Një punonjëse e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, bashkëshorti dhe vëllai i saj u arrestuan pasditen e djeshme nën akuzën se kanë vjedhur rreth 30 mijë euro, duke përdorur karta bankare të falsifikuara.Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaroi dje se gjatë një operacioni të koduar me emrin “Skimmer 3” ranë në pranga tre personat e dyshuar si autorë të vjedhjes së të paktën 30 mijë eurove. Oficerë të Drejtorisë së Krimeve Kibernetike kanë ekzekutuar masat e sigurisë “arrest me burg”, të dhëna në mungesë nga Gjykata e Tiranës, për punonjësen e policisë Rajmonda Kaca, bashkëshortin e saj Maliq Kaca dhe vëllanë e saj, Bedri Muda. Nga hetimet që kanë zgjatur rreth 5 muaj, nga ana e njësisë Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, është zbuluar se kartat me shirit magnetik të klonuara vinin në Shqipëri nga Anglia. Sipas hetimit, kartat në fjalë siguroheshin nga Bedri Muda, vëllai i Rajmonda Kacës, i cili jetonte në Britaninë e Madhe si emigrant. Policia ka gjetur se, pasi vidhte të dhënat nga llogaritë bankare të shtetasve anglezë e amerikanë, ky person ia postonte këto të dhëna motrës së tij në Shqipëri. Pasi mbërrinin në vendin tonë, këto informacione merreshin nga oficerja e policisë Rajmonda Kaca bashkë me të shoqin, të cilët i vinin në përdorim kartat e klonuara, duke i përdorur fillimisht në argjendari dhe dyqane celularësh. Sipas hetimeve, rezulton se vjedhja me anë të kartave e llogarive të ndryshme bankare ka nisur që nga muaji janar i këtij viti, e deri disa ditë më parë. Nga verifikimet e para ka dalë se Rajmonda dhe Maliq Kaca kanë blerë disa bizhuteri dhe telefona celularë, me vlerë rreth 5 mijë euro. Këto janë të dokumentuara nga ana e policisë. Ndërsa pritet verifikimi, me ndihmën edhe të bankave, për të vërtetuar se sa ka qenë shuma e parave që ata kanë arritur të përvetësojnë me anë të kartave të klonuara, pasi rezulton që t’i kenë përdorur edhe në bankomate të ndryshme në Tiranë. Policia sqaroi se paraprakisht dyshohet se me këtë metodë ata kanë mundur të vjedhin rreth 30 mijë euro. Në momentin e arrestimit, si dhe gjatë kontrollit të banesave të tyre, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 30 karta plastike me shirit magnetik, 1 mijë dollarë të prerjes 100-she, si dhe 4 celularë. Burime nga Policia sqaruan se, pavarësisht se kishin provuar një pjesë të vjedhjeve që kishin kryer bashkëshortët Kaca, nga përgjimet ishin vënë në dijeni se do të vinte në Tiranë edhe vëllai i polices, i cili i siguronte kartat në Angli. Të njëjtat burime thanë se Bedri Muda rezulton të jetë kthyer nga Anglia një javë më parë, pasi do të martohej dhe në këtë mënyrë është vendosur që arrestimi të kryhej për të tre njëherësh.
Të arrestuar
1. Maliq Qemal Kaca, vjeç 29, banues në Tiranë, emigrant në Angli,
2. Bedri Fidan Muda, vjeç 36, banues në Tiranë
3. Rajmonda Qemal Muda (Kaca) vjeç 27, me detyrë punonjëse e Policisë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.
Sekuestruar
30 (tridhjete) copë karta plastike me shirit magnetik
Dollarë të dyshuar të falsifikuar të prerjes 100-she, 10 copë
4 telefona celularë.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











