Pollo: Jo regjistrim etnik e fetar

Jul 6, 2011 | 10:25

Komisioni i Ligjeve miratoi dje projektligjin për regjist-rimin e popullsisë duke e çuar për miratim në seancë ditën e enjte.Ministri për Inovacionin, Genc Pollo, u shpreh se ky projektligj do të jetë vetëm për rëndësi statistikore dhe aspak për regjistrim, siç pretendohet. Në lidhje me kritikat e shumta, Pollo i cilësoi si zhurmuese të qëllimshme, ndërsa deklaroi se ky proces, që do të nisë më 1 tetor, nuk ka lidhje me regjistrimin fetar apo etnik. “Censusi nuk ka asnjë lidhje me regjistrimin etnik apo fetar, siç pretendojnë sharlatanë e zhurmatorë që kanë ngatërruar dhe nakatosur punët e tyre dhe tani duan të përhapin ndotje gjithandej”, u shpreh Pollo. Gjithsesi, ministri nuk tha nëse formulari do të ketë ose jo pyetje për përgjigje me dëshirë për përkatësinë etnike apo fetare. Ai shpjegoi se ndryshimi i regjistrimit të popullsisë me censusin, pra mbledhjen e të dhënave për popullsinë, ndryshon nga ruajtja e anonimatit dhe ndryshueshmëria e të dhënave për gjendjen e individit çdo 10 vjet, kur kryhet procesi i censusit. “Është e rëndësishme të theksohet se ky proces nuk është regjistrim. Nëse unë apo ju jemi regjistruar në gjendjen civile, ne mbetemi me ato të dhëna, me atë emër, mbiemër, me atë datëlindje dhe vendlindje. Ky është thelbi i fjalës regjistrim dhe është tejet i papërshtatshëm të përdoret për një tjetër aktivitet, një tjetër mbledhje të dhënash, e cila është absolutisht në finalen e saj, në produktin final të saj, anonimuese. Është e rëndësishme të theksohet se ky proces nuk është regjistrim. Pra ne do të dimë grupmoshat e popullsisë shqiptare, sa për qind janë 20 deri në 30 vjeç, apo sa për qind janë 55 dhe lart. Ne do të dimë sa për qind do të kemi me arsim të lartë dhe me arsim të mesëm”, tha Pollo.
Projektligji
Sipas projektligjit, për të parandaluar çdo vetëdeklarim të rremë, ndryshimet e propozuara në ligj parashikojnë gjoba administrative për personat që nuk tregohen korrektë në deklarimin e të dhënave. Të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët në momentin e censusit ndodhen në territorin e Shqipërisë, janë të detyruar të japin në mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme informacionin e përcaktuar si të detyrueshëm në pyetësorët e censusit të popullsisë, të miratuar nga Komisioni Qendror i Censusit. Projektligji, në nenin 9 të tij, garanton ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave të grumbulluara të censusit dhe, sipas tij, të gjithë personat ose autoritetet publike.

1 tetor
do të nisë procesi i censusit dhe do të vijojë për një muaj. Të dhënat nuk do të bëhen publike deri në një botim nga INSTAT-i, i cili do të publikojë studimin e përfituar

100 mije leke
do të gjobitet çdo shtetas nëse do të japë të dhëna jo të sakta. Nga 50 mijë deri në 10 mijë lekë parashikohen gjoba edhe për punonjësit e INSTAT-it

Formulari

Drejtoresha e INSTAT-it tha dje në Komisionin e Ligjeve se formulari do të ketë pyetje të detyrueshme dhe pyetje me dëshirë. Por, nëse një qytetar jep të dhëna jokorrekte të qëllimshme, atëherë ai do të gjobitet. “Gjoba do të vihen nëse provohet se qytetari ka gënjyer qëllimisht në pyetësor”, tha Pollo.

AK: Të shqyrtohet peticioni

Aleanca Kuq e Zi reagoi dje në lidhje me shqyrtimin e projektligjit të paraqitur nga qeveria, por që ende nuk ka një përgjigje nga Kuvendi për nismën e tyre me 28 mijë firma qytetarësh për të ndaluar çdo regjistrim mbi baza etnike dhe fetare. “Është mungesë transparence të zhvillohet në mënyrë të njëanshme një proces kushtetues, pa marrë parasysh opinionin juridik dhe publik, për një çështje ku janë të përfshirë rreth 4 milionë shqiptarë. Kuvendi dhe qeveria shqiptare kanë premtuar se do të dëgjohen të gjitha grupet e interesit dhe Aleanca është e gatshme të ofrojë asistencën e saj për një proces kaq shumë të rëndësishëm”, reaguan përfaqësuesit e Aleancës. Ata shprehën dyshime për procedurën e ndjekur nga ana e Kuvendit për të mos dëgjuar zërin e qindra e mijëra qytetarëve dhe refuzimit për të marrë në shqyrtim projektligjin e hartuar prej saj.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura