YLBER LILI
Shoqëritë kryesisht parademokratike apo në tranzicion, e kanë më të theksuar konsensualitetin ndaj politikëbërjes. Kështu ndodh edhe kur në laboratorët e politikës gatuhet propaganda negativiste, edhe kur përpilohen strategji veprimi të mbarsura me premtime boshe, populizëm, gënjeshtra…, por edhe kur politika është strumbullari kryesor i relacionit mik-armik në shoqëri. Pra, gjithçka varet nga politika-vullneti i saj për të hapur dhe mbyllur rubinetat helmatisëse. Në të dyja rastet shoqëria ka treguar shenja konsensualiteti deri në dorëzim. Sipas të gjitha gjasave, i njëjti avaz do të jetë prezent për sa kohë që shoqërisë i mungon iniciativa…reaguese dhe të mos flasim për kurajën e refuzimit të së keqes, që është pjellë e politikës. Këto nuk janë thjesht dhe vetëm koncepte teorike ngaqë shumëçka reflektohet gjatë fushatave zgjedhore. Për ta konkretizuar mjafton të analizojmë fushatën e zgjedhjeve parlamentare në FYROM dhe përmes një analize krahasimtare me zgjedhjet e kaluara të krijojmë sadopak idenë e konsensualitet të shoqërisë, e cila, me apo pa vetëdije, u nënshtrohet rregullave me dhe pa principe të politikës.
Ç’është e vërteta, fushata e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në shtetin fqinj u karakterizua nga një atmosferë e qetë, pa incidente serioze. S’do mend që kësaj fushate i parapriu simbolika e paktit politik parazgjedhor mes dy liderëve kryesorë të politikës shqiptare në Maqedoni, të cilët edhe gjatë fushatës u kujdesën ta “hekurosin” komunikimin politik me publikun.
Me gjithë skepticizmin, fushata e paqme zgjedhore, sidomos në hapësirat shqiptare, është risi dhe duhet vlerësuar maksimalisht. Disa syresh, që analizën e zhvillojnë duke u bazuar te eksperiencat e vendeve të zhvilluara demokratike, nuk e marrin në konsideratë këtë konkluzion. Fundja me të drejtë mund të thonë se politika dhe shoqëria nuk kanë bërë, as më shumë dhe as më pak, se sa kanë respektuar një princip elementar të rregullave demokratike.
S’do mend që pajtohem më këtë konstatim, por kjo nuk është e vlefshme për vende si Maqedonia, ku gjatë plot një dekade, zgjedhjet, qofshin ato parlamentare, lokale, apo presidenciale, u shndërruan në arenën e gjakimit për pushtet, ku kryefjalë e lidershipit politik ishte asgjësimi politik me çdo kusht dhe mjet i kundërshtarit. Jo vetëm kaq.
Kanalizimi i energjive asgjësuese në kuptimin politik pranohej lehtësisht nga shoqëria, pjesëtarë të së cilës, të yshtur nga politika, rroknin armët dhe derdhnin plumba ndaj njëri-tjetrit. Për pasojë, formula e asgjësimit politik që artikulohet nga aktorët politikë është tejet e rrezikshme ngaqë krijon parakushte për eliminim fizik brenda në shoqëri. Kështu ka ndodhur në zgjedhjet e mëparshme në FYROM dhe gjetkë.
Shikuar nga ky rrafsh, përfundimi i paqmë i fushatës zgjedhore krahasuar me zgjedhjet e mëparshme ka dy elemente substanciale: së pari, shkaktare e vetme e përdhosjes së rregullave demokratike është politika dhe, së dyti, shoqëria pranon çdo rregull dhe standard, qoftë ai demokratik apo jo demokratik, mjafton që flet politika apo pushteti.
Pra, shoqëria është konsensuale edhe kur politika kërkon “kurban” për ambiciet e saja bizare, por edhe në rastet kur politikanët, për interesa të momentit, janë të interesuar për paqtim. Sidoqoftë, këtë radhë (ndryshe nga maqedonasit që u bënë gazi i botës), shqiptarët e Maqedonisë demonstruan kulturë dhe qytetari që, pa dyshim, meritokrate e momentit është klasa politike shqiptare atje. Por vetëm kaq….
2-
Duke marrë në konsideratë fushatën e zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni, duke u fokusuar te programi, oferta, vizioni dhe alternativat e partive politike, të bie në sy një fakt i thjeshtë. Lidershipi politik më shumë tregoi kujdes për t’i qëndruar stoik paktit, sesa për programin dhe ofertat e tij elektorale.
