Policia Rrugore në aksion, 7 mijë gjoba në një javë

Feb 21, 2012 | 13:26

Foto Ilustruese

Tiranë, hera e parë me asnjë aksident me vdekje gjatë një jave.

Njësia e Qarkullimit Rrugor të Tiranës ka ndërmarrë një aksion të gjerë në zbatim të Kodit Rrugor, duke vendosur shtatë mijë gjoba brenda një jave. Aksioni ka për qëllim parandalimin e aksidenteve, ndërsa masat kanë mbyllur javën që shkoi pa asnjë aksident me vdekje. Efektivat rrugorë kanë ndëshkuar me gjobë rreth 7 mijë drejtues mjetesh për shkelje të ndryshme. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Policia e Tiranës shprehu dje shqetësimin për shkelje të dukshme të kodit nga ana e drejtueseve të automjeteve, që fillojnë nga shpejtësia tej normave të lejuara, mosvendosja e rripit të sigurimit etj. Sipas Policisë së kryeqytetit, gjatë javës së fundit janë vendosur rreth 7 mijë masa administrative, shumica e të cilave për tejkalim të shpejtësisë, parakalime të gabuara, parkime të gabuara dhe mosvendosje të rripit të sigurimit. Drejtoria e Policisë së Tiranë deklaroi dje se, krahas sensibilizimit për respektimin e rregullave në fushën e qarkullimit rrugor, do të vazhdojë ndëshkimin e përdoruesve të rrugës, të cilët kryejnë shkelje administrative në këtë fushë. “Edhe pse në rrugët për përdorim publik konstatohet një përmirësim i ndjeshëm i rrjedhshmërisë së trafikut rrugor, kjo falë respektimit të rregullave në këtë fushë nga përdoruesit e rrugës, por dhe nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore, përsëri ka shkelje të dukshme të kundravajtjeve administrative, kryesisht në Tiranë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. Javën e fundit, nga Shërbimet e Policisë Rrugore janë bllokuar 227 automjete, prej të cilave 41 mjete për mungesë dokumentacioni, gjashtë për mospagim të gjobave brenda afatit dhe 180 mjete janë spostuar me karrotrec për parkime të gabuara. Ndërkohë, nga komisioni i shqyrtimit të kundravajtjeve janë marrë 92 vendime, 24 për pezullim të lejes së drejtimit, 11 për kalim afati të certifikatës së kontrollit teknik, 17 për përdorim të xhamave të errët, 31 për shkelje të tjera të legjislacionit rrugor dhe 9 për automjete të ndaluara administrativisht. “Me synim normalizimin e qarkullimit rrugor, Patrulla e Përgjithshme e Policisë së Tiranës vazhdon ndëshkimin e kundravajtësve, ku gjatë kësaj jave janë evidentuar në total 3670 masa administrative gjobë, kryesisht për parkime të gabuara”, thuhet në njoftimin e Policisë.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura