Polovina: Lëvizjet e Mehmet Shehut në udhëtimin e vitit ‘60

Aug 25, 2011 | 13:42
Ylli Polovina

Mënyra se si u sigurua në Ambasadën amerikane në Argjentinë dokumenti sekret mbi Mehmet Shehun dhe mbërritja e tij në Tiranë, pikërisht në prag të Kongresit të PPSH-së, i quajtur ndryshe edhe si Kongres i Vazhdimësisë (një vit pas vdekjes së Enver Hoxhës), e bëjnë të dyshojë fort autorin e librit “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”. Në këtë pjesë libri që iu servirim sot, Ylli Polovina i mëshon mendimit të tij se ky dokument nuk ishte rastësor. Gjithashtu, ai na ofron një copëz nga udhëtimi i Mehmet Shehut pas Konferencës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në bordin e vaporit “Liberte”. I gjithë ky udhëtim u shoqërua me një sërë radiogramesh, ku raportohej jo vetëm çdo lëvizje e kryeministrit shqiptar të asaj kohe, Mehmet Shehu, por edhe të delegacioneve të tjera, si ruse e jugosllave dhe më konkretisht të Hrushovit dhe Titos. Radiogramet ofrojnë raportime të shkurtra, të cilat veç e veç nuk kanë ndonjë vlerë të madhe, por që tregon se sa i detajuar ishte informacioni që i shkonte Enver Hoxhës mbi çdo lëvizje të Mehmet Shehut. Një takim i mundshëm me Titon apo me Randolf Çërçillin, të birin e kryeministrit britanik, nuk do të shpëtonte pa u vënë re. Autori ka zhvilluar edhe një takim me përkthyesin e Mehmet Shehut, dëshmitarit të vetëm të ngjarjes, Agim Popën, i cili e mohon se Mehmet Shehu mund të ketë takuar ndonjë nga të mësipërmit gjatë rrugëtimit të tij drejt Nju Jorkut, në bordin e transoqeanikut “Queen Elisabeeth”.

