Politika e llumit, Presidenti dhe interesi i qytetarit

Jun 7, 2012 | 13:58

GRID RROJI

Në qendër të idesë republikane të baballarëve të kombit amerikan ishin dy ide vetëm në dukje kundërthënëse mes tyre: 1) natyra njerëzore është e mbrapshtë dhe egoiste; dhe 2) egoizmi ynë natyror mund të kufizohet me anë të balancës së pushteteve,  kufizimit të pushtetit të mundshëm të arritshëm për një njeri të vetëm dhe kundërvënies mes pushtetit qendror dhe lokal. Pra, natyra njerëzore prodhon shtysa shkatërrimtare egocentrike, por një sistem demokratik prodhon në të njëjtën kohë edhe mjete për t’i kontrolluar këto instinkte. Siç shprehej Xhejms Medison, “vështirësia më e madhe për të ndërtuar një sistem qeverisës të njerëzve është t’i vendosësh ata nën kontrollin e shtetit dhe më pas ta detyrosh shtetin të kontrollojë vetveten”. (Federalisti, Letra 51).
Zhvillimet e fundit politike në Shqipëri janë një dëshmi e qartë se në kushtet e sotme politika shqiptare pasqyron gjerësisht karakteristikën e parë të natyrës njerëzore, por shfaq mungesë të plotë vullneti në kufizimin e tyre me anë të shtetit. Si pasojë, sistemi ynë demokratik është i deformuar, i paplotë dhe në dorë të një shtrese plutokratësh e oligarkësh, të cilët kontrollojnë mjetet kryesore të pushtetit ekonomik dhe politik.
Arsyeja themelore për këtë dështim në vendosjen e një regjimi demokratik është klasa drejtuese politike, e cila ndërmjet rrugës së vështirë të vendosjes në shërbim të kombit dhe asaj të pasurimit të shpejtë, ka zgjedhur këtë të dytën. Si pasojë, loja politike që luhet nuk ka kurrfarë ndikimi në jetën e qytetarit dhe përjetohet si një telenovelë fundi i së cilës sjell përmbushjen e kuriozitetit por jo ndonjë ndryshim real.
Më tej, kapja e politikës nga interesa oligarkike ka kriminalizuar mjedisin politik dhe ka bërë të zvirdhen kufijtë midis të moralshmes dhe të pamoralshmes. Si pasojë, mënyra e veprimit dhe mendësia që karakterizon politikën shqiptare sot i përngjet më shumë një zinxhiri grupesh kriminale se sa ajkës së kombit. Me fjalë të tjera, gjykuar nga sjellja e saj politika shqiptare nuk është politika e ndriçimit, por politika e llumit.
Për këdo që synon të analizojë në mënyrë të logjikshme situatën politike shqiptare në këto ditë fushate presidenciale është më se e qartë që ekzistojnë dy plane analitike. I pari është këndvështrimi i politikës, e cila megjithëse adopton, kopjon, e shpall platforma të kalkuluara për të rinovuar “Brand”-imin e palëve, i zgjidh problemet me darka ngjalash e me marrëveshje të brendshme. Nga ky pikëvështrim, asnjë veprim, sado i pamoralshëm e kundër interesave të shoqërisë qoftë, nuk konsiderohet i papranueshëm sepse u shërben interesave të ngushta klanore për të “mundur kundërshtarin”. Mendësia që e përshkon këtë lloj qasje përshkruhet më së miri nga shprehje me origjinë rurale si “çudia më e madhe zgjat vetëm tri ditë” apo “ç’t’i bëjmë, do kaurdisemi me yndyrën tonë”. Ndaj, kur vjen puna te përzgjedhja e kandidatëve presidencialë, prioriteti i palëve nuk është gjetja e zgjidhjeve ideale, por mbijetesa e sistemit të kontrolluar prej tyre dhe interesat klanore përkatëse.
Mirëpo, përtej planit të politikës ekziston plani i qytetarit, i cili te lojërat politike me ngjala të përlyera e të shpëlara nuk sheh asnjë zgjidhje të problemeve të veta. Nga pikëvështrimi i qytetarit ka pak rëndësi nëse konfigurimet që sjell ngjala e fundit do të prodhojnë shumica të reja apo vazhdimësi pushteti, prodhimi fundor i tyre është i njëjtë. Qytetarit racional do t’i interesonte një proces përzgjedhës i qëndrueshëm, ku interesat e palëve politike të viheshin në funksion të mbarëvajtjes së shoqërisë e ku kompromisi të mos konceptohej si pazar pulash por si domosdoshmëri sistemike.
Përderisa ekziston një ndarje lehtësisht e përftueshme midis veprimit dhe mendësisë së politikës dhe asaj që i intereson qytetarit, pse nuk ka reagim? Sigurisht që kontrolli i palëve mbi mjedisin publik është i shtresëzuar dhe i plotë. Ngritje-zbritjet e tyre nga pushteti në opozitë vetëm se ja forcojnë kontrollin duke i legjitimuar faqe popullit. Mirëpo, si teoria, ashtu edhe praktika na mësojnë se ka gjithmonë elementë të pakontrollueshëm, të cilët nuk e lejojnë një regjim kuazi-demokratik si ky yni të vazhdojë në pafundësi. Në rastin shqiptar vlejnë të përmenden disa: 1) mungesa e legjitimitetit të klasës politike dhe e sovranitetit të shtetit; 2) mungesa e koherencës ideologjike të sistemit dhe bazimi i tij në pazare të cilat nuk japin siguri për qëndrueshmëri; 3) zhvillimi dhe forcimi i parive dytësore me karakter lokal të cilat ndajnë pushtet me qendrën autokratike por nuk janë të varura prej saj; dhe 4) ekzistenca e shtresave të edukuara si jashtë dhe brenda vendit, të cilat nuk e gjejnë veten në këtë sistem dhe nuk dëshirojnë të mbahen me përdhunë jashtë ose anash lojës.
Me pak fjalë, me gjithë favoret që shpërndan dhe varësinë që krijon me anë të kontrollit të “bukës së gojës”, plutokracia kleptokratike nuk arrin të mbysë dëshirën e një populli për të jetuar me dinjitet dhe i pavarur nga manovrat e pamoralshme të politikës së llumit.
Në kushtet e sotme është pothuajse e pamundur që procesi presidencial brendapërbrenda sistemit të prodhojë një President me të vërtetë gjithëpërfaqësues. Për të perifrazuar ambasadorin Arvizu, palët kërkojnë një “koeficient kontrollueshmërie” ndaj Presidentit të ardhshëm. Si pasojë, me gjithë zhurmën e madhe mediatike, zgjedhja e Presidentit nuk do të prodhojë ndonjë ndryshim të madh apo ndonjë shkëputje nga politika e llumit, cilado qoftë formula fundore me të cilën palët do të detyrohen të bien dakord.
Ndarja nga politika e llumit do të vijë vetëm atëherë kur qytetarët të ndërgjegjësohen se kjo klasë politike nuk di dhe nuk dëshiron t’i vendosë interesat kombëtare përpara atyre vetjake, klanore e kriminale nga të cilat është e kapur. Përzgjedhja e Presidentit të ardhshëm është vetëm një ndalesë drejt këtij ndërgjegjësimi.

© Panorama.al

Te lidhura