Polikseni Gorishti: Joga ju dhuron jetën që doni

Aug 14, 2011 | 12:23

Sot në botë, 85% e atyre që merren me joga janë femra dhe kjo, për faktin se evolucioni dhe përmirësimi në trajtimin e shtegut pozitiv të jetës përkrahet dhe mbrohet përmes jogës. Natyrisht që për ta kuptuar dhe praktikuar këtë, e ka më të lehtë një njeri që gjendet qysh herët i lidhur me sportin, siç është dhe ka qenë ngaherë Mjeshtrja e Merituar e sportit të gjimnastikës, Polikseni Gorishti. Me thellimin dhe përmirësimin e teknikave e njohurive në joga, Gorishti ka botuar edhe një libër me ushtrime kushtuar trupit dhe mendjes, pra Jogës

Çfarë është Joga?

Sipas gjuhës së lashtë indiane, joga do të thotë bashkim gjithësor. Në kuptimin shpirtëror ajo ka të bëjë me unitetin e ndërgjegjes individuale me atë gjithësore. Në kuptimin praktik, joga është një mënyrë praktikumi, ekuilibrimi dhe harmonizimi, i trupit, mendjes, emocioneve dhe shpirtit, në atë pjesë ku ndodhen vlera si kuraja, forca, vullneti, dashuria, kënaqësia. Me pak fjalë joga është një sistem intrigues për trupin, mendjen dhe shpirtin, që karakterizohet me një mënyrë jetese të bazuar në disiplinat e veta dhe parimet e të jetuarit thjesht duke lartësuar mendjen. Joga nuk është moda e fundit e divave të Hollivudit që duan të rivendosin formën në një kohë të shkurtër. Për shumicën e atyre që praktikojnë jogën, ajo është rrugë e zbuluar në thellësi të vetvetes, është arti për të jetuar mirë, i vënë në jetë dhe i praktikuar prej mijëra vjetësh.

Sot në botë, përpjekjet për të siguruar mirëqenie të shëndetit janë të shumta. Ato bazohen në rritjen e zhvillimit fizik nëpërmjet aktivitetit fizik, gjë për të cilën, Polikseni Gorishti, Mjeshtrja e Merituar e sportit shqiptar të gjimnastikës, ka punuar me vite të tëra, gjatë gjithë jetës së saj, për të përzgjedhur metodat efikase në arritjen e këtij qëllimi. Pikërisht në këto përpjekje për të arritur më të mirën, zbuloi jogën, një nga traditat më të lashta në botë, që është në dobi jo vetëm të shëndetit fizik, por edhe më gjerë. Polikseni gjithë njohuritë dhe mirëqenin fizike e mendore që i ka dhuruar ushtrimi i këtij sporti, do ta ndajë me të gjithë përmes librit të jogës që ka nxjerrë në treg e që për momentin, nuk ka mbetur më asnjë kopje e botimit të parë. “Janë të shumtë njerëzit që vuajnë nga stresi dhe përmes jogës mund të gjejnë mënyrën më të mirë për t’u relaksuar”. Ja pse është i dobishëm ky libër, sepse njerëzit që vuajnë nga stresi janë në këto kohë shumë më shumë se të shumtë. Por joga nuk shërben vetëm për këtë, është një mënyrë e mirë për ata që synojnë të zbusin dhimbjet e shpinës, reumatizmën, marrëdhëniet seksuale në një plan të ri, të tjerë dëshirojnë të përdorin principet e filozofisë së jogës për të shtuar vlerat shpirtërore të jetës së tyre. Siç e shihni, ngado të ktheheni, këto ushtrime ju duhen. Mësoni më shumë për to!

Dobitë nga ushtrimet fizike të Jogës

.    Praktikimi i ushtrimeve të jogës do të sillte efekt për çdo pjesë të trupit në drejtim të muskulaturës, kockave dhe ligamenteve, në drejtim të sistemit nervor, të trurit, organeve abdominale, të zemrës dhe mushkërisë që do të shoqërohej me:

.    Përmirësim të efektshëm të sistemit kardiovaskular, të qarkullimit të gjakut dhe mushkërive.

.    Përdorim më i efektshëm i muskujve të frymëmarrjes.

.    Rritje e kapacitetit mendor. Më pak rrezik për dëmtime. Më pak shanse për depresion. Zvogëlim i simptomave të zakonshme në menopauzë etj.

Dieta antistres

Çfarë duhet të hamë dhe si ndikon pesha në gjendjen e relaksim?
Pesha është e rëndësishme në gjendjen e relaksimit apo të stresit të trupit e të mendjes, sigurisht edhe ushqimet që përdorim. Kërkoni të hani lehtë, në mënyrë që të relaksoheni dhe jo të mbingarkoheni. Ndiqni një dietë të thjeshtë dhe ushqyese të mbështetur mbi dietën vegjetariane. Një dietë e pasur me fibra dhe fruta e zarzavate të freskëta dhe pa mish nuk e lodh organizmin dhe kënaq nevojat energjetike kryesore. Shmangni ushqimet jashtë vakteve dhe sidomos para se të bini në shtrat.

