
TIRANE – Ministri i Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo, padit për “shpifje” në Gjykatën e Tiranës deputetin e Partisë Socialiste, Taulant Balla. Në padinë e tij, ministri Pollo kërkon dëmshpërblim nga deputeti Balla në shumën e një milion lekëve. Padia e Pollos i shtohet “lumit” të padive në Gjykatë të deputetëve të pozitës kundër deputetëve opozitarë për shpifje. Burime pranë Gjykatës së Tiranës bënë me dije se padia e ministrit Pollo ka të bëjë me deklarata të deputetit Balla në foltoren e Parlamentit në një nga seancat plenare të tetorit 2011. Në një nga këto seanca, deputeti Balla e akuzoi ministrin Pollo për abuzim me detyrën, marrje ryshfeti dhe favorizim në dhënien e lejeve për fibrat optike në vend. “Sa është shuma e ryshfetit që ke marrë? Unë po të them 1. 2 milionë euro. A ke llogari bankare në një bankë arabe në Qipro?”, deklaroi Balla në seancën e 20 tetorit, thënie të cilat ministri Pollo i pretendon të pavërteta. Padia në fjalë është regjistruar në datën 13 shkurt në Gjykatën e kryeqytetit dhe mban numrin 8495. Si palë paditëse në këtë padi është Genc Pollo, ndërsa si palë e paditur deputeti i PS-së, Taulant Balla. “Shpërblim i dëmit jashtëkontraktor në masën 1 000 000 lekë”, thuhet në objektin e padisë. Në Gjykatën e Tiranës kjo padi do të shqyrtohet nga gjyqtarja Fatime Decolli, ndërsa data e seancës së parë gjyqësore ende nuk është përcaktuar. Padia e Pollos shtoi numrin e padive kundër deputetëve të PS-së për “shpifje” në Gjykatën e Tiranës. Gjatë muajve të fundit gjykata ka pranuar disa prej padive të deputetes Albana Vokshi, nga nëntë të tilla të depozituara prej saj në gjykatë. Vendimi i fundit i këtij lloji në Gjykatën e Tiranës ishte ai i 9 shkurtit, sipas të cilit deputeti Erjon Braçe duhet t’i paguajë deputetes Vokshi një milion lekë.
1 MILION
lekë është shuma e dëmshpërblimit që ministri i Inovacionit, Genc Pollo, kërkon nga deputeti socialist, Taulant Balla











