase do të jetë arsyeja që Demaçi të shkruajë në shtator të vitit 1969 dramën e parë me titull “Popu” (shkurtim i fjalëve politika dhe pu-shka), dorëshkrimin e së cilës e nxori nga burgu Xhafer Mahmutxhiku, kryetar i Komitetit të Prishtinës, në një arkë me dy kapakë.

NDRYSHIMET

Pas ndryshimeve dekorative politike në ish-Jugosllavi më 1966, dënimin ia zvogëluan në 10 (dhjetë) vjet, të cilat i vuajti ditë më ditë deri më 8 qershor 1974. Për herë të tretë ra në burg më 6 tetor 1975 në procesin e montuar politik dhe u dënua përsëri me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burg të rëndë, vite këto të cilat do t’i vuajë në burgun famëkeq të Stara Gradishkës. Më 21 prill 1990, me urdhrin e kryesisë shtetërore të ishJugosllavisë, lirohet pesë muaj e gjysmë para se ta kryente dënimin e plotë. Janë proverbiale fjalët e tij pas daljes nga burgu: Që nga 21 prilli i këtij viti ndodhem në burgun më të madh në botë, që e njeh historia e njerëzimit – në burgun e Kosovës, ku më se dy milionë Shqiptarë nga regjimi hegjemonistshovinist-terrorist janë zhveshur nga të gjitha liritë dhe të drejtat më elementare njerëzore e kombëtare. Si luftëtarit më të paepur për lirinë e mendimit, si mbrojtësit më këmbëngulës të lirive dhe të drejtave të njeriut, Parlamenti Evropian, më 4 dhjetor 1991, i dha Çmimin Sakharov. Të theksojmë se këtë çmim deri më tash e kishin marrë: Sakharov-i, emrin e të cilit e mban, Dubçeku, Nelson Mandela, Marçenko, Aung Sun, disa nga të cilët (Mandela, Aung Su) u bënë më vonë edhe fitues të çmimit Nobel. Me këtë rast, në Parlamentin Evropian, Demaçi tha se duke më nderuar mua, keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por gjithmonë liridashës, paqedashës e krenar. Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant dhe për përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur në të drejtat e njeriut dhe në shumësi kulturore, që do t’u bënin të mundshme grupeve etnike të ishJugosllavisë të jetonin së bashku në paqe e harmoni…

Dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur qarqet shoviniste serbe e akuzonin për luftënxitje?! Në shkurt të vitit 1994, pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan shkrimtarin Adem Demaçi për çmimin Nobel për letërsi. Në shtator 1994 u kandidua sërish-tani për çmimin Nobel për Paqe, me çrast theksoi se ky është një nder për mua dhe një mirënjohje për popullin shqiptar. Ndërkaq, më 14 dhjetor 1995 Adem Demaçit iu dorëzua Çmimi për të Drejtat e Njeriut i Universitetit të Oslos. Demaçi, duke shprehur falënderimin për këtë çmim, tha: “Këtë mirënjohje nuk e kuptoj vetëm si mirënjohje të punës dhe të luftës sime për të drejtat e popullit tim, por edhe si dëshirë të qeverisë e të inteligjencies paqedashëse norvegjeze që t’i tërheqë vëmendjen opinionit të gjerë ndërkombëtare për problemin e Kosovës”. Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë, në bashkëpunim me Shoqatën simotër AICL dhe Universitetin francez, dhe me dekanin e Universitetin e Prishtinës, Bujar Dugolli, në dhjetorin e vitit 2016, është nominuar zyrtarisht për çmimin Nobel për Paqe. Ndërroi jetë më 26 korrik 2018 në Prishtinë, Kosovë në moshën 82-vjeçare. Sot Adem Demaçi prehet ne Panteonin shqiptar./Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura