
Vrasja e volejbollistit të ekipit Teuta Juxhin Guza po hetohet në disa qytete, pasi dyshohet se 24-vjeçari u masakrua natën e 13 shtatorit nga hajdutë të ardhur nga rrethe të tjera të vendit. Prokuroria dhe Policia i kanë dhënë një rëndësi të veçantë zbardhjes së plotë të ngjarjes, ku viktimë mbeti volejbollisti i ekipit Teuta. Që prej 8 muajsh policia vijon hetimet intensive, ndërkohë që përveç Durrësit ato janë shtrirë edhe nëpër rrethe. Me anë të skicës që u ndërtua nga dëshmitarët, hetuesit kanë kuptuar se ato portrete nuk janë parë në qytetin e Durrësit, ndaj dyshohet se autorët nuk janë vendës. Hetuesit dhe oficerët e Policisë Gjyqësore që po ndjekin hetimet kanë besim dhe shprehen të sigurt se shumë shpejt vrasësit e Juxhinit do të arrestohen dhe do të ndëshkohen për atë që kanë bërë. Banorët e lagjes si dhe komshinjtë që u bënë dëshmitarë të asaj ngjarjeje të rëndë kanë ndihmuar policinë për të ndërtuar portretin e dy personave që masakruan përpara syve të prindërve Juxhin Guzën. Duke dyshuar se 24-vjeçari nuk është qëlluar nga persona që e njihnin por nga hajdutë, Policia e Durrësit ka dërguar në çdo drejtori dhe komisariat policie të vendit dy portretet që i përshtaten sadopak autorëve të krimit, me qëllim identifikimin e tyre. Burime nga Policia sqarojnë se sipas përshkrimit të dëshmitarëve bëhet fjalë për dy djem të rinj, njëri prej tyre me ngjyrë. Mësohet se është përjashtuar pista që Guza të jetë vrarë për arsye të ndonjë konflikti që mund të këtë pasur më persona të ndryshëm, ndërkohë që përveç të tjerave shumë rëndësi i është dhënë faktit që 24-vjeçari ka rënë pre e grabitësve, ndaj policia është vënë në ndjekje të këtyre të fundit. Ndërkohë ditët kalojnë njëra pas tjetrës edhe agjentët e policisë që janë angazhuar për zbardhjen e ngjarjes që tronditi jo vetëm qytetin bregdetar, por mbarë opinionin publik, kanë seleksionuar disa pista që dyshoheshin se mund të jenë bërë shkas për vrasjen e volejbollistit. Sipas Policisë, pista kryesore ku po hetohet nga ekspertët, është ajo se 24-vjeçari është sulmuar nga grabitësit, të cilët kanë tentuar t’i merrnin me dhunë varësen që mbante në qafë. Këtë fakt nuk e konfirmojnë vetëm shenjat e dhunës që mjekët kanë konstatuar në trupin e volejbollistit, por vetë viktima ka mundur të pohojë disa herë në sallën e reaminacionit se e kishin sulmuar hajdutët se donin t’i merrnin varësen. Gjithashtu mësohet se 24-vjeçari është sulmuar nga dy persona, të cilët kanë qenë të pajisur me thikë dhe kaçavidë.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ











