
Pas pak vitesh nuk është çudi t’i ngjajë një kënete. Jo për faj të ndryshimeve klimaterike. Është i vetmi vend në Tiranë ku tenton të thithësh pak oksigjen të pastër e të pish ndonjë kafe mëngjesore në qetësi.
Nëse kjo ndodh rrallë, nuk i jep fort rëndësi nivelit të ujit që sa vjen e tkurret. Ndoshta të shkon kalimthi mendimi se Liqeni po thahet fiks si me dorë. Por vetëm kaq. Ke boll gjëra të tjera për të menduar, sidomos herët në mëngjes. Përgjithësisht tenton të jesh largpamës dhe të mos ulësh kokën për të parë çfarë ndodh nën këmbët e tua. Derisa një nga këto ditë “natyraliste”, fill pasi përfundon së gjerburi kafenë, sytë të zënë një pompë që thith pa zhurmë ujin e Liqenit. Fare pranë digës. Me ta parë, hedh vështrimin në të gjithë vijën dhe sheh që uji është tërhequr me të paktën 5 metra. Nuk paska të bëjë vapa. Vera e tillë ka qenë gjithnjë në kryeqytet. Fillon e mendon pak më thellë. Uji i Liqenit, përveçse është i rrethuar në gjysmën e tij nga betoni, thithet me pompë nga lokale aty pranë. Puna nis që në mëngjes. Fotot flasin qartë. E, nëse situatën tashmë e sheh me këtë sy, kupton se masakra që po ndodh është alarmante. Të shfaqen imazhet e të paktën dhjetë viteve më parë, kur Liqeni Artificial nuk kishte atë ngjyrën e përhimët në “zgjyrë” që ka sot, i mbuluar nga papastërtitë. Janë hektarë të tërë uji që janë shndërruar. Por, nëse vijohet kështu, edhe ato shumë shpejt do të na lënë shëndenë. Nëse kanalizimet nuk rregullohen, nëse lejohet thithja e pamëshirshme e ujit nga bizneset private, shumë shpejt do të themi: “Po dal të bëj një xhiro nga ish-Liqeni”. Sepse do të mbeten vetëm gjurmë të tij dhe asgjë më shumë. DËSHMITË E TË VJETËRVE
Janë çdo mëngjes në të njëjtin vend për të marrë rrezet e para të diellit. Ata mund të të konfirmojnë më mirë se çdokush si është shndërruar Liqeni. Kanë më shumë se 20 vjet që nuk e ndërrojnë zakonin. Të gjithë të moshuar, simpatikë dhe të nxirë. Dikush tenton edhe të peshkojë, por në fytyrë i lexohet një lloj zymtësie që nuk ka lidhje me qetësinë që të jep peshkimi. “Kemi vetëm nja dy shokë që vazhdojnë futen në Liqen e notojnë. Dikur e bënim të gjithë. Tani është uji i qelbur”, thotë njëri prej tyre. Kur e pyet për sipërfaqen, përgjigjja që merr vetëm sa të shton inatin. “Si nata me ditën. Ja, duket vija. Po të shohësh, uji ka qenë deri atje lart, shihe si është tharë tani. Thithet me pompa jo vetëm nga ky krah i digës, por edhe përballë tij”, thotë i moshuari. Teksa i tregojmë fotot që kemi bërë, na pohon se ka pompa edhe më të mëdha se ajo që ka fiksuar aparati. Disa prej tyre edhe të fshehura. “Përveçse thithet me pompa, aty derdhen ujërat e zeza. Kjo punë ka vite, na e kanë thënë edhe këta punëtorët vetë. E kanë shkatërruar parkun. Fajin e kanë më shumë ata që e lejojnë këtë situatë dhe nuk marrin masa”, thotë i moshuari.
LIQENI, SI MOÇAL

Në të gjitha qytetet pa det, zakonisht ka ndonjë “oazë” të tillë që u jep frymëmarrje dhe mundësi çlodhjeje banorëve. Gjetkë, në mes të Europës, sheh njerëz që i kalojnë fundjavat buzë liqenit, duke notuar e duke marrë rreze. Në Tiranë nuk mund të ndodhë kështu. Përveç disa grupeve të moshuarish që nuk heqin dorë nga zakoni i vjetër, askush nuk ka pikën e dëshirës të notojë në llumë. As të marrë rreze buzë një liqeni ku gëlojnë mushkonjat dhe asfiksohesh nga era e rëndë e papastërtive. Ka vite që është lënë në harresë dhe nuk vë kush dorë për ta furnizuar me ujë. Nëse strukturat përkatëse nuk marrin masa, për pak kohë do të jetë vonë. Ai do të kthehet në një moçal dhe do të braktiset nga të gjithë. Parku i Liqenit Artificial mbledh çdo ditë qindra qytetarë, shumë prej të cilëve vrapojnë, të tjerë shëtisin fëmijët. Të gjithë në kërkim të pak ajri, që për hir të së vërtetës, në Tiranë është më i ndotur se në çdo qytet tjetër europian. Në kërkim të pak qetësie që ta jep natyra. “Dalim çdo ditë në mëngjes dhe pasdite. Sapo na ka lindur vajza. Pjesa tjetër e Tiranës është beton, kështu që kjo është e vetmja mundësi që kemi për të shëtitur”, thotë një çift i ri. Të tillë ka me dhjetëra, ashtu siç pas orës 7 të mbrëmjes, edhe në mëngjes herët qytetarët dynden qoftë edhe për një xhiro të vetme.
SIPËRFAQJA
Parku i Liqenit Artificial ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 265 hektarësh dhe sipërfaqe të gjelbër 211 hektarë. Ai u realizua në jug të kryeqytetit, në vitet ‘50. Jo shumë kohë më parë një dëm kolosal iu shkaktua faunës dhe florës së Liqenit pas një sasie të konsiderueshme boje të hedhur qëllimisht aty.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











