Shëndetësia, Berisha: Vëmendje menaxhimit

May 11, 2012 | 11:20

TIRANË- “Politika shëndetësore në përputhje me orientimet e OBSH-së, në shërbim dhe mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, zhvillim të mëtejshëm të reformës, por vëmendje të madhe menaxhimit të sistemit të shëndetësisë”. Kështu është shprehur kreu i qeverisë, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Konferencën Kombëtare për Politikat Shëndetësore në kryeqytet.

“Nuk kam mëdyshje se beteja e njeriut për shëndetin e tij, për luftën kundër sëmundjes që për njeriun e lirë përbën armikun më të rrezikshëm, është beteja më fisnike, më përcaktuese në të gjithë performancën dhe aspektet në rrjedhën e jetës së tij. Shëndeti si i tillë është aq sa biologjik aq social, ekonomik, politik. Do mund të promovohet në nivelin e duhur vetëm atëherë kur ne ta trajtojmë në mënyrë multidisiplinor”- tha Berisha.

Sipas tij, problemi ynë kryesor në shëndetësi ka qenë menaxhimi, ndaj në këtë pikë duhet punuar fuqishëm.

“Erdhëm nga një sistem dizastër në këtë plan, pa menaxhim nuk ka sukses. Janë bërë disa hapa përpara të rëndësishëm, dekani i ri më dërgon një projekt për të hapur degë apo fakultet për menaxhimin shëndetësor, e mbështes plotësisht. Nuk përballohen nevojat duke rritur gjithnjë buxhetin, ato përballohen duke shfrytëzuar në mënyrën më racionale fondet e disponueshme, kërkohet plejadë e re menaxherësh”- tha ai.

Berisha ka kujtuar se në shëndetësi janë bërë shumë hapa përpara, ne mbetemi vendi me vdekshmërinë foshnjore më të ulët  dhe do të punohet më me forcë në këtë drejtim.

Sipas kreut te qeverise, shqetesues ne vend mes te tjerash eshte edhe niveli i lartë i duhanpirjes, i cili ndikon negativisht ne shëndetin e qytetarëve. Ai theksoi se pavarësisht imunizimit të sistemit, sëmundjet e patranshmetueshme janë në distancë me përpjekjet e qeverisë për imunizimin tototal të tij.

“ Të bëhemi promotorë kryesorë të një përballje shumëplanëshe të problemit të shëndetit në vendin tonë. Asgjë nuk ka më të rëndësishme sesa parandalimi, kemi vendosur sistem të shkëlqyer imunizimi dhe duhet të bëjmë gjithçka që ai të mbetet nga sistemet më të mira në Evropë”-theksoi më tej kryeministri.

© Panorama.al

Te lidhura