Pjesë nga libri
E marta e 11 tetorit që prej brigjeve të Atlantikut drejt Tiranës lëvizi nëpër eter tre mesazhe. I pari përmbante 46 fjalë: “Në njëmbëdhjetë tetor u nis nga Nju Jorku për në atdhe me vaporin francez “Liberté” Kryeministri. Në portin e Nju Jorkut shoku Mehmet Shehu u përcoll nga ministri Behar Shtylla, nga përfaqësuesi i përhershëm Reiz Malile, si edhe nga anëtarë të tjerë të delegacionit në Sesionin e 16-të. Gjithashtu, shoku Mehmet u përcoll nga përfaqësuesit e vendeve socialiste në OKB, si dhe nga shefi i protokollit të saj”.
Radiogrami i dytë kur mbërriti në kryeqytetin shqiptar saktësonte “Shoku Mehmet u nis sot me vaporin “Liberté”. Kishin dalë vetëm përfaqësuesit e përhershëm bullgarë, hungarezë dhe  ndihmëspërfaqësuesi polak. Nga të tjerët asnjë, megjithëse ishin lajmëruar… Udhëtarët e “Balltikës” po ikin veç e veç, mbrëmë Novotni, sonte Gomulka, Dezhi e Zhivkua bashkë, pasnesër Hrushovi tok me Kadarin etj. Asnjë me “Balltikën”. Kjo ka mbetur buzë detit. Një marinar u arratis dje”.
I treti radiogram, ai që në zyrën e shifrës në Ministrinë e Jashtme në Tiranë mori numrin 434, si një udhëtar i hutuar dhe i ngatërruar nëpër rrugët e qiejve, përpëliste fjalët se “Intervista e Kryeministrit në “United States News” nuk u botua”, prandaj edhe “teksti i dërguar të mos publikohet”.
Në mbrëmjen e vonë të 11 tetorit në Misionin Shqiptar erdhi ambasadori i Çekosllovakisë, Kurka. Me Reiz Malilen ndenji një gjysmë ore dhe fjala e parë që shqiptoi ishte kërkimi i ndjesës. Tha se nuk mundi të vinte dot në përcjellje dhe se bashkë me të madje do të vinte edhe vetë ministri i Jashtëm David, por gabimisht kishin ngatërruar datën e nisjes.
Piu një kafe, mërmëriti disa fjalë të përgjithshme dhe pastaj iku. Malile e përcolli derisa ambasadori Kurka hipi në makinën e tij.
Ndërsa u ringjit në zyrë, e rrëzoi trupin menjëherë në kolltuk dhe, siç bënte kur ndihej shumë i vetmuar, hoqi syzet e mbuloi sytë me pëllëmbët e duarve. Që atë ditë, apartamentet e zëna nga kryeministri dhe njerëzit e tjerë të delegacionit po riktheheshin në gjendjen e mëparshme. Mbi tri javë familjet e punonjësve të Misionit kishin banuar në hapësira shumë të ngushta tek njëri-tjetri, në pjesën e mbetur të katit.
Pesë minuta më pas, Reiz Malile u ngrit dhe formuloi shkurt një radiogram të katërt për Tiranën. Njoftoi se kishte pothuaj dhjetë ditë që emisioni për shqiptarët në Amerikën e Veriut nuk dëgjohej.
Pastaj u rilëshua mbi kolltuk. E kishte kapur një trishtim i çuditshëm.
* * *
Vapori i pasagjerëve “Liberté” qe një anije franceze 270 metra e gjatë. Ishte një lundruese mjaft e sigurt dhe shumë e rehatshme, por tashmë e mundur prej konkurrencës së anijeve të reja. Oqeanin Atlantik prej brigjeve të Francës deri në Nju Jork, si edhe itinerarin e ndërsjellë e bënte për gjashtë ditë. Tragetet e reja e kryenin për vetëm pesë njëzet e katër orësh. Ishte kjo arsyeja që udhëtarët nuk e pëlqenin më dhe, e dalë me humbje në atë mes shtator 1960, po kryente udhëtimin e saj të fundit. Me të mbërritur në bregun francez, do të nxirrej në radhë e do të çmontohej pjesë-pjesë. Do të shkonte për hekurishte.
Atë 12 tetor Mehmet Shehu shumicën e kohës qëndroi i mbyllur në kabinën e tij. Ndërkohë, nuk u pa mes shëtitësve në kuvertë as përkthyesi. Në kabinën e vet ai vazhdonte të shkruante fjalimin e kryeministrit, përherë me shpresë ta përfundonte para se trageti të hidhte ankorat në portin e Havresë.
Po atë ditë, Josip Broz Tito gjendej në molin e Napolit. I porsazbritur nga shkallët e vaporit “Leonardo Da Vinci”, shkëmbeu disa batuta me gazetarët italianë. Këta ishin një turmë e tërë. Presidenti jugosllav u tregoi se për herë të parë në atë qytet kishte qenë në vitin 1944.
Ndërkohë, në sallën e Asamblesë, atë 12 tetor pat ndodhur një ngjarje, e cila do të mbetej e përfolur në të gjithë historinë e Kombeve të Bashkuara. Për të Enver Hoxhën do ta informonte një ditë më pas që nga Nju Jorku ministri i Jashtëm, Behar Shtylla: “Këto kohët e fundit Hrushovi arriti kulmin e qëndrimit kontradiktor dhe të ulët. Brenda një seance fjalë të buta, përgëzime amerikanëve dhe pastaj kërcënime e shprehje brutale. Mbrëmë nxori këpucën dhe me të godiste tryezën. Sot gazetat e botojnë fotografinë me këpucë mbi tryezë… Sonte ikën. Ne nuk do ta përcjellim. Shoku Mehmet po udhëton shumë mirë, është i kënaqur”.
Në mbrëmjen e 17 tetorit, legata shqiptare në Francë njoftoi Ministrinë e Jashtme: “Në vijim të udhëtimit për në atdhe sot arriti nga Nju Jorku në Havre dhe prej Havre me tren në Paris kryeministri Mehmet Shehu. Ai u prit në port nga i ngarkuari me punë M. S. Në stacionin e trenit në Paris kishin dalë titullarë të përfaqësive diplomatike të vendeve socialiste dhe Kryesia e Shoqatës së Miqësisë Francë-Shqipëri, me në krye Zhilbert Byrlo, nënpresident i shoqatës dhe Pol Kyjo, sekretar i përgjithshëm i saj”.
Radiogrami, i cili në Tiranë prej shifrantëve u kodua me numrin  549 dhe që i dërguar prej Romës shënonte datën 22 tetor, thoshte “Sonte në orën 00.18 u nis delegacioni shumë në rregull. Në stacion erdhën për ta përcjellë nga vendet që njoftuam, këta persona: këshilltari i Ambasadës sovjetike, këshilltari polak, sekretari i parë rumun, ministri çek dhe hungarez. Ndërsa bullgarët, indiani dhe sudanezi nuk erdhën. Nga Ministria e Jashtme italiane qe këshilltari Rosi. Mbërrijnë në Bari në orën 7.50…”.
Këtu, që një natë më parë ishte ulur avioni qeveritar shqiptar.
Ky, me Mehmet Shehun brenda, e kaloi Adriatikun brenda po asaj dite.
Ndërkohë që sapo ulej në Aeroportin e Rinasit, nëpër qiell, i ardhur me ngut nga drejtimi i Pragës, mbërriti prej Nju Jorkut radiogrami 455: “Radio Tirana filloi të ridëgjohet mirë”.
Me përkthyesin e Mehmet Shehut në atë shtator shumë të largët të vitit 1960, tashmë dëshmitari i vetëm i mbetur gjallë, u takova mesditën e 17 nëntorit 2010 në lagjen e “Bllokut”. Me gjithë moshën e madhe, ngjante me një njeri të gëzuar dhe plot shëndet të sigurt.
U ulëm në “Bar Delice”
Në pothuaj një orë, sa për një kafe ndenjëm, u kuptua që ai kishte arritur të ruante në kujtesë fare pak. Për shkak të një distance prej një gjysmë shekulli, gjithçka i qe zbehur dhe po të mos ekzistonte Arkiva e Ministrisë së Punëve të Jashtme, disa raportime të shkathëta në stil të Reiz Maliles dhe veçanërisht korrespondenca e dendur dhe plot hollësi e vetë Mehmet Shehut, përpjekjet për të rikrijuar sadopak dyzet e një ditët e largimit të tij nga Shqipëria, kaq shumë të akuzuara si mundësi për flirte spiunazhi, do të humbnin në fatin e një shtegu të verbër.
Autorit të këtij libri do t’i duhej po ashtu edhe depërtimi në disa arkiva të huaja të hapura, botime të Josip Broz Titos, filmime reale të mbërritjes dhe pjesëmarrjes së delegacioneve në OKB, shfletimi i shtypit amerikan të kohës. Gjeti edhe një sekuencë të rrallë regjistrimi të pranisë së Mehmet Shehut dhe të të gjithë delegacionit në sallën e Asamblesë së “Pallatit të Qelqtë”, realizim i anglezëve.
Megjithëse përkthyesit nuk i pat rezistuar në kujtesë pamja e të gjithë ditëve njujorkeze, për fat nuk i kishin humbur gjurmët e disa të dhënave të domosdoshme. Kështu ai pohoi se shoferi i makinës me të cilën Mehmet Shehu udhëtonte në Nju Jork, i shoqëruar përherë prej dy agjentëve amerikanë, qe shqiptar i ardhur posaçërisht nga Tirana. Pyetjes nëse i biri i kryeministrit të famshëm britanik, Randolf Çërçilli, qe ndier më pas gjatë ditëve të qëndrimit në Nju Jork, atë mesditë në “Bar Delice” përkthyesi iu përgjigj vendosmërisht: Jo.
Në vijim të asaj bisede, ai rrëfeu se pas Kongresit të Tetë të PPSh-së, ngjarje e ndodhur prej 1 deri 7 nëntor 1981, pra një muaj e ca para se Mehmet Shehu të humbte jetën, në zyrën e tij qe ndodhur rastësisht Behar Shtylla dhe një anëtar i Byrosë Politike. Një çast, ish-ministri i Jashtëm i kishte thënë njeriut të lartë të udhëheqjes partiake se kur qenë në vaporin anglez i biri i Çërçillit i pat kërkuar takim Mehmet Shehut, veç kishte qenë jo kryeministri, por vetë ai që e kishte refuzuar.
Rrëfimin përkthyesi e vijoi: “I them sikur nuk ka qenë kështu”. “Kështu ka qenë”, m’u përgjigj Shtylla. Kur pak ditë më pas shkova në zyrën e Ramiz Alisë dhe ia tregova këtë histori. Ky reagoi me këto fjalë “Eh, do të shesë mend Behari!”
Pasi tregoi këtë “të fshehtë”, përkthyesi menjëherë shqiptoi “Domethënë Alia e dinte të vërtetën”.

© Panorama.al

Te lidhura