Pollo: Në ILDKP blerjet mbi 5 milionë

Jul 16, 2012 | 13:13
Ministri për Inovacionin, Genc Pollo

Komisioni i Ligjeve do të nisë këtë javë shqyrtimin e dy ligjeve që u miratuan së fundi në qeveri për konfliktin e interesit. Duke folur në një konferencë për shtyp lidhur me këto dy nisma, ministri për Inovacionin, Genc Pollo, tha se zyrtarët do të jenë të detyruar të deklarojnë çdo shpenzim mbi 500 mijë lekë, përfshi këtu edhe udhëtimet private jashtë shtetit. “Do të amendohet ligji për deklarimin e pasurive të zyrtarëve dhe ligji për konfliktin e interesave; kjo pas një pune të gjatë të institucioneve tona që kanë përfituar nga asistenca e Këshillit të Europës. Ndërkohë që ligji e kërkon deklarimin e pasurisë të familjarëve të ngushtë të zyrtarit, në jo pak raste kjo gjë nuk është bërë prej familjarëve. Projektligji e qartëson detyrimin, ndëshkimin për shkelësit dhe dënimin sipas Kodit Penal për deklarimet e rreme. Përcaktohet detyrimi për të deklaruar çdo shpenzim mbi 5 milionë lekë të vjetër, që ILDKP do t’i kontrollojë, përfshi edhe udhëtimet private jashtë vendit, për t’i ballafaquar me të ardhurat e deklaruara”, u shpreh Pollo në një deklaratë para mediave. Sipas tij, ndryshimet në ligj bëjnë të mundur përcaktimin përfundimisht të personit të lidhur me zyrtarin, i cili edhe ai do t’i nënshtrohet kontrollit të pasurisë. Në rastet kur zyrtarët do të jenë në shortin e kontrollit të imtësishëm, do të jetë ILDKP-ja ajo që do të përcaktojë se kush janë personat e lidhur me të. “Ndër zyrtarët që i nënshtrohen deklarimit periodik e kontrollit me short, tanimë do të përfshihen dhe drejtorët në nivel qarku si ai i Arsimit, Shëndetësisë, ZRPP etj. Në këto nivele realizohet një numër i lartë e vëllim i madh marrëdhëniesh kontraktuale, gjë që e bën të nevojshme këtë hap. Në ligjin për konfliktin e interesave saktësohen e rreptësohen normat e procedurat, si dhe janë përfshirë në të dhe drejtuesit e pushtetit vendor”, theksoi më tej ministri Pollo. Sipas tij, “në tërësi ILDKP-së i shtohen kompetenca që do të mundësojnë një rol më aktiv me ndjekjen e çështjeve edhe në gjykatë. Është për t’u vërejtur se si pasojë e kontrolleve të ILDKP-së janë gjetur shkelje e janë marrë masa deri në shkarkim nga detyra”.

Kodi i Familjes
Kodi i Familjes, sipas relacionit të projektligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të zyrtarëve të lartë”, detyron që edhe bashkëjetueset e ministrave, deputetëve apo zyrtarëve të lartë të bëjnë deklarimin e pasurive vjetore. Sipas draftit të ILDKP-së, personave të lidhur me zyrtarin u lind detyrimi për deklarim të të ardhurave. “’Deklarimi me kërkesë’, të përfshihen dhe bashkëjetuesit, sipas kuptimeve të neneve 163 dhe 164 të Kodit të Familjes, në rrethin e personave që detyrohen të deklarojnë interesat private”, thuhet ne nenin 8.

ILDKP
Në relacionin e projektligjit të propozuar nga ILDKP thuhet se: “Konstatimi dhe ndëshkimi i zyrtarëve, të cilët kanë vepruar në kushtet e konfliktit të interesit, nuk vijon në të njëjtin ritëm me goditjen e aktit. Institucionet publike, të cilat kanë përgjegjësinë për goditjen e aktit të marrë në kushtet e konfliktit të interesit në përgjithësi nuk e ushtrojnë këtë detyrë ligjore, duke mos dhënë rezultatet e pritshme në luftën lundër korrupsionit”. Sipas ILKDP-së, ligji aktual nuk parashikon plotësisht masa ndëshkuese.

Ligji
Në kategorinë e deklarimeve shtohen dhurata dhe trajtimet preferenciale, përfshirë identitetin e personit, fizik ose juridik, prej nga vijnë apo krijohen dhuratat a trajtimet preferenciale; angazhimet në veprimtarinë private me qëllim fitimin ose çdo lloj veprimtarie që krijon të ardhura, përshirë çdo lloj të ardhure të krijuar nga kjo veprimtari ose ky angazhim; interesa private të subjektit që përputhen, përmbajnë, bazohen ose burojnë nga marrëdhëniet familjare apo të bashkëjetesës.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura