
TIRANE – Një zyrë ndihme dhe mbrojtjeje për viktimat e trafikut, kryesisht femrat dhe fëmijët, do të hapet së shpejti në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Zyra do të jetë e njëjtë me atë të policisë franceze, pasi edhe projekti është ideuar dhe financuar nga Përfaqësia e Përhershme e Francës në zyrën e OKB-së në Vjenë. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, nënshkroi dje marrëveshjen e bashkëpunimi me ambasadoren franceze, Maryse Daviet, për hapjen dhe funksionimin e një salle në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, për të këshilluar dhe ndihmuar viktimat e trafikut të qenieve njerëzore. Ministri Nishani garantoi se partneriteti do të sjellë rezultate më të mira në përballimin e fenomenit të trafikut të qenieve njerëzore. Nishani theksoi se, “bazuar në prioritetin e madh që ka për këtë çështje qeveria shqiptare, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, krahas angazhimeve institucionale, krahas bashkëpunimit me një numër organizatash të shoqërisë civile, të cilat ofrojnë kontributin e tyre në këtë fushë, mirëpret dhe vlerëson të gjithë angazhimet dhe kontributet e partnerëve ndërkombëtarë për të asistuar, për të bashkëpunuar pikërisht në një çështje që është fondamentale për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”. Ndërsa ambasadorja e Francës në Shqipëri, Maryse Daviet, u shpreh se marrëveshja konfirmon bashkëpunimin mes qeverive të të dyja vendeve për të forcuar më tej luftën kundër fenomenit të trafikut të qenieve njerëzore dhe për të përmirësuar asistencën ndaj viktimave të trafikut për integrim më të lehtë të tyre në shoqëri në një fazë të dytë. e.d











