
Policia shkatërron drogë në Lazarat nën breshëritë e plumbave. Për rreth 5 orë ka zgjatur beteja e njëanshme nga banorë të zonës së hashashit, ndërsa uniformat blu asgjësuan rreth 3 mijë rrënjë të bimës narkotike. Autorët e armatosur, sipas Policisë janë identifikuar, ndërsa në pranga kanë rënë 5 të tjerë, pronarë dhe punëtorë të parcelave të drogës.
Aksioni
Krismat e armëve kanë gjeneruar përgjatë gjithë ditës së martë në Lazarat, aq sa janë dëgjuar edhe në Gjirokastër, ndërkohë që forcat policore për herë të parë kanë ndërhyrë suksesshëm, duke mos u tërhequr nga kërcënimet e vazhdueshme me armë, prej elementëve të lidhur me krimin në fshat. Operacioni i djeshëm, i cili kishte për drejtues Muhamet Rrumbullakun, zv. drejtorin e Policisë Shqiptare dhe kreun e Policisë Rajonale, Halit Murataj, u ndal fillimisht me hyrjen fshehtas në Lazarat nga ana e Sopotit,
për të kapur në flagrancë personat që vadisnin plantacionet me hashash. Ndryshe nga herët e tjera, përkrah policëve të Gjirokastrës janë rreshtuar specialët e RENEA-s, Delta Force dhe ato të FNSH-së së Fierit, të cilat përmes mjeteve të blinduara arritën të përparonin në zemër të Lazaratit. Me të mbërritur në zonën ku gjendeshin në fazën fillestare të mbjelljes bimët e kanabisit, forcat policore kanë ndeshur në ashpërsinë e shkrehjes së kallashnikovëve nga ana e disa personave që janë të lidhur me kultivimin e hashashit në zonë. Pas kësaj, policia ka qëndruar në pozicion luftimi për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm frontal i hipotetizuar prej personave që u prekeshin direkt interesat. Por, krismat kanë qenë veçse në ajër dhe ato me qëllim zmbrapsjen qoftë dhe anulimin e aksionit të startuar nga Policia e Shtetit.
Arrestimet
Gjatë aksionit janë kapur në flagrancë pesë personat që gjendeshin në afërsi të zonës së kultivuar me hashash nga policia, dy prej të cilëve nga Lazarati. Burimet zyrtare policore kanë saktësuar se të arrestuarit janë Miço Kuro dhe Lutfi Husaj, të dy 29-vjeçarë nga Lazarati, si dhe Erion Ajdini nga Tepelena. Të tre ata figurojnë të jenë pronarë të parcelave me hashash, të cilat u asgjësuan dje nga policia. Uniformat blu gjatë operacionit kanë mundur të kapin edhe dy mëditës që punonin në fshat, duke ujitur parcelat me hashash. Ata janë Gentian Halilaj, 19 vjeç nga Kukësi me banim rezident në Gjirokastër, si dhe Agron Blloshmi, 25 vjeç nga Librazhdi, po me banim rezident në Gjirokastër. Të pestë personat e arrestuar janë shoqëruar për në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës dhe më pas u arrestuan për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike. Ky ishte fryti i parë i operacionit të Policisë, i cili u pasua nga të tjera masa. Tre kamionëve që shërbenin për transportin e plehut organik nga zona të ndryshe në drejtim të Lazaratit, u është vënë flaka nga forcat e Policisë. Ndërkohë që dy bote me ujë janë shkatërruar, së bashku me një furgon i cili shërbente për transportin e hashashit të mbjellë në gota plastike. Ky i fundit mbante në bord mbi 1 mijë rrënjë kanabis, gati për mbjellje në tokë.
Kërcënimi
Flakët e zjarrit që dilnin nga djegia e mjeteve acaruan së tepërmi disa banorë të fshatit, të cilët shtuan ndjeshëm shkrehjet e armëve automatike. Burime në aksion thanë se në një moment dy fuoristrada pa targa u janë afruar për pak metra grupit të policëve që merrej me shkatërrimin e rrënjëve të kanabisit dhe të automjeteve në flakë dhe ka shtënë në ajër. Brenda në dy xhipa gjendeshin tetë persona, të cilët sapo kërcënuan nën shkrehjet e armëve policët, u rikthyen në brendësi të Lazaratit. Menjëherë një automjet policie iu vu nga pas për t’i kapur, por ata që gjendeshin në bordet e mjeteve i braktisën këto të fundit dhe u larguan në drejtim të paditur, duke marrë me vete edhe armët automatike. Forcat policore arritën të sekuestronin dy fuoristradat që ishin në përdorim nga ana e tetë lazaratasve. Operacioni antikanabis në të cilin u angazhuan thuajse 200 forca policore u finalizua rreth orës 10:30.
Breshëritë shkaktojnë ankth në Gjirokastër
Operacioni ka mbajtur me gjak të ngrirë edhe qytetarët e Gjirokastrës, të cilët përgjatë gjithë orëve të para të mëngjesit, duke vazhduar deri në mesditë, kanë qenë të shqetësuar nga zhurma e armëve automatike që vinin nga fshati Lazarat. Policia ndërkohë ka identifikuar të gjithë personat që kanë shtënë me armë në drejtim të saj apo në ajër dhe po punon për kapjen e tyre. Në fakt, uniformat blu nuk kanë pasur për qëllim sot edhe kapjen e këtyre elementëve, pasi do të ndeshte në një rezistencë të fortë nga ana e banorëve lazaratas. Mësohet se janë vënë në listën e personave në kërkim 13 persona të dyshuar se kanë qëlluar me armë ndaj aksionit të forcave të Policisë së Gjirokastrës, forcave Delta dhe të FNSH-së së Fierit.
Burgaj: Përgjigje me armë kush qëllon policinë
Kryepolici, thirrje banorëve për distancim
Pas përfundimit me sukses të operacionit të rreth 200 forcave të Policisë së Shtetit në Lazarat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, në një deklaratë për shtyp u bëri thirrje banorëve të Lazaratit që të distancohen nga personat që qëllojnë me armë Policinë. Ai paralajmëroi se Policia do të kundërpërgjigjet me forcën që i jep ligji kundër të gjithë atyre personave që i drejtojnë armën forcave të rendit. “Policia e Shtetit u bën thirrje banorëve të fshatit Lazarat që të distancohen nga disa elementë me precedentë kriminalë, të cilët kundërveprojnë me armë ndaj forcave të Policisë, pasi policia do t’i përgjigjet me forcën e ligjit të gjithë atyre personave të përfshirë në akte të tilla”, u shpreh Burgaj. Ndërsa premtoi që aksionet do të vazhdojnë, nga toka dhe nga ajri, jo vetëm në Lazarat, por edhe në zona të tjera problematike, siç është Dukagjini, Shllaku, Kruja dhe Lumi i Vlorës. “Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike mbetet një ndër prioritetet më të rëndësishme në punën e Policisë së Shtetit, e cila do të vazhdojë pa ndërprerje operacione të këtij lloji për asgjësimin e bimëve narkotike jo vetëm në zonën e Lazaratit, por në të gjithë vendin. Në sajë të marrëveshjes së nënshkruar me Policinë italiane, ne po vazhdojmë monitorimet e kryera nga ajri me 2 avionë të Policisë italiane dhe 3 helikopterë të Policisë shqiptare në të gjithë territorin e vendit, për të përcaktuar me koordinata shumë të sakta zonat ku kultivohet kanabis, me qëllim asgjësimin e tyre dhe arrestimin e autorëve”, deklaroi dje Burgaj.
GJIROKASTER/ PIRO NASE
© Panorama.al