Partia në pushtetin pa pushtet, e kryesuar nga Ali Ahmeti, iu drejtua elektoratit shpinëkërrusur dhe kokulur meqë nuk pati asnjë tregues cilësor të qeverisjes. Si gjithherë, edhe në këto zgjedhje, BDI përdori zhargonin populist dhe retorikën pa përmbajtje duke ricikluar sërish tezat folkloriste, duke u mbështetur fort pas bustit të Skënderbeut, të cilin sa herë që ka zgjedhje e përdor si kalë beteje.
Programi i kësaj partie nuk pati asnjë statistikë, rezultat, investim apo ofertë të re. Përkundrazi, në adresë të këtij subjekti politik rëndojnë shumë mëkate, që nëse do ta përmbledhim me një fjali: kurrë më parë shqiptarët nuk kanë qenë më të diskriminuar dhe të shantazhuar nga pushteti maqedonas.
Sakaq, opozita shqiptare, e kryesuar nga Menduh Thaçi, hyri në garën elektorale duke u kapur fort pas marrëveshjes së re politike mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe duke e konsideruar Marrëveshjen e Ohrit si të “vdekur”. Në këto kushte, PDSH pati avantazhin në fushatë të nxjerrë në pah inekzistencën e kundërshtarit politik në pushtet dhe, nga ana tjetër, të shpalosë ofertën e saj për barazi institucionale me maqedonasit.
Përtej këtyre dy subjekteve politike, në garën elektorale përveshën mëngët edhe parti të sapoformuara, siç është rasti me kryetarin e komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, apo parti të tjera minore shqiptare. Marrë në tërësi, panorama e kësaj fushate nxori në dritën e diellit një proces të qetë zgjedhor, parti-qytet, që garojnë me siglat e tyre dhe platforma shumë të diskutueshme. Edhe në këtë rast shoqëria vazhdon të mbajë ison e politikës duke treguar konsensus të plotë, pavarësisht se kostoja bie mbi ta.
Gjithsesi, asgjë nuk ka përfunduar! Procesi zgjedhor është në gjysmën e rrugës, finishi është ditën e diel, është moment kur flet sovrani. Më pastaj do të na shfaqet telenovela e kombinatorikave qeverisëse. Në këtë kuptim shtrohet pyetja: zgjedhjet përfunduan, tashmë çështja e diskutueshme ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve që e shoqërojnë sot e gjithë kohën Maqedoninë?
3-
Megjithëse FYROM është shtet i hapërdarë dhe i mbërthyer nga dara e krizave shumëdimensionale, gjithsesi atje certifikimi i fituesit dhe humbësit de fakto dihet sapo bien kambanat e mbylljes së kutive të votimit, ndërsa de jure jo më shumë se 48 orë. Nga ana tjetër, duke marrë si të mirëqenë se dita e votimeve do të kalojë e qetë dhe pa probleme, çështja që shtrohet për diskutim është: çfarë ofrohet pas këtyre zgjedhjeve?
Ndonëse nuk hyj në kategorinë e skeptikëve, megjithatë, duke e njohur mjaftueshëm realitet politik, mendësinë maqedonase, është shumë e vështirë për të marrë rolin e parashikuesit në funksion të zgjidhjes së një sërë problemeve.
Së pari, pas këtyre zgjedhjeve kërkohet në mënyrë urgjente çmontimi i pushtetit despotik (pavarësia dhe demokratizimi i institucioneve), aktualisht i kryesuar nga kryeministri Nikolla Gruevski, i cili ka në kontroll të gjitha pushtetet dhe institucionet e pavarura: atë Legjislativ, Prokurorinë, gjykatat, Presidencën, shërbimin sekret dhe median.
Së dyti, pas këtyre zgjedhjeve duhet me emergjencë që të zgjidhjet distanca e rrezikshme etnike mes shqiptarëve e maqedonasve dhe, së treti, duhet të nënshkruhet akti i zgjidhjes së problemit të emrit me Greqinë, si e vetmja shtegdalje për të dalë nga izolimi dhe qorrsokaku.
Në gjykimin tim, pa përmbushjen e këtyre tri elementeve kryesore, e ardhmja dhe perspektiva e FYROM është e pashpresë. Shteti i vogël dhe problematik do të endet brenda orbitës së krizave. Fatkeqësisht, sërish shoqëria do të jetë konsensuale, edhe pse me barkun bosh!