 

Lutja e Diellit

(ose lidhja e gruas me Hënën)

Polikseni Gorishti në 8 lëvizjet e ushtrimit më të përdorur të jogës “Lutja e diellit”

Lutja e Diellit është një nga ushtrimet më të përdorura për nxehjen e trupit në joga. Quhet kështu sepse praktikohej herët në mëngjes përballë diellit. Nga joga, dielli konsiderohet si perëndia e shëndetit dhe jetës së gjatë. Në kohët antike ky ushtrim ishte një rutinë e përditshme shpirtërore që kryhej për dymbëdhjetë herë, duke përsëritur dymbëdhjetë emrat e Lordit Diell. Por, mund të gjendet edhe me emrin Lutja e Hënës. Kështu është e njohur lidhja gjithmonë e fortë mes gruas dhe hënës. Është një energji që gratë rezonojnë nga Hëna përmes ciklit të përmuajshëm menstrual dhe reflektimit të Hënës së plotë, në ngrënie apo dobësim. Ndikimi i saj perceptohet në ndijimet, duke rritur ose pakësuar forcën e mendimit. Për këtë arsye, shumë gra kanë zbuluar se praktikimi i përditshëm i lutjes së Hënës e ruan shumë këtë veçanti, këtë lidhje që ekziston midis gruas dhe hënës, duke praktikuar 4 deri në 12 herë këtë ushtrim, këtë lidhje energjike.

Relaksi

Mjeshtrja e Merituar e sportit të gjimnastikës, Polikseni Gorishti, në 3 pozicionet e relaksit

Relaksi i vërtetë është një metodë e natyrës që çliron dhe i jep energji trupit dhe mendjes, është një moment në bazë të të cilit konsumohet pak energji. Është një metodë praktike, e nevojshme për ruajtjen e shëndetit fizik dhe qetësisë, paqes mendore, duke shmangur lodhjet e tepërta dhe të paefektshme.
Sipas jogës, janë tetë qendra të energjisë në trupin tonë dhe, për këtë arsye, energjia rrjedh lirshëm përmes një sistemi që ndihmon dhe përmirëson shëndetin tonë. Kur mendja, trupi dhe ndjenjat bombardohen vazhdimisht dhe pa pushim nga stimuj, disa mund të mos kenë mundësi të rigjenerohen. Për të shmangur këto fenomen e për t’u ndier më mirë me shëndetin,  joga vë në qendër të vëmendjes teknikat e një frymëmarrjeje korrekte që mundëson rritjen e kapacitetit të mushkërisë, mundësi kjo për të pasur më shumë oksigjen të pastër në organet jetësore.
Për të kuptuar parimin e relaksimit është e dobishme të dish çfarë është kundër tij. Çdo aktivitet qoftë fizik e qoftë mendor, nëse bëhet mbi limit,  krijon një lloj stresi, i cili konsumon dhe prish ekuilibrin ndërmjet trupit dhe mendjes, duke e bërë të pamundur jetesën.

Si mund të përqendrohemi

Përqendrohuni te fjala ‘paqe’

1.     Uluni në një pozicion të qetë në tokë ose në karrige, me duart sipër gjunjëve, shuplakat nga sipër.

2.     Duke marrë frymë kthejini gishtërinjtë nga brenda drejt pjesës së poshtme të barkut, duke i mbajtur larg trupit.

3.     Ngrijini duart lart drejt nivelit të diafragmës, nxirrni frymën.

4.     Kthejini duart drejt trupit, pëllëmbët lart, gishtat e vegjël ngjitur me trupin, ndërsa gishtat e mëdhenj sa më larg.

5.     Merrni frymë dhe ngrini pëllëmbët deri në nivelin e fytit. Nxirrni frymën dhe kthejini pëllëmbët në nivelin e fytit.

6.     Merrni frymë dhe ngrini duart, duke i shtrirë anash mbi tokë. Nxirrni frymën dhe mbajeni derisa të ndiheni mirë. Me nxjerrjen e frymës, ulni pëllëmbët në tri faza si më lart. Çlodhni duart mbi gjunjë dhe mendoni (reflektoni) mbi fjalën ‘paqe’.

Pjesa finale e përqendrimit në fjalën ‘paqe’ ju ndihmon të arrini një nivel të thellë të paqes së brendshme.

Një variant është: Përqendrimi i shikimit

1.    Vendosni një qiri në një tavolinë para jush.

2.     Përqendroni shikimin në një qiri sa më gjatë të jetë e mundur.

3.     Mbyllni sytë dhe imagjinoni flakën mbas syve tuaj.

4.     Mbaj imazhin që ke krijuar.

5.     Përsërite dy ose tri herë.

6.     Çlodhni sytë dhe rrini ulur qetësisht për 10 minuta. Gradualisht zgjatni kohën e qëndrimit ulur deri në 20 minuta.

 

ANI JAUPAJ

 

© Panorama.al

Te lidhura