Përpara nja 10-15 vitesh, Shqipëria dukej si ishull i veçuar në detin e dalldisë nacionaliste ballkanike. Dy ishin shpjegimet e mundshme: ose Shqipëria ishte më e emancipuar sesa kombet e tjera ballkanike dhe, për pasojë, nuk rrezikonte nga epidemia nacionaliste, ose shqiptarët, si në shumë raste të tjera, edhe në lidhje me nacionalizmin janë pak të vonuar dhe do ta kalojnë këtë sëmundje pak më vonë. Ngjyrimet dhe disa nga prirjet e ligjërimeve publike në Shqipëri, fatkeqësisht, nganjëherë duket se janë më pranë opsionit të dytë. Gjatë dy viteve të fundit, fjalori nacionalist nuk është zbehur, por përforcuar. Pavarësia e Kosovës, paradoksalisht duket se i dha një shtysë të fortë procesit në fjalë.
Sa për t’i paraprirë renditjes së mundshme të këtij shkrimi në blogje ku demaskohen tradhtarët, duhet sqaruar se ka një dallim të madh mes nacionalizmit dhe patriotizmit. Nacionalizmi bazohet në ngritjen në nivel sipëror të një identiteti të krijuar kombëtar përmes uljes së të tjerëve. Nacionalizmi e ka të vështirë të ekzistojë pa mohimin e tjetrit, e fqinjit sidomos. Efekti psikologjik që ai prodhon mbështetet pikërisht në shijen e sipërores. Uniteti identitar ushqehet, mbi të gjitha, nga imazhi i rrezikut që vjen nga tjetri. Jo një tjetër thjesht imagjinar, por një tjetër që gjendet shumë pranë, madje ndoshta edhe brenda vetë kombit: pakicë, emigrant, i ardhur apo tradhtar.
Por shqiptarët nuk kanë nevojë për nacionalizëm. Ata kanë nevojë për patriotizëm dhe për përgjegjshmëri ndaj shoqërisë. Ndërtimi i strategjive politike mbi themele nacionaliste zakonisht verbon politikisht ndjekësit e mundshëm. Ligjërimet nacionaliste krijojnë përshtypjen se problemi madhor i vendit është sot rreziku që vjen nga jashtë. A është kjo e vërtetë në rastin tonë? A e kanë fajin grekët apo serbët për problemet me të cilat përballet vendi? A e kanë fajin grekët dhe serbët për korrupsionin, për 21 janarin, për papunësinë, për shkatërrimin e natyrës e hapësirës publike dhe gjithçka tjetër? A është ndryshimi i emrave (toponimeve) me origjinë të huaj prioritet i debatit në këtë vend? A po çalon gjeografia, historia apo politika jonë prej kësaj? Mos ndoshta do të bëhemi vendi më i zhvilluar e më i lumtur në botë pasi t’i mashtrojmë brezat e rinj duke u treguar se jemi kombi më i mençur, më paqedashës, më punëtor e më i lashtë në planet? Se jemi shqiptarë autoktonë që nga koha e amebës dhe paramecit? Se fajin për hallet tona na e kanë grekët dhe serbët?
Këto që thashë më lart nuk e përjashtojnë mundësinë reale që struktura greke, serbe dhe gjithfarë të tjerash përpiqen të ndikojnë në çfarëdo mënyre që u intereson në politikën tonë. Por pyetja themelore mbetet e njëjta: A i zgjidh nacionalizmi problemet tona? Unë besoj se jo. Secili prej nesh, po të vrasë pak mendjen, do të gjejë rrotull vetes plot shqiptarë nacionalistë, miq, shokë, fqinj, madje edhe nacionalistë mediatikë, që grijnë sallatë gjithë ditën për nacionalizëm, por që nuk e kanë problem të vjedhin shtetin (pra atdheun) dhe shqiptarët, të korruptohen dhe të korruptojnë, të mos paguajnë taksa, të blejnë e shesin në pazare politike e kështu me radhë. Unë nuk besoj te këta nacionalistë. Madje i kam frikë, sepse janë të rrezikshëm për vendin. Unë besoj te patriotizmi i mijëra shqiptarëve të padukshëm e të heshtur që çdo ditë bëjnë punën e tyre me ndershmëri dhe që nuk kanë nevojë për armikun grek dhe serb për t’u ndjerë mirë si shqiptarë. Nuk besoj te nacionalistë që përdorin hallet e çamëve për fushata dhe pastaj i harrojnë kur duhen harruar. Të gjithë nacionalistët së bashku nuk mund të bëjnë për këtë vend më tepër sesa një pastruese e përgjegjshme e rrugëve të Tiranës. Madje mund të bëjnë të kundërtën: mund të na çojnë në greminë. Aty ku i çoi serbët nacionalizmi i tyre udhëhequr nga Milosheviçi dhe shumë të tjerë.
Njësoj si në rastin e Milosheviçit, nacionalizmi nxjerr në sipërfaqe gjithfarë individësh që në rastin më të mirë janë besimtarë të sinqertë të një marrëzie identitare dhe në rastin më të zakonshëm janë të papunë që gjejnë më në fund zanatin që u shkon për shtat. Nacionalizmi nuk është vetëm strehë, ai shpesh është streha e fundit… e burokratëve anonimë si Milosheviçi apo piktorëve të dështuar si Hitleri. Kjo hapje ndaj gjithkujt i shkon për bukuri imazhit të ideologjisë: një strehë e hapur për të gjithë! Por, streha e fundit e nacionalistëve është, në fakt, politika. Jo rastësisht nacionalisti politikan është shpesh një i ricikluar nga një fushë tjetër që nuk i ka ofruar statusin e pretenduar. Jo rastësisht politika është një derë në të cilën nacionalisti-politikan ka trokitur pa sukses edhe më herët, ose të paktën e ka lakmuar nga larg me ndrojtje.
Në kontekstin shqiptar, nacionalizmi duket se shkon shumë mirë me ringjalljen e së majtës radikale në Shqipëri dhe Kosovë. Gati-gati është në modë të jesh nacionalist dhe neomarksist njëkohësisht, pavarësisht kundërshtive qesharake të krijuara nga kjo martesë. Ky lloj nacional-socializmi, natyrisht, kujdeset të mos ketë referenca historike, por vetëm teorike dhe kontekstuale shqiptare. Unë nuk besoj se ka shqiptarë të shëndoshë mendërisht që besojnë seriozisht në referencat në fjalë, por kjo nuk ndryshon asgjë në lidhje me destinacionin. Edhe pa e krahasuar me dukuritë me të njëjtin emërtim në Europën e viteve 1930, ky bashkim i nacionalizmit me të majtën radikale është sërish problematik. Ai është gjithsesi një fabrikë ku prodhohet nevoja urgjente për armiq të jashtëm dhe të brendshëm dhe një vizion totalizues i politikës. Jo të gjithë ksenofobët, racistët, totalitaristët e botës ishin apo janë nazistë e fashistë.
Por, nacionalizmi ka edhe probleme të tjera. Ai e ndan shoqërinë në dy grupe kryesore: në nacionalistë dhe tradhtarë. Dhe zakonisht, me nacionalistët nuk bëhet debat, sepse diskutimi është në nivel simbolik dhe identitar. Arsyeja nuk ka shumë vend në vendin e emocioneve. E, meqenëse është gjellë e turmave, nacionalizmi luan në fushën e vet: është ideologjia më e kapshme nga turmat dhe më e vështirë për t’u përballuar me argumente, sepse jo gjithkush ka studiuar teoritë e nacionalizmit në nivel universitar. Aq më tepër në vende me nivel arsimi mediokër.
E, megjithatë, kjo rritje e ligjërimit nacionalist duhet përballur. Pavarësisht kostos së ndeshjes me ideologë profesionistë e amatorë që luajnë në fushën e injorancës. Kjo ndeshje është, në fakt, prova se ka shqiptarë që e duan ende vendin e tyre, aq sa është e nevojshme për të mos ua lënë në dorë shkatërruesve në modë.
© Panorama.al